Ka vite që Distria Krasniqi është top-xhudiste botërore. Por 2020-a është viti i parë që ajo e përfundon në vendin e parë në ranglistën botërore.
Federata Evropiane e Xhudos të martën ka publikuar një shkrim për Distrinë, që në vitin 2021 do të hyjë si lidere e ranglistës botërore dhe olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë. Është kategoria ku ajo garon së fundi dhe ku kërkon lavdinë.
Xhudistja pejane është e bindur se do të qëndrojë gjatë në pozitën e parë të ranglistës botërore. Është po ashtu e vendosur që të fitojë medalje olimpike, që do të ishte kulmi i karrierës së saj. 25-vjeçarja këtë vit ka fituar tri medalje në aq gara. Ishte e artë në Grand Slamin e Parisit në muajin shkurt. Prej shkurtit gara elitare nuk u mbajtën deri në tetor. Ajo u kthye fuqishëm me të artën në Grand Slamin e Hungarisë, më 23 tetor. Më 19 nëntor fitoi medaljen e bronztë evropiane.
Krasniqi udhëheq në ranglistën botërore me 7115 pikë, që fitohen në bazë të suksesit nëpër gara. Është para Daria Bilodidit, yllit ukrainas të xhudos. Japonezja Funa Tonaki është e treta. Janë këto xhudiste që do të luftojnë për medalje olimpike në Lojërat e shtyra të Tokios.
“Është hera e parë që jam e para në fund të vitit në ranglistën botërore. Disa vjet kam përfunduar e dyta dhe e treta në ranglistë, por tani jam e para. Është një ndjenjë shumë e mirë. Po më shpaguhet mundi që e kam bërë gjatë karrierës. Po ashtu, është një motivim për mua dhe më ka dhënë më shumë vetëbesim për vitin që po vjen dhe për garat e ardhshme. Do të mundohem ta mbaj vendin e parë në ranglistë edhe më tutje”, ka theksuar Distria Krasniqi për KOHËN, të martën.
Menjëherë në janar, Distria do të kërkojë suksesin e radhës. Në Doha do të mbahet Mastersi, që mbledh xhudistët më të mirë nëpër kategori. Por synimet e Distrisë lidhen me garën që mbahet prej 24 deri më 31 korrik.
“Vetë fakti që jam e para në ranglistën botërore tregon që jam pretendente kryesore për medalje olimpike”, thotë Distria. Ajo nuk përmend xhudistë të tjera që i sheh rivale.
“Rivale nuk e shoh askënd, përveç vetes sime. Nëse unë jam mirë atë ditë mentalisht, pasi fizikisht mendoj se do të jem në top-formë, atëherë do të shkojë çdo gjë mirë. Pra, unë do të luftoj me veten që të përmirësohem çdo ditë deri në ditën e garës në Tokio”, ka shtuar Krasniqi.
Tokion nuk e largon nga mendja. I shërben për të motivuar veten pas stërvitjeve të vështira. Xhudistet e trajnerit Driton Kuka nuk kanë asnjëherë pushim. Nuk e ndalin rutinën e stërvitjes nga dy e tri herë në ditë. Afrimi i Lojërave Olimpike rrit kërkesat e trajnerit Kuka, por edhe motivin te vetë xhudistet.
“Garat në Tokio i mendoj çdo ditë. Sidomos në disa ditë kur jam shumë e lodhur për stërvitje, e motivoj veten duke menduar për Tokio. Kështu më vijnë vullneti dhe forca. Garat e tjera deri në Tokio i shoh si mësim dhe rrugë që duhet të kalohet deri në Olimpiadë”, thotë Distria Krasniqi.