Sport

Rusi Petrov për KOHËN: I lumtur që ia solla titullin evropian Shqipërisë, synoj Olimpiadën

I gëzuar për suksesin historik dhe i entuziazmuar për të ardhmen, gjimnasti rus Matvei Petrov ka folur të hënën mbrëma për KOHËN, një ditë pasi fitoi medalje historike për Shqipërinë.

Petrov fitoi medaljen e artë në Kampionatin evropian të gjimnastikës artistike, që u mbajt në Mersin të Turqisë. Ai është kampion evropian në veglën gjimnastikore, kali me doreza.

“Jam shumë, shumë i lumtur për këtë medalje. Kam ëndërruar për një sukses të tillë. Është medalja ime e parë si senior në kampionate evropiane. Dhe është e artë”, ka thënë Matvei Petrov për KOHËN.

“Kam pasur rutinë të vështirë, por për fat ka shkuar mirë. Kam punuar shumë për këtë garë dhe mundi është shpaguar”, ka shtuar Petrov.

Reprezentuesi i Shqipërisë mori vlerësim më të mirë se Filip Ude i Kroacisë dhe Ferhat Arican i Turqisë. E kishte shkallën më të lartë të vështirësisë në ushtrimin e tij.

30-vjeçari tani synon edhe më shumë si garues i Shqipërisë. Ai ka një ëndërr tjetër – të sigurojë paraqitjen në Lojërat Olimpike. Këtë ëndërr nuk e kishte realizuar me Rusinë. Dhe për këtë arsye për një kohë ishte tërhequr plotësisht nga gjimnastika, ndonëse ishte gjimnast i nivelit të lartë.

Ai ishte tri herë kampion i Rusisë, ndërsa dështoi të përfshihej në ekip për lojërat olimpike “Rio 2016”. Pushoi tre vjet nga gjimnastika. Ndërkohë u vendos në Pragë dhe nisi punën si trajner. Pronar i sallës ku ai punon si trajner është një shqiptar, Alon Hasa. Këtu edhe u krijua lidhja e tij me Shqipërinë.

“Për mua si njeri, si garues, është e arritur e jashtëzakonshme. Unë jetoj në Pragë dhe punoj në një palestër. Një mbrëmje pronari i palestrës, që është shqiptar, më tha se jam ende i ri, se jam në formë të mirë dhe pse nuk e provojmë që të garoj për Shqipërinë. Unë i thashë: në rregull, por se jam pak i vjetër për gjimnastikë. Por filluam dhe ja tani kemi medaljen evropiane, medaljen më të madhe në karrierën time. Tani po shikoj para drejt dy olimpiadave, asaj në Tokio dhe asaj në Paris. Shpresoj të kualifikohem. Për Tokio është më vështirë, por gjasa ka. Të shohim”, ka thënë Petrov. Duke qeshur, ka thënë se në Rusi ndoshta janë penduar që nuk ia kanë dhënë vendin në ekip për Lojërat Olimpike.

“Për Shqipërinë garova edhe në disa gara të tjera, por nuk isha aq i suksesshëm. Ndërkohë për Rusinë nuk isha aq i mirë sa të përfshihem në ekip për Lojërat Olimpike të kaluara. Pasi nuk udhëtova për në Rio, për tre vjet kam ndalur plotësisht gjimnastikën. Në Rusi nuk më kanë bërë ndonjë pengesë që të garoj për Shqipërinë. Përkundrazi, më kanë përkrahur shumë. Janë të lumtur për suksesin që kam arritur”, ka thënë Matvei Petrov.

Ai për trajner e ka Alon Hasën, një ish-gjimnast të suksesshëm dhe kampion në Shqipëri dhe Çeki. Haso ka kohë që mban një klub të gjimnastikës në Pragë, ku Matvei Petrov punon me fëmijë, që po ashtu janë kampionë të Çekisë.

“Është një sukses i jashtëzakonshëm, medalja e parë për gjimnastikën shqiptare dhe prej medaljeve të rralla të Shqipërisë. Është fantastike të dëgjosh himnin në një kampionat evropian. Është satisfaksion që një garues rus e bëri të mundur këtë. Matvei erdhi katër vjet më parë në klubin tim dhe unë i thashë që pasi është 26-vjeçar, të garojë për Shqipërinë. Tani kemi bërë një ëndërr realitet”, ka thënë Hasa.

Ai ka thënë se deri më tani nuk kanë pasur përkrahje nga shteti i Shqipërisë, por shpreson se kjo do të ndryshojë. Thotë se Federata s’ka pasur buxhet dhe se të gjitha i kanë paguar vetë. Sipas Hasës, janë shpenzuar mbi 25 mijë euro në tre vjetët e fundit.

“Shpresojmë që tani të na ndihmojë Qeveria. Kemi shpresa për Tokio e për Paris, ndërsa për Botëror është favoriti kryesor. Ai është një punëtor i madh dhe po ashtu një garues e një trajner i shkëlqyer. Ne bashkëpunojmë shumë mirë dhe presim suksese të tjera. Shpresoj që ky moment historik të japë kurajë për zhvillimin e gjimnastikës në Shqipëri”, ka shtuar Alon Hasa.