Përvoja që e ka fituar në Lojërat Mesdhetare dhe në Kampionatin Evropian për seniorë, po i shërben Muhamet Ramadanit. Atleti 20-vjeçar nuk kishte arritur synimet në këto dy gara të forta, por ka marrë mësimet e duhura e të domosdoshme për karrierë.
Ramadani të shtunën fitoi medaljen e argjendtë në hedhje të gjyles në Kampionatin Mesdhetar U23 të atletikës, në Pescara të Italisë. Hedhjen më të mirë e kishte 19.13 metra. Vetëm dy centimetra më larg gjylen e gjuajti turku Alperen Karahan që fitoi të artën.
Ndoshta më shumë se medalja, rëndësi për Ramadanin ka hedhja e gjyles më larg se 19 metra. Kalimi i “kufirit” prej 19 metrave ka kohë që ishte synim i atletit mitrovicas dhe prindit e babait të tij, Shaban Ramadani.
Më 1 maj të këtij viti, Ramadani kishte vendosur rekord të Kosovës me hedhje prej 18.72 metrash. Rekordin e kishte vendosur në Tivar. Rekordi i mëhershëm i tij ishte 18.60 metra. Rekordin personal nuk e arriti në Lojëra Mesdhetare dhe në Evropianin për seniorë, por tani ka vendosur rekord të ri të Kosovës që është 19.13 metra.
“Kalimi i 19 metrave ishte synim për një kohë më të gjatë. Ishte vështirë, është dashur shumë punë e madhe. Por me këtë rezultat e kemi kuptuar që kemi punuar si duhet. Duhet të vazhdojmë me këtë temp, por edhe më fort se deri më tani”, ka thënë Muhamet Ramadani të dielën për KOHËN. Ai e di që medalja e argjendtë në Kampionatin Mesdhetar U23 nuk është rezultat i rastësishëm.
“Jam shumë i kënaqur për medaljen. Vërtetë kemi punuar shumë për të ardhur deri këtu. E kemi ditur që mund ta fitojmë rezultatin dhe mund të them që medalja nuk është e rastësishme”, ka shtuar Ramadani.
Për të është medalja e dytë me peshë ndërkombëtare këtë vit. Në mars kishte fituar medaljen e argjendtë në Kupën Evropiane të atletikës në hedhje, në grupmoshën U23. Hedhjen më të mirë e kishte pasur 18.60 metra në garën e mbajtur në Portugali.
“Këtë herë isha vetëm dy centimetra larg fituesit, por jam optimist për përmirësime të mëtejme. Përvoja në Lojërat Mesdhetare dhe në Evropian më ka shërbyer shumë. Në këto gara kam parë garues shumë më të fortë se unë, pra seniorë me përvojë të gjatë në sport. Më ka ndihmuar ajo përvojë që të shoh teknikën, ushtrimet e plot gjëra të tjera”, ka shtuar Ramadani.
Ai është i përkushtuar që të punojë edhe më shumë dhe që gjylen ta gjuajë edhe më larg. Synim kryesor e ka normën olimpike, por e di që ngritja është graduale dhe jo e lehtë.
“Synim i radhës është që në vitin 2023 të bëhem kampion evropian për grupmoshën U23. Natyrisht për këtë duhet të bëjmë punë maksimale. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe të vendosur po ashtu”, ka theksuar Muhamet Ramadani. Ai vlerësohet atleti më i mirë dhe me potencialin më të madh në vend. Në grupmoshat e reja ka pasur suksese të mëdha, ndërsa tani gradualisht po bën hapa në nivelin e të rriturve.