Klubi i hendbollit Vëllaznimi e nisi edicionin aktual me telashe të shumta. Me telashe të shumta për gjakovarët përfundoi pjesa e parë e kampionatit. Vështirësitë financiare e organizative kanë bërë që Vëllaznimi të renditet i fundit në tabelën e elitës së hendbollit kosovar me vetëm një fitore nga 14 ndeshje të luajtura. Edhe më i dhimbshëm mund të jetë fundi.
Vëllaznimi aktualisht ka pezulluar aktivitetin, ndërsa rrezikohet edhe shuarja e njërit prej klubeve me traditën më të pasur në Kosovë. Klubi kuqezi, i themeluar në vitin 1955, ka nëntë tituj kampioni e disa herë e fitoi Kupën e Kosovës. Vëllaznimi vlerësohet prej klubeve që përbëjnë bazamentin e sportit kosovar.
Kryetari i Vëllaznimit, Florin Buza, është pjesë e klubit “kuqezi” në tetë vjetët e fundit dhe e ka pranuar se vështirësitë janë të shumta.
“Në dy vjetët e fundit ndihma e vetme financiare kanë qenë mjetet e Kuvendit Komunal që nuk e mbulojnë as 25-përqindëshin e shpenzimeve financiare”, ka theksuar Buza të premten për KOHËN.
Ai thotë se një klub hendbolli që të funksionojë në mënyrë të rregullt ka nevojë për 60 mijë euro në vit. Pretenduesit për titull kampioni e trofeun e Kupës duhet të shpenzojnë afër 100 mijë euro, sipas udhëheqësit të klubit me nam nga Gjakova. Kjo shifër nuk është as për së afërmi e ngjashme me atë që e ka KH Vëllaznimi.
“Ne mezi mbledhim 15-18 mijë euro në vit”, tregon Buza.
Klubet e sportit në Kosovë për momentin përfitime të mëdha kanë nga Ligji i Sponsorizimit. Megjithatë, me këtë ligj ka dyshime se po bëhen keqpërdorime të shumta.
Buza nuk e sheh shpëtim të skuadrave Ligjin e Sponsorizimit.
“Edhe pse kemi menduar që me Ligjin e Sponsorizimit do ta kemi më të lehtë, e kemi parë që është shumë vështirë të binden kompanitë për shfrytëzimin e këtij ligji. Disa hezitojnë sepse mendojnë se nëse shfrytëzohet ky ligj do të kenë probleme me kontrollime financiare, ndërsa të tjerët nuk e shohin si përfitim për shkak se si sport, nuk është në nivelin e shikueshmërisë së futbollit dhe basketbollit”.
Buza thotë se pagesa e një takse sportive do të ishte shumë më e dobishme.
“Mendimi im për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen edhe klubet e tjera, e që mendoj se ka mjaft të tilla, është aplikimi i ndonjë takse sportive ose lehtësimi i procedurave të Ligjit të Sponsorizimit”, ka deklaruar Buza.
KH Vëllaznimi ka disa vjet që po përballet me telashe të shumta organizative e financiare. Buza thotë se mezi është nisur ky edicion, me shpresën se ditë më të mira do të vijnë për klubin gjakovar. Por, kjo nuk duket në horizont.
Ai ka thënë se edhe lojtarët kanë qenë të rrezikuar për shkak të lëndimeve.
“Sportistët, përveç pagave të parregullta, janë përballur me lëndime trupore vazhdimisht, të cilat nuk mund të trajtohen pa mjete financiare. Kështu që ka mundësi që ata të mbeten me lëndime për kohë më të gjatë”, thotë Buza, i cili e vlerëson punën dhe përkushtimin e të gjithëve në klub.
“Kryesitë, edhe ato të kaluarat, edhe kjo që kemi mbetur, të gjithë kanë dhënë maksimumin. Edhe për lojtarët dhe trajnerët e 10 vjetëve të fundit kam vetëm fjalë respekti e të mira. Kanë treguar që kanë shpirtin sportiv e ‘patriotik’ të shprehur për fanellën ‘kuqezi’ dhe për klubin e tyre”, deklaroi udhëheqësi i klubit Vëllaznimi.
KH Vëllaznimi edhe përmes një postimi në rrjete sociale ka njoftuar për pezullim të aktivitetin. Por rrezikun për shuarje të klubit nuk duan ta përmendin te Vëllaznimi.
Megjithatë, nëse gjendja nuk ndryshon së shpejti, Vëllaznimi nuk do ta vazhdojë garën në Superligë.
Telashet me stabilitet financiar te klubet sportive në Kosovë janë të theksuara e të shumta. Në fakt një pjesë e vogël e klubeve janë duke përfituar edhe miliona në bazë të ligjit për sponsorizime. Por shumica e klubeve mezi mbijetojnë, sidomos në sportet më të vogla.
Klube të ndryshme edhe ndërpresin aktivitetin në mungesë të parave. Dhe shpesh kjo kalon në heshtje.