Trajneri Jorge Vilda u përqesh si një fanatik kontrolli, i cili nuk ishte i përshtatshëm për detyrën, por ai tani ka shkruar historinë duke ia siguruar Spanjës titullin e parë të Kupës së Botës për futbolliste.
Skuadra e tij mundi Anglinë 1:0 para 76 mijë shikuesve në finalen e luajtur të dielën në Sydney. Golin e fitores e shënoi Olga Carmona, ndërsa lojtarja më e mirë e këtij turneu të mbajtur në Australi dhe Zelandë të Re, u shpall mesfushorja e Spanjës, Aitana Bonmati.
“Ajo që bëmë është e vështirë të arrihet”, tha Vilda pas suksesit. “Jam shumë krenar për këtë ekip, pasi kemi treguar se dimë të luajmë, se dimë të vuajmë, kemi besuar në vete dhe tan jemi kampionë të botës”.
Pakënaqësia mes lojtareve nga njëra anë dhe Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF) e trajnerit Vilda nga ana tjetër kishte kohë që po rritej.
Në shtator të vitit të shkuar shpërtheu - 15 lojtare dërguan email në federatë duke thënë se do ta refuzojnë ftesën për shkak të gjendjes së tyre emocionale. Natyra e saktë e ankesave të tyre asnjëherë nuk u bë publike zyrtarisht, por mediat spanjolle kishin raportuar më parë se ato kërkonin shkarkimin e 42-vjeçarit Vilda. Lojtaret më vonë e mohuan një gjë të tillë, por u raportua se kishin një sërë ankesash për mënyrën sesi po shkonin gjërat brenda dhe jashtë fushës. Raportet thanë se lojtaret, shumë prej të cilave ishin në Barcelonë, e akuzuan Vildan si “diktator” dhe nuk i miratuan metodat apo taktikat e tij të stërvitjes.
Mundo Deportivo” shkroi se ai do të insistonte që lojtaret t'i mbanin dyert e hoteleve të tyre të hapura para mesnatës ndërsa ishin në detyrë kombëtare, në mënyrë që ai personalisht të kontrollonte nëse ato ishin në gjumë në kohë.
Nuk munguan as pretendimet se nëse lojtaret dilnin jashtë, Vilda donte të dinte se ku po shkonin, me kë dhe çfarë blinin. Vilda tha në prag të Kupës së Botës se mosmarrëveshja ishte “praktikisht e përfunduar”, por nga 15 kryengritëset, ai thirri vetëm tri. Në Botëror, Vilda u pyet vazhdimisht për polemikat nga gazetarët. Ai është një personazh tipik i mbyllur, por pas fitores 2:1 të Spanjës në gjysmëfinale ndaj Suedisë, tha se trazirat “na kanë bërë të gjithëve më të fortë”.
Vilda ishte një lojtar premtues, por u detyrua të merrej me zejen e trajnerit për shkak të lëndimit. Ai u përfshi në përfaqësueset e reja të femrave, pasi federata shpresonte se do të ishte brezi i artë i Spanjës. Ai ishte trajner i ekipit të femrave U17 dhe asistent i babait të tij, Angel Vilda, në U19, më pas mori postin e tij si trajner kryesor i U19. Në vitin 2015 ai u promovua në trajner të ekipit A.
Spanja ishte në një nivel të ulët, pasi përfundoi në fund të grupit të saj pa fitore në Kupën e Botës 2015. Me Vildan në krye, Spanja arriti në 1/8 e finales në Botërorin e vitit 2019 dhe gjithashtu nuk arriti të kalonte çerekfinalet në dy edicione të Kampionatit Evropian. Kjo mungesë suksesi pavarësisht talentit të lojtarëve që dispononte, u raportua si një nga kundërshtimet e lojtareve ndaj Vildas. Raportet thanë se Rubiales premtoi të vepronte për disa nga ankesat duke sjellë një nutricionist dhe më shumë fizioterapeutë. Kishte gjithashtu pak më shumë liri veprimi për lojtaret për të parë familjet e tyre gjatë kampeve, përfshirë edhe në Kupën e Botës.
“Është ndjenja më e mirë në jetën time. Ne luajtëm futbollin që e donim dhe na kërkoi trajneri dhe mund të them se ende nuk jemi të vetëdijshme për suksesin e arritur”, shtoi Jennifer Hermoso.