Një prej emrave më të respektuar në boksin kosovar, Afrim Majanci, ka mohuar të ketë pasur tendencë gjatë komentimit të meçit mes Robin Krasniqit dhe Nadjib Mohammedit.
Majanci, që në boks është prej vitit 1978, ka thënë se e ka komentuar vetëm atë që ka parë.
Krasniqi të hënën reagoi përmes një postimi duke e quajtur komentimin e Majancit në televizion si skandaloz dhe tendencioz.
Por Majanci mohon akuzat.
“Kam respekt për Haxhi Krasniqin. Dihet se si është boksi profesionist, por për Luan Krasniqin, Shpend Abazin dhe Haxhi Krasniqin kam respekt për karrierën që kanë pasur. Nuk ka pasur asnjë tendencë gjatë komentimit. Unë kam pasur dëshirë që Krasniqi të fitoi. Por e kam komentuar vetëm atë që e kam parë dhe që e kanë parë të gjithë. Unë të zezës nuk mund t’i them të bardhë”, ka thënë Majanci për KOHËN, të hënën.
Majanci është prej emrave të njohur të boksit kosovar. Boksier amator ishte prej vitit 1978 e deri në vitin 1992. Më pas ka punuar si trajner deri në vitin 2015, ndërsa tani është anëtar i bordit të Federatës së Boksit të Kosovës.
“Nuk është e vërtetë edhe që kam ndikuar në vlerësimin e njerëzve për meçin. E përsëris që kam komentuar vetëm atë që kam parë”, ka shtuar Majanci.