Sport

Gazetari arab: Al Wahda është afër emërimit të Fodas si trajner

Franco Foda

Gazetari i Arabisë Saudite, Ahmed Ragab, ka shkruar se Al Wahda është afër emërimit të gjermanit Franco Foda si trajner të ekipit. Këtë njoftim e ka dhënë në profilin e tij në “X”. 

Al-Wahda, ekip me bazë në Abu-Dhabi, është prej ekipeve më të suksesshme në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në disa media arabe është bërë e ditur se Al Wahda është klubi i vetëm aktualisht pa trajner.

59-vjeçari Foda mori drejtimin e Kosovës në shkurt të vitit 2024 dhe ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka shënuar ngritje nën drejtimin e trajnerit gjerman. 

Kosova nën drejtimin e Fodas ka shënuar nëntë fitore, ndërsa ka edhe katër humbje. Një humbje e ka me rezultat zyrtar ndaj Rumanisë. Dy fitoret më të rëndësishme janë ndaj Islandës në plejofin e Ligës së Kombeve. Falë dy fitoreve, Kosova edicionin e ardhshëm do të paraqitet për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve. 

Krahas rezultateve pozitive, me Fodan selektor, janë afruar edhe shumë lojtarë të rinj. Së fundi për Kosovën ka pranuar të paraqitet Veldin Hoxha. 

Kryetari i FFK-së për KOHËN të enjten tha se Foda do të mbetet trajner i Kosovës.

“Ka kontratë”, tha shkurt Ademi për KOHËN.