Sport

Sulmuesi i Stuttgartit ka tejkaluar Kanen dhe ka elektrizuar Bundesligën me gola

Harrojeni anglezin Harry Kane. Sulmuesi bindshëm më efikas në Bundesligë për momentin është Serhou Guirassy i skuadrës së Stuttgartit. Sulmuesi i Përfaqësueses së Guinesë realizoi “hat-trick” në fitoren 3:1 të Stuttgartit në Wolfsburg të shtunën e shkuar, duke e çuar numrin e golave në 13 në vetëm shtatë ndeshje në ligën gjermane. Guirassy gjithashtu eliminoi çdo shqetësim për formën e tij pasi nuk arriti të shënonte në ndeshjen e mëparshme.

Asnjë lojtar tjetër nuk ka shënuar kaq shumë gola në këtë fazë të garës.

“Është start i mirë dhe të shënosh në Bundesligë nuk është lehtë për shkak se kanë luajtur dhe luajnë shumë lojtarë të mirë. Njëri prej tyre është edhe Robert Lewandowski që ka lënë gjurmë”, tha Guirassy. “Jam i kënaqur me këtë bilanc, por kjo nuk do të thotë asgjë për mua sepse, siç them unë, shkoj ndeshje pas ndeshjeje. Ne duam të fitojmë ndeshje prandaj duhet të luftojmë dhe të shënojmë. Sigurisht, është e vështirë. Çdo ndeshje e Bundesligës është e vështirë”.

Forma e mirë e Guirassyt ka ndihmuar Stuttgartin të bëjë një fillim pozitiv të sezonit me vetëm një humbje dhe gjashtë fitore në shtatë ndeshjet e para. Stuttgarti gjithashtu fitoi ndeshjen hapëse të Kupës së Gjermanisë kundër klubit të divizionit të katërt TSG Balingen.

Guirassy shënoi edhe në atë ndeshje.

Kane, i cili iu bashkua Bayern Munichut për një shumë rekorde të Bundesligës prej 100 milionë eurosh në afatin kalimtar të verës, ka tetë gola në kampionat deri më tani, tre prej tyre nga penalltia.

Stuttgartit iu desh të angazhohej shumë për të mposhtur Wolfsburgun pasi ishte në disavantazh pas pjesës së parë. Guirassy barazoi nga penalltia, përpara se t’ia sigurojë fitoren skuadrës me dy golat e tjerë. Golin e dytë ai e shënoi në minutën e 78-të dhe e kompletoi “hat-trickun” pesë minuta më vonë.

Guirassy e mori topin pas ndeshjes dhe tha se do t'i detyronte shokët të nënshkruanin në të përpara se ta dërgonte në shtëpi.

“Duhet të luftojmë në secilën ndeshje sikurse luftuam ndaj Wolfsrbugut. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë gjëra të mëdha këtë sezon”, tha sulmuesi 27-vjeçar.

Forma e Stuttgartit këtë edicion është edhe më e jashtëzakonshme marrë për bazë që skuadra po luftonte për t’i shpëtuar rënies nga Bundesliga kur trajneri Sebastian Hoeness mori drejtimin në muajin prill. Vetëm një humbje në tetë ndeshjet e fundit të edicionit të kaluar ishte bilanci që ia siguroi Stuttgartit vendin në plejaut, ku skuadra arriti mbijetesën me fitoret ndaj Hamburgut.

“Serhou është sigurisht figura e suksesit për momentin”, pranoi Hoeness. “Por, ka të tjerë që kanë kontribuar ndjeshëm në këtë sukses, brenda dhe jashtë fushës”.

Chris Fuehrich është njëri prej tyre. Mesfushori 25-vjeçar shënoi dy gola dhe asistoi në pesë të tjerë për t’u shpërblyer me ftesën e tij të parë te Gjermania javën e kaluar. Fuehrich është pjesë e përfaqësueses gjermane që do të luajë me SHBA-në të shtunën në Connecticut dhe me Meksikën në Filadelfia katër ditë më vonë.

Guirassy, i cili ka lindur në Francë, dhe ka prindër nga Guineja, tashmë ka shënuar më shumë gola në ligë se edicionin e kaluar apo çdo edicion më parë. Ai iu bashkua klubit francez Lille në vitin 2015 dhe kaloi gjysmën e dytë të atij edicioni në huazim tek ekipi i kategorisë së dytë Auxerre, ku shënoi tetë gola. Koelni e transferoi lojtarin në vitin 2016, por golat e tij nuk mund të pengonin rënien e ekipit nga Bundesliga në vitin 2018. Guirassy shënoi dy gola në divizionin e dytë të Gjermanisë përpara se të kthehej në Francë në janar të vitit 2019 për t'iu bashkuar Amiensit.

Guirassy më pas iu bashkua Rennesit në vitin 2020, duke shënuar golin e parë të skuadrës në Ligën e Kampionëve dhe duke përfunduar me 24 gola të realizuar në të gjitha garat përpara se t'i bashkohej Stuttgartit - fillimisht në formë huazimi - vitin e kaluar. Forma dhe golat e Guirassyt tashmë kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera, por trajneri Hoeness është i sigurt se fama nuk do të ketë ndonjë ndikim te lojtari.

“Ai është një djalë shumë i respektueshëm që i mban gjërat në perspektivë. Nuk ka asnjë rrezik që ai të ndikohet nga e gjithë kjo famë dhe vëmendje”, insistoi Hoeness.