Një pingpongist i ri ferizajas është diskualifikuar në një turne në Mal të Zi, pasi bëri figurën e shqiponjës derisa po festonte triumfin në finale.
Këtë e bëri të ditur të dielën mbrëma klubi i pingpongut “Gani Maloku”.
Kjo ndodhi në turneun “Podgorica Open”. Sipas njoftimit, vendimin për diskualifikim të Rejan Krasniqit e mori organizatori i turneut të hapur në kryeqendrën e Malit të Zi.
Në videon e publikuar nga ky klub, Rejani shihet duke festuar triumfin dhe duke bërë figurën e shqiponjës.
“Rejani fitoi finalen me meritë të plotë sportive ndaj lojtarit malazez, pikërisht lojtar i klubit organizator. Ndërsa pas përfundimit të ndeshjes ai festoi në mënyrë spontane, duke bërë me duar simbolin e shqiponjës në drejtim të familjarëve dhe ekipit të tij. Ky veprim nuk ishte provokim, nuk cenoi askënd dhe nuk ndikoi në rrjedhën sportive të garës, por u përdor padrejtësisht si arsye për një vendim ekstrem dhe të njëanshëm duke e ditur që nuk ekzistojnë standarde dhe rregulla të dyfishta”, shkruan në njoftim.
“Gani Maloku” ka njoftuar që për herë të katërt mori pjesë në turneun e hapur në Podgoricë.