Sport

Dy dëshirat e Miftarajt: Prishtina ta fitojë titullin, Besa të kthehet në Superligë

Për shumë vjet Besa e Pejës angazhonte lojtarë me emër të cilët ua bashkonte lojtarëve që dilnin nga shkolla e klubit pejan. Kjo formulë funksiononte, por tashmë është ndryshe. 

Besa është në krizë dhe lojtarët e shkollës së Besës bëjnë karrierë në klube të tjera dhe vlerësohen goxha lart. Njëri prej lojtarëve që është rritur te Besa e që po kalon periudhë të suksesshme në Superligën e Kosovës në futboll është mesfushori Diar Miftaraj. 28-vjeçari ka pasur edicion të suksesshëm me Prishtinën dhe së fundmi ka vazhduar bashkëpunimin me skuadrën bardhekaltër. 

Ai tashmë po përgatitet për ndeshje evropiane me Prishtinën, ndërsa për edicionin e ri ka synime të mëdha. Në të njëjtën kohë futbollisti pejan shpreson që Besa, më në fund të stabilizohet financiarisht dhe të kthehet në Superligë, shkruan sot Koha Ditore.

Miftaraj ka kompletuar dy edicione me Prishtinën, ndërsa sidomos në pranverë të këtij viti është vlerësuar për paraqitjet. Ka kompletuar thuajse të gjitha ndeshjet dhe kështu është shpërblyer me kontratë të re. 

“Kam vendosur të vazhdoj me Prishtinën pasi kam kaluar dy vjet te kjo skuadër dhe ka qenë e vështirë të ndërrohet ambienti kur dihet që është klubi më i madh në Kosovë”, ka thënë Miftaraj në një bisedë për gazetën. 

Prishtina më 27 qershor në shtëpi dhe 2 korrik në udhëtim, takohet me skuadrën nga Gjibraltari, St Joseph’s në kuadër të parakualifikimeve për Ligën e Evropës. Nëse kalon këtë rreth të garave, takohet me skuadrën e famshme skoceze Rangers, në raundin e parë kualifikues. 

Me synim për të kaluar skuadrën nga Gjibraltari dhe me shpresë për të bërë edhe ndonjë hap tutje, Prishtina ka nisur herët përgatitjet për paraqitje në Evropë. 

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, po punojmë të gjithë lojtarët në maksimumin tonë, që të jemi sa më të gatshëm për ndeshjet në Evropë. Synimi është që të kemi paraqitje sa më të mira dhe do të provojmë të shkojmë sa më lart që është e mundur. Shpresoj të kemi edhe fat, pasi dihet që kemi kundërshtarë të fortë përballë, nëse e kalojmë skuadrën nga Gjibraltari”, ka shtuar Miftaraj...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)