Sport

Optimizëm te Kosova U17 para garës së fortë në Itali

kosova, sport, futboll, kosova u17, koha, 17 prill

Pas suksesit në raundin kualifikues për Kampionatin Evropian të këtij viti, përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll e kërkon suksesin edhe në rundin elit. Me sukses në rundin elit, përfaqësuesja e 17-vjeçarëve do të shkruante histori – do të bëhej e para përfaqësueses e Kosovës në futboll që kualifikohet në Evropian.

Përfaqësuesja U17, që drejtohet nga Arsim Abazi, të hënën udhëton për në Itali ku i luan tri ndeshjet e “Elite Round”. Ndeshjen e parë e ka menjëherë të mërkurën.

Në tetor të vitit të kaluar, Kosova U17 u rendit e dyta në Grupin 9 të rundit kualifikues për “Euro 2022”. Mbeti prapa Sllovenisë prej së cilës humbi 1:0. Ndërkohë, e la pas Austrinë, të cilën e mposhti 1:0 si dhe Ishujt Faroe. Edhe me Ishujt Faroe, Kosova fitoi 1:0. Ndeshjet ishin luajtur në Austri.

Gara e grupeve të tjera të rundit elit tashmë ka përfunduar. Ndeshjet ishin luajtur në mars. Por për shkak të luftës në Ukrainë, ndeshjet e grupit të Kosovës janë shtyrë. Kosova e ka në grup Ukrainën dhe pikërisht ndaj saj e luan ndeshjen e parë, të mërkurën nga ora 12:00. Ndeshja luhet në Poggibonsi të Italisë.

Më 23 prill Kosova luan me Italinë, ndërsa më 26 prill me Poloninë. Grupi vlerësohet shumë i fortë. Vendi i parë siguron kualifikimin në Evropian, ndërsa gjasat për kualifikim të mëdha janë edhe nga vendi i dytë.

Në fakt ka pasur dilema nëse Ukraina do të luajë në turne. Por ukrainasit tashmë janë vendosur në Itali dhe do të jenë në garë. Në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë pritur që Ukraina të mos luajë. Dhe për këtë e kanë caktuar udhëtimin për 18 prill. Madje pa ndonjë grumbullim paraprak në Kosovë.

“Nesër udhëtojmë për në Itali”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës U17, Arsim Abazi, të dielën mbrëma për KOHËN.

“Grupi i lojtarëve është i njëjtë me atë që është paraqitur në Austri. I kemi vetëm dy ndryshime në përbërje. Jemi në një grup të fortë me ekipe cilësore si Italia, Polonia e Ukraina. Por më së shumti do të varet prej formës që e shfaqim, sidomos në ndeshjen e parë. Por unë personalisht shpresoj shumë”, ka shtuar Abazi.

Pas suksesit në Austri, Kosova U17 kishte luajtur dy ndeshje miqësore me Turqinë U18, në nëntor të vitit të kaluar. Ndërkohë, në muajin shkurt kishte grumbullim treditor.

Tani në Itali do të zhvillojë maksimalisht dy stërvitje para ndeshjes me ukrainasit. Paraqitja e Ukrainës ka bërë bujë në Itali. Është pjesëmarrja e parë e një përfaqësueseje ukrainase në futboll prejse ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

“Grupi i lojtarëve tanë është shumë i mirë. Me pak fat unë besoj se do të kemi sukses. Do të ishte historike për Kosovën. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh. Një kombinim për lakmi. I kemi dhjetë lojtarë të klubeve tona dhe dhjetë të klubeve evropiane. Të gjithë luajnë në skuadrat e tyre, janë bartës dhe po kalojnë formë të mirë. Synojmë vendin e dytë në grup që me shumë mundësi na siguron kualifikimin, ndonëse konkurrenca është e fortë”, ka shtuar Arsim Abazi.

Ai thotë se lojtarët janë të motivuar për të shfaqur më të mirën.

“Motivi është maksimal për të dëshmuar se lojtarët tanë kanë vlera dhe mund të konkurrojnë me moshatarët e tyre nga vendet evropiane. Udhëtojmë me optimizëm dhe të shohim çka do të sjellë gara. Grupi i lojtarëve është shumë i mirë”, ka theksuar selektori Abazi.