Sport

Kosova ka lënë gjysmën e shteteve evropiane pas vetes

Kanë kaluar më shumë se gjysma e ditëve në edicionin e dytë të Lojërave Evropiane. Ngjarja që po mbahet në Minsk nisi më 21 qershor dhe përfundon të dielën, më 30 qershor. Kosova i ka fituar tri medalje deri më tash dhe me këtë bilanc kalon gjysmën e shteteve evropiane në tabelën e medaljeve.

Me një medalje të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë, Kosova të mërkurën mbrëma ka ndarë vendin e 25-të në ranglistë. Vendin e 25-të e ndan me Armeninë. Të mërkurën pasdite prapa Kosovës në ranglistë ishin plot 10 vende që tashmë kanë fituar medalje. Ndërkohë janë edhe 14 vende të tjera që nuk kanë fituar ende medalje, shkruan sot Koha Ditore.

Kështu Kosova deri të mërkurën mbrëma ishte më e suksesshme se 24 vende evropiane në edicionin e dytë të Lojërave Evropiane. Në Minsk garojnë sportistë nga 50 shtete të Evropës dhe me shumë mundësi të paktën dhjetë prej tyre do të mbesin pa medalje edhe pas të dielës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)