Sport

Klopp e ka kthyer Liverpoolin në garë për Cityn pas telasheve të edicionit të kaluar

Problemet e sezonit të kaluar ndihen si një kujtim i largët për Liverpoolin.

Ndryshimi i bërë nga trajneri Juergen Klopp ka pasur një efekt të menjëhershëm, pavarësisht humbjes të disa lojtarëve në afatin kalimtar të verës dhe shpërbërjes së pjesës më të madhe të skuadrës që udhëhoqi Liverpoolin drejt titujve të Champions dhe Premier League në vitet e fundit. Mbetet të shihet nëse Klopp mund ta sfidojë Manchester Cityn në mënyrën që bëri gjatë rivalitetit epik të klubeve (2019-2022), por skuadra e tij po ecën përsëri në drejtimin e duhur.

“Ne patëm një vit të vështirë vitin e kaluar dhe këtë herë duket sikur është ndryshe”, tha Klopp.

Nëse sezoni i kaluar përfaqësoi një periudhë të dhimbshme tranzicioni për Liverpoolin, ajo ishte jetëshkurtër. Shitja e Sadio Manes te Bayerni dhe disa lëndime të lojtarëve kryesorë si Virgil van Dijk, panë një ekip që e mbylli edicionin pa trofe. Liverpooli nuk arriti të kualifikohej në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga viti 2016, duke përfunduar në vendin e pestë në kampionat. Megjithatë, kishte shqetësime se do të kishte më shumë dhimbje këtë vit pas largimit të Jordan Hendersonit, Roberto Firminos, Fabinhos, James Milnerit dhe disa të tjerëve. Ndërsa u pranua se duhej një rifreskim, frika ishte se kishte shumë ndryshime, me transferimin e Alexis Mac Allister, Dominik Szoboszlai, Wataru Endo dhe Ryan Gravenberch. Mirëpo, duket se Klopp ka rregulluar gjërat pasi Liverpooli ka shënuar shtatë fitore rresht në të gjitha garat dhe është i pamposhtur deri më tani këtë sezon. Të shtunën luan në udhëtim ndaj Tottenhamit, ndërsa në tabelë zë vendin e dytë me dy pikë më pak se City. Szoboszlai, një mesfushor që iu bashkua nga Leipzigu në verë, ka spikatur në ndeshjet hapëse të sezonit dhe shënoi në fitoren 3:1 të së mërkurës ndaj Leicesterit në Kupën e Ligës angleze.

“Ai është një top-lojtar, të cilin është e lehtë të futesh në ekip”, pranoi Klopp. “Ai ka vetëbesim dhe po e ndihmon shumë ekipin”.

Tottenami është në vendin e katërt dhe po shijon një fillim mbresëlënës të sezonit. Është i pamposhtur në kampionat pas barazimit 2:2 të javës së kaluar me Arsenalin. Liverpooli është testi më i fundit për trajnerin e Tottenhamit, Ange Postecoglou, ndërsa udhëtimi i Liverpoolit në Londër do të jetë një tjetër mundësi për Kloppin që të vlerësojë ecurinë e ekipit të tij. Nëse Liverpooli shënon fitoren e tetë rresht, atëherë kjo do të jetë dëshmi e mëtejshme që Klopp është gati ta sfidojë sërish homologun e tij te Manchester City, Pep Guardiola.