Sport

Zeka kujdeset për atmosferën te Nikli me këngë e gola

Mevlan Zeka ka përfituar maksimalisht nga mundësia e madhe që iu ofrua. Po ashtu mundësinë e shfrytëzoi për të ndihmuar shumë skuadrën e Feronikelit për të bërë hapin e madh para në skenën evropiane.

Sulmuesi ishte në bankën e rezervistëve në ndeshjen gjysmëfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve, që kampioni kosovar e luajti ndaj Lincoln Red Imps të Gjibraltarit, shkruan sot “Koha Ditore”. Rastin e fitoi në minutën e 74-t në vend të Mendurim Hotit të lënduar, e i cili kishte shënuar golin e vetëm në atë takim.

Në mungesë të Hotit, Zeka u aktivizua prej fillimit ndaj Santa Colomas, në finale të raundit paraeliminator. Feronikeli në fillim të pjesës së dytë mbeti me një lojtar më pak, ndërsa në minutën e 52-të skuadra andorase shënoi për epërsinë 1:0. Jo të gjithë besonin se Feronikeli ka forcë që me një lojtar më pak në fushë të përmbysë rezultatin. Por lojtarët kishin besimin e duhur.

Në minutën e 58-të, pas një krosimi të saktë të Përparim Islamit nga krahu i djathtë, Mevlan Zeka goditi bukur me volej dhe barazoi shifrat në 1:1. Në minutën e 87-të Kastriot Rexha shënoi për 2:1, dhe kështu Feronikeli kaloi në raundin e parë kualifikues.

Rexha shënoi golin e fitores, por goli i Zekës u vlerësua vendimtar në kthimin e madh të Feronikelit. Ai realizoi menjëherë pasi mysafirët kaluan në epërsi dhe kështu i mundësoi skuadrës që të kërkojë golin e fitores.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)