Tetë vjet më parë Borci i Banjallukës kishte “shëtitur” në arenën “Karagaçi” në Pejë. Kishte fituar thellë e lehtë, 32:22, pasi ndeshjen e parë në qytetin kryesor të Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë e kishte fituar 31:22. Me dy fitore të thella, Borci kishte kaluar në rundin e dytë të Kupës së EHF-së.
Palestra “Karagaçi” ka ndryshuar fare pak prej atëherë. Por, shumë ka ndryshuar Besa Famgas, atëherë Besa Famiglia, kampionia e Kosovës në hendboll. Kjo është dëshmuar të shtunën në palestrën në Pejë.
Në kuadër të rundit të tretë të Kupës Evropiane, Besa Famgas e ka mposhtur Borcin e famshëm me rezultat 24:22. Besa nuk është llogaritur favorite. Përkundrazi, në letër ishte autsajdere. Por, pejanët e po ashtu në Federatën e Hendbollit e Kosovës, kanë pritur fitore më të thellë. Dy gola nuk janë shumë marrë për bazë që ndeshja në Banjallukë luhet pas një jave. Dhe kriteri i arbitrave mund të mos jetë në favor të skuadrës pejane. Borci, si ish-kampion evropian dhe skuadër me emër në ish-Jugosllavi, ka më shumë autoritet në botën e hendbollit. Megjithatë fitorja është fitore dhe Besa për në Banjallukë do të udhëtojë e frymëzuar nga fitorja në Pejë.
Pas pjesës së parë Besa kishte katër gola epërsi, 15:11. Është pritur që në pjesën e dytë që epërsia të rritej. Por kjo nuk ndodhi. Borci është shfaqur shumë më mirë dhe ndeshja ishte e barabartë. Fare në fund, Besa krijoi epërsi prej dy golave.
Greku Charalampos Mallios ka shkëlqyer në fitoren e Besa Famgas duke realizuar shtatë gola. Është pritur dukshëm më tepër nga Nikola Prce, por edhe të tjerët. Fitorja megjithatë është e arritur e madhe e Besa Famgas dhe goditje e rëndë ndaj Borcit.
Klubi serb nga Bosnjë-Hercegovina e ka përjetuar keq humbje nga ekipi kosovar. Presioni i serbëve të Bosnjës ishte i madh ndaj skuadrës dhe ka gjasë të rritet. Ndërkohë drejtues të Borcit kanë fajësuar arbritrat nga Mali i Zi për disfatën.
“Asnjëherë nuk komentoj gjyqtarët. Kemi pasur shanset tona, pavarësisht gjykimit të turpshëm të dyshes malazeze. Nuk e di nëse për këtë do të dënohem dhe nuk më intereson. Por më duhet të them që ky çift nuk e meriton të gjykojë ndeshje në Ligën e Dytë të Malit të Zi e lëre më një ndeshje evropiane. Me qëllim kanë referuar disa gjëra”, ka thënë trajneri i Borcit, Mirko Mikiq.
Lojtari kryesor i Borcit, Sasha Puljizoviq, nuk ka mundur të besojë që skuadra e tij ka humbur në Pejë.
“E kemi hapur mirë ndeshje, në pushim kam pasur ndjenjën se jemi duke udhëhequr me pesë epërsi. Nuk kam mundur të besoj që në fakt jemi duke humbur me katër dallim. Nëse do të shënonim në disa pozita të mira, mendoj se do të ishte rezultati krejt tjetër, ndoshta katër, pesë për ne”, ka thënë Puljizoviq.
Te Besa Famgas, pos grekut Mallios, është shquar me angazhim në mbrojtje Bujar Ramosaj. Ai është i vetëdijshëm se ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë.
“E kemi ditur se do të jetë lojë e fortë dhe ashtu ndodhi. Në pjesën e parë kemi filluar mirë. Kishim disa gabime në mbrojtje në hapje, por i përmirësuam ndërkohë dhe u shkëputëm në rezultat në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë jemi angazhuar si duhet, por në sulm kemi ngecur pak. Nuk i finalizuam disa raste të mira. Me rëndësi fituam. Tani duhet të fokusohemi në lojën e kthimit në Banjallukë, që të kalojmë në rundin tjetër të Kupës Evropiane", thotë Ramosaj.
Lojtarët e Borcit kanë vizituar edhe Patriarkanën e Pejës. Por, nuk kanë pasur ndonjë telash gjatë qëndrimit në Kosovës. Qëllimin, për të shënuar fitore të lehtë si tetë vjet më parë, nuk e kanë realizuar. Madje ishin shumë larg prej tij. Tani Besën e pret udhëtim i vështirë për në Banjallukë, me shpresë për të kaluar tutje në Kupën Evropiane.