Sport

Rikthimi i fuqishëm i Lis Shoshit

Lis Shoshi pranon se ende nuk është në formën më të mirë fizike, pas mungesës së gjatë për shkaqe shëndetësore. Por edhe pse nuk është në nivelin fizik që e synon, reprezentuesi i Kosovës në basketboll ka shkëlqyer në paraqitjet e deritashme.

Ai ka luajtur dy ndeshje deri më tani për Pejën dhe është shquar menjëherë. Federata e Basketbollit e Kosovës e ka shpallur shtatlartin nga Peja lojtarin më të vlefshëm të xhiros së 26-të, që u zhvillua fundjavën e kaluar.

Peja fitoi ndaj Trepçës me shifrat 84:76, ndërsa shifrat e Shoshit ishin shumë të mira. Ai luajti afro 30 minuta, ndërsa realizoi 23 pikë. Kishte edhe nëntë kërcime e një asistim. Qëlloi pesë tentimet për tri pikë e po ashtu dy gjuajtjet e lira.

Ndaj Bashkimit, Shoshi nuk ishte aktivizuar fare, ndërsa ndaj Ponte Prizrenit po ashtu kishte paraqitje të mirë. Peja kishte humbur 115:97, kurse 26-vjeçari për 26 minuta realizoi 25 pikë e dhjetë kërcime. Po ashtu, kishte realizuar tri tentime për tri pikë e gjashtë tentime për një pikë.

Deri në fund të edicionit të rregullt kanë mbetur edhe dy xhiro.

Shoshi ishte lënduar në korrik të vitit 2019, derisa ishte i grumbulluar me Kosovën. Prej atëherë u është nënshtruar dy operimeve dhe ka pasur dy faza të vështira rikuperimi. Më në fund është kthyer në parket.

“Kthimi ka qenë shumë i mirë, duke marrë parasysh se sa e vështirë ka qenë në këta 18 muaj, me dy rehabilitime të mundimshme. Por nuk jam ngutur dhe deri sa jam ndier i sigurt nuk kam vendosur të luaj, ndonëse me stërvitje kam filluar dy muaj më parë”, ka thënë Shoshi për KOHËN.

Lëndimi i kishte pamundësuar Shoshit transferimin në Bundesligën gjermane, ndonëse kishte marrëveshje me një skuadër të njohur. Ai më herët ka luajtur në Lituani e Izrael e po ashtu te Sigal Prishtina. Si i ri ishte larguar nga Peja për t’u zhvilluar në SHBA. Nga SHBA-ja u kthye si një prej basketbollistëve kryesorë të Kosovës. Ai sërish pritet të jetë i rëndësishëm për Kosovën. Por i duhet ende kohë për të arritur në nivelin më të lartë.

“Nuk e di edhe sa kohë më duhet, është vështirë të parashikohet. Por ende nuk jam afër formës fizike që kërkohet për basketboll fitues. Shpresoj që gjatë fazës së plejofit do të jem në formën që mund ta ndihmoj ekipin për sukses”, ka shtuar Shoshi.

Basketbollisti i gjatë 211 centimetra, vlerëson qasjen që Peja ka pasur ndaj tij.

“Peja më ka ndihmuar. E ka kuptuar situatën në të cilën ndodhem dhe për atë arsye më ka pritur deri në momentin kur unë jam ndier i gatshëm për të luajtur. Liga asnjëherë nuk ka qenë më e barabartë dhe këtë e tregojnë rezultatet. Në çdo javë secili ekip është në gjendje të mposhtë secilin”.

Peja aktualisht është e katërta dhe nga kjo pozitë pritet të startojë në plejof. Në përbërje e ka edhe kapitenin dhe liderin e Kosovës, Dardan Berishën. Po ashtu, ka të huaj cilësorë dhe vlerësohet prej skuadrave pretenduese për titull. Por rezultatet i kanë munguar deri më tani.

“Si ekip kemi pasur shumë probleme me lëndime. Ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve ka ndikuar, po ashtu, ndërsa trajneri i fundit është infektuar me koronavirus vetëm pas tri stërvitjeve. Kemi qenë pa trajner për dy javë, përkatësisht tri ndeshje. Duket se kemi kualitet të shkojmë larg në plejof, por tani për tani synimi është që në këto dy javë para plejofit të përgatitemi sa më mirë fizikisht dhe të komponohemi si ekip që të jemi gati për intensitetin e ndeshjeve të plejofit”, ka thënë Shoshi.