Sport

Në kohën e diskutimeve të shumta, Rumania mposht thellë Kosovën, FFK-ja hesht

Ka shumë diskutime lidhur me ndeshjet që Kosova e Rumania i luajnë vitin tjetër në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Në Rumani ka pasur propozime që ndeshjet të mos luhen, edhe me kusht që Kosova të fitojë me rezultat zyrtar. Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe një politikan rumun ka kërkuar që të mos zhvillohen ndeshjet për këtë arsye.

Nga Qeveria e Rumanisë, së fundmi, kanë thënë se nuk ka arsye që ndeshjet të mos luhen, ndërsa Federata e Futbollit e Rumanisë më herët ka thënë se do t’i drejtohet Qeverisë lidhur me ndeshjet.

Ka fare pak gjasa që Rumania të heqë dorë nga ndeshjet me Kosovën. Dënimet e UEFA-s ndaj saj do të ishin shumë të rënda.

Larg zhurmës e deklarimit të politikanëve, Kosova e Rumania e kanë zhvilluar një ndeshje në fundjavë. Bëhet fjalë për përfaqësueset U15 të futbollisteve. Futbollistet e reja të Kosovës e të Rumanisë janë takuar në Maqedoni të Veriut në kuadër të Turneut Zhvillimor të UEFA-s. Pra, nuk ka pasur telashe për organizimin e ndeshjes dhe zhvillimin e saj. Ndeshja e së shtunës ka përfunduar me fitoren 4:1 të Rumanisë U15.

Për rezultatin e ndeshjes ka njoftuar Federata e Futbollit të Rumanisë. Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës deri të hënën nuk ka dhënë ndonjë njoftim për këtë turne që vlerësohet me rëndësi për zhvillimin e lojtareve të reja. Dhe përballja me Rumaninë i jep dimension tjetër turneut në këtë fazë diskutimesh të shumta.

Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Rumanisë, Aurora Cakolli ka shënuar golin e vetëm për Kosovën.

Në këtë turne zhvillimor, Kosova i ka luajtur tri ndeshje. Të gjitha i ka humbur me rezultat të thellë dhe ndoshta për këtë arsye përgjegjësit e U15 kanë vendosur që të mos lëshojnë ndonjë informatë për aktivitetin në Maqedoni të Veriut.

Në ndeshjen e parë, më 17 tetor, Kosova kishte pësuar 4:0 nga Maqedonia e Veriut. Më 19 tetor, Kosova U15 kishte pësuar sërish thellë, 4:0, nga Çekia. Dhe në fund humbi edhe nga Rumania, të shtunën.

“Shumë zhurmë për asgjë. Ekipi nacional i Rumanisë ka luajtur në fundjavë me Kosovën në garë të UEFA-s”, ka shkruar sajti rumun “sport.ro”.

Federatat sportive kosovare njoftojnë shpejt e me bujë për sukseset e arritura. Por një pjesë e konsiderueshme “harrojnë” të njoftojnë kur rezultatet nuk janë pozitive. Dhe kjo praktikë së fundmi po i prek edhe klubet sportive.