Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Asnjë garë e suksesshme për Kosovën në “Milano Cortina 2026”

Drin Kokaj

Kosova e ka përfunduar të mërkurën garimin në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”.

Skitarët e Kosovës janë paraqitur në katër gara të skijimit alpin. Dhe nuk e kanë përfunduar asnjërën prej tyre me sukses. Në të gjitha garat, skitarët e Kosovës dolën nga shtegu.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kiana Kryeziu garoi të mërkurën paradite në disiplinën e sllallomit. Dhe doli nga shtegu pasi kaloi portat e para. 

Lëshimin e parë me sukses e përfunduan 66 skitare. Ndërkohë 28 skitare nuk e përfunduan lëshimin e parë me sukses, përkatësisht dolën nga shtegu. Një tjetër u diskualifikua.

Për Kiana Kryeziun ishte gara e tretë në “Milano Cortina 2026”. Ajo doli nga shtegu edhe në disiplinën Super-G dhe po ashtu në disiplinën e sllallomit të madh.

Drin Kokaj ishte skitari i Kosovës që garoi në “Milano Cortina 2026”. Ai u paraqit vetëm në disiplinën e sllallomit, por pa shkuar deri në finish. Doli nga shtegu.

Kosova për herë të tretë ka garuar në Lojërat Olimpike Dimërore. Në vitin 2018, Albin Tahiri u paraqit në pesë disiplina të skijimit alpin. Në kombinim alpin e kishte vendin e 37-të, që ishte rezultati më i mirë i Tahirit në Pyeongchang të Koresë së Jugut.

Në “Pekini 2022”, pos Tahirit garoi edhe Kiana Kryeziu. Tahiri ishte paraqitur në katër gara dhe kishte një vend të 15-të në kombinim alpin, që po del të jetë rezultat i jashtëzakonshëm për Kosovën. Megjithatë atë garë e kishin përfunduar me sukses vetëm 17 skitarë.

Katër vjet më parë Kiana Kryeziu ishte e 49-ta në sllallom të madh. 

Dhe tani skitarët e Kosovës kthehen nga Italia pa i shkuar asnjë gare deri në fund.