Sport

Udhëtime të vështira për Besa Famgasin dhe Prishtinën

Pas një udhëtimi të gjatë dhe një pritjeje prej tri orësh në kufirin mes Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, skuadra pejane, Besa Famgas, ka arritur të premten paradite në Banjallukë. Udhëtimi i gjatë nuk e ka zbehur vendosmërinë e kampiones kosovare që të kalojë raundin e tretë të Kupës Evropiane në hendboll.

Besa Famgas, të shtunën nga ora 18:00, luan me Borcin e famshëm të Banjallukës në ndeshjen e kthimit. Ndeshja luhet në palestrën “Borik” në Banjallukë. Të shtunën e kaluar, Besa e fitoi me shifrat 24:22 ndeshjen e luajtur në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Fitorja me dy gola nuk vlerësohet “kapital” shumë i madh, por pejanët janë të vendosur për të mbrojtur atë triumf.

Në fundjavë, sfida ndërkombëtare ka edhe Prishtina, nënkampionia e Kosovës. Ajo i luan dy ndeshje në Athinë, ndaj AEK-ut. AEK-u vlerësohet favorit i madh. Skuadra e Prishtinës të premten ka arritur në Athinë.

Asnjë skuadër kosovare nuk ka kaluar me lojë dy kundërshtarë në gara evropiane në hendboll. Te Besa vlerësojnë se janë në moment të mirë për ta arritur këtë, përkatësisht për të shkruar histori sa u takon garave ndërkombëtare të hendbollit.

Pejanët janë të bindur se do të paraqiten dukshëm më mirë se në ndeshjen e parë, ku pati dobësi në lojën e tyre, fillimisht në mbrojtje e më pas edhe më shumë në fazën e sulmit. Me gjithë vështirësitë, Besa arriti fitore të madhe.

“Unë mendoj ashtu si kam menduar para ndeshjes së parë. Jemi dy ekipe të ngjashme. Tani është e mundur që rivali të jetë pak më shumë i favorizuar, pasi ka humbur me vetëm dy gola dallim në ndeshjen e parë dhe e luan ndeshjen e dytë në shtëpi. Por, ne kemi ardhur në Banjallukë për ta kërkuar kualifikimin dhe do të mundohemi të fitojmë. Mendoj se ndeshja e dytë do të jetë si e para. Do të fitojë ekipi që bën më pak gabime. Ne kemi pritje të mëdha dhe mendojmë se jemi në gjendje të fitojmë”, ka thënë trajneri spanjoll i Besa Famgas, Javier Cabanas.

Në raundin e dytë të Kupës Evropiane, Besa Famgas e eliminoi Bosna Visokon, duke e mposhtur thellë në dy ndeshjet në Pejë. Por, Borci vlerësohet nivel tjetër, ndonëse në mesjavë humbi ndeshjen në kuadër të kampionatit të Bosnjë-Hercegovinës.

“Është vërejtur në ndeshjen e parë se kemi cilësi të përafërt. Jam i bindur se trajneri i Besës do të ndryshojë diçka për lojën e kthimit, njëjtë si ne që kemi përgatitur disa variante të tjera në sulm dhe mbrojtje. Në ndeshjen e parë ia kemi arritur t’i ndalim disa prej lojtarëve të rëndësishëm të tyre, pres që nesër të jenë më të rrezikshëm. Pres që ndeshja të vendoset për një apo dy topa, ashtu si në Pejë. Ka shkëlqyer lojtari grek i Besës, do të provojmë ta bllokojmë hapësirën e tij në lojën një kundër një. Do të provojmë të bllokojmë edhe pivotin e tyre”, ka thënë trajneri i Borcit, Mirko Mikiq.

Prishtina është pajtuar që dy ndeshjet t’i luajë në Athinë, gjë që e bën autsajder ndaj AEK-ut. AEK-u këtë vit ka buxhet mbi një milion euro, ka angazhuar shumë lojtarë të huaj dhe vlerësohet favorit absolut. Ndërkohë, Prishtina ka angazhuar dy lojtarë të Kastriotit dhe një të Vëllaznimit. Por, është pa bekun kryesor, Deniz Terziqi, që klubi thotë se e ka suspenduar.

“AEK-u është ekip shumë i fortë. Ka në përbërje katër lojtarë të Spanjës, një kroat, një serb, një austriak, një brazilian dhe shumë lojtarë kualitativë vendorë. Ekipi ynë është me 100 për qind vendorë. AEK-u është favorit, por do të japim maksimumin”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi.

Prishtina, raundin e dytë të Kupës Evropiane e kaloi pa lojë. Dobrudja bullgare hoqi dorë nga ndeshjet për shkak të kufizimeve në udhëtim. Prishtina ka angazhuar Festim Mustafën dhe Arben Dugollin të Kastriotit dhe Arbër Currin e Vëllaznimit. Prishtina i luan ndeshjet të shtunën e të dielën nga ora 18:00.

Skuadrat kosovare ka 15 vjet që garojnë në kupa evropiane. Por, deri më tani nuk kanë pasur shumë sukses. Për hap tutje shpresohet në këtë fundjavë, ndonëse të dyja skuadrat kanë ndeshje të vështira.

Image

KH Prishtina