Kampioni i Ukrainës, Shakhtar Donetsku ka ndërruar lokacionin se ku do të luajë si vendas në Ligën e Kampionëve për edicionin 2023/24. Klubi ukrainas ka bërë të ditur të premten se duelet e fazës së grupeve të Championsit si vendës do t’i zhvillojë në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut në Gjermani. Shakhtar nuk ka qenë në gjendje të luajë në stadiumin e tij “Donbass Arena” në lindje të Ukrainës që nga viti 2014. Edicionin e kaluar, skuadra i luajti ndeshjet evropiane në Varshavë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Klubi tha se gjatë kësaj vere “disa opsione janë shqyrtuar” përpara se “ne të vendosim që ndeshjet e Championsit si vendas ti presim në Hamburg”. Te Shakhari besojnë se pasi janë dakorduar me UEFA-n për këtë zgjedhje të stadiumit, në Hamburg ka të ngjarë të tërheqin mbështetjen e ukrainasve që janë zhvendosur gjatë luftës dhe që jetojnë në Gjermani dhe vende të tjera.
“Ne jemi të sigurt se ndeshjet në ‘Volksparkstadion’ do të luhen në nivelin më të lartë dhe do të mbledhin në tribuna tifozë vendas të futbollit dhe mijëra ukrainas që aktualisht jetojnë përkohësisht në Gjermani dhe vende të tjera evropiane”, ka thënë klubi ukrainas në komunikatën e lëshuar.
Shakhtari edicionin e shkuar, e priti Real Madridin, Leipzigun dhe Celticun në Varshavë, ku mesatarisht në tribuna ishin më shumë se 25.000 shikues për çdo ndeshje. “Volksparkstadion” është stadiumi i skuadrës së Hamburgut, që prej vitit 2018 luan në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Anëtari i bordit të Hamburgut, Eric Huwer, pranoi “rrethanat e vështira” me të cilat përballet klubi ukrainas në organizimin e ndeshjeve të këtij edicioni në Champions. Megjithatë, ai tha se te klubi gjerman aspak nuk hezituan për t’ia ofruar stadiumin dhe për t’i ndalë në ndihmë me gjithçka që i duhet Shakhtarit.
“Krahas stadiumit, ne mund t'i ofrojmë Shakhtarit njohuritë dhe përvojën e nevojshme për Ligën e Kampionëve dhe organizimin e ndeshjeve. Jemi të gatshëm dhe të hapur për këtë”, u shpreh ai.
Stadiumi “Volksparkstadion” ka një kapacitet prej 57,000 ulësesh, i cili është reduktuar në 51,500 ulëse për ndeshjet evropiane. Në këtë stadium, do të zhvillohen edhe ndeshjet e Kampionatit Evropian, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani. Hamburgu është një prej vetëm tri skuadrat gjermane që kanë fituar Ligën e Kampionëve dhe klubi ka luajtur për herë të fundit në këtë garë në edicionin 2006/07. Po ashtu, skuadra e Hamburgut në muajin maj të vitit të shkuar, e organizoi një ndeshje bamirëse për Ukrainën në stadiumin “Volksparkstadion”, e cila mblodhi mbi 200,000 euro. Shorti për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, do të tërhiqet më datën 31 gusht.