Mesfushori i Kosovës, Anel Rashkaj pranon se grupi kualifikues për Botërorin 2022 nuk është i lehtë. Kosova do të luaj me Spanjën, Suedinë, Greqinë e Gjeorgjinë.
Ish-kapiteni Rashkaj, që ka pasur hapësirë të konsiderueshme në ndeshjet e fundit, shpreson që ndeshja me Suedinë të luhet me shikues në stadium. Rashkaj ka luajtur gjatë në Suedi dhe e njeh shumë mirë përfaqësuesen e këtij vendi.
“Nuk ka grup të lehtë në këto kualifikime. Spanja dihet që ka ekip kualitativ. Suedia është shumë stabile, ndërsa Greqinë dhe Gjeorgjinë i njohim mirë nga Liga C e Ligës së Kombeve. Shpresoj që me Suedinë në Suedi të luajmë me shikues. Tifozët tanë do ta mbushnin stadiumin, sepse është një numër i madh që jetojnë në Skandinavi”, ka thënë Rashkaj për KOHËN.
“Suedia e ka një gjeneratë të re, me shumë talente dhe shumë potencial. Por a do të jenë ata të gatshëm që menjëherë ta dërgojnë Suedinë përpara, mbetet të shihet. Sa i takon gjasave tona, është shumë vështirë të parashikohet. Ka kohë deri te ndeshjet. Kemi parë se si ndikuan gjërat këtë vit për ne. Por mos të harrojmë që e kemi mposhtur Çekinë. Nëse e arrijmë atë ritëm të vitit 2019 dhe jemi sa më komplet, atëherë kemi cilësi të mposhtim shumë ekipe”, ka theksuar Rashkaj.