Sporte të tjera

Chebbi, portieri tunizian që po e bën dallimin te Kastrioti

Wadi Chebbi

Në ndeshjet e hendbollit rrallë ndodh që shikuesit të thërrasin emrin e një lojtari të caktuar.  Këtë privilegj të enjten mbrëma e kishte portieri i Kastriotit të Ferizajt, Wadi Chebbi. 

29-vjeçari nga Tunizia po shkëlqen te skuadra ferizajase. U shpall më i miri i turneut final të Kupës së Kosovës. Kastrioti e fitoi Kupën, ndërsa të enjten u kualifikua në finale të plejofit. Fitoi 2:1 në ndeshje në serinë gjysmëfinale të plejofit ndaj Besa Famgasit. 

Chebbi i kishte plot 19 pritje në fitoren 31:27 të Kastriotit. Në palestrën “Bill Clinton” ishin afro 2000 shikues, të cilën të paktën në dy raste thirrën “Chebbi, Chebbi”. Është kjo dëshmi e paraqitjes impresive të portierit, që po e bën dallimin aktualisht te Kastrioti.

“Po mundohem të jap më të mirën. Hendbolli nuk është sport individual. Nuk mund të bëj asgjë i vetëm. Kështu që po e shfaq këtë formë pasi kam bashkëlojtarë të mirë. I falënderoj ata, stafin teknik, stafin mjekësor dhe drejtuesit e klubit”, ka thënë Chebbi të premten për KOHËN.

Kastrioti e kishte fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale, por ishte mposhtur në Pejë në ndeshjen e dytë. Kështu që ndeshja e së enjtes ishte vendimtare. Të tri ndeshjet ishin shumë të forta.

Tani në finale të plejofit, Kastrioti luan me kampionin në fuqi, Rahovecin. Ndeshja e parë është të dielën në Rahovec.

“Jam i gatshëm dhe shumë i entuziazmuar për finalen. Duam të fitojmë kampionatin, por duhet të shkojmë hap pas hapi. Duhet të fokusohemi te ndeshja e së dielës në Rahovec. Synojmë fitore që ndeshjen e dytë dhe të fundit ta luajmë para tifozëve tanë në palestrën ‘Bill Clinton’”, ka theksuar portieri nga Tunizia.

Në të vërtetë në vitet e fundit shumë hendbollistë nga Tunizia janë bashkuar me klubet kosovare. Thuajse të gjithë kanë kontribuar në skuadrat ku kanë luajtur, por asnjëri nuk kishte ndikimin që Chebbi e ka momentalisht te Kastrioti. Yassine Henahen është lojtari tjetër nga Tunizia që paraqitet për Kastriotin. Ai luajti me shumë sukses edhe te Trepça. Henahen të enjten ishte lojtari më efikas i ferizajasve me nëntë gola.

Chebbi thotë se me Rahovecin njihen shumë mirë. Ai thekson se detajet do t’i vendosin ndeshjet finale. Rahoveci është kampion në fuqi dhe ishte i pari në stinorin e rregullt. Në gjysmëfinale e eliminoi Prishtinë pas dy ndeshjeve. 

Tuniziani Chebbi është i kënaqur në Ferizaj. Thotë se njerëzit janë të afërt, ndërsa falë bashkëlojtarëve po ndihet si në shtëpi.

Chebbi thuajse gjithë karrierën e ka kaluar te klubi nga vendlindja Hammamet. Ka luajtur për të rinjtë e Tunizisë, ndërsa për dy edicione para transferimit te Kastrioti ishte në Algjeri. Ka pasur suksese të ndryshme në klubet e mëparshme afrikane, ndërsa për herë të parë po testohet në hendbollin evropian.

Kastrioti në fillim të vitit ishte pranë shpërbërjes. Por ferizajasit u konsoliduan dhe tani po e kërkojnë trofeun e dytë të edicionit.

Merita jo të vogla për suksesin ka edhe Chebbi. Thirrjet që u dëgjuan të enjten nga tifozët janë dëshmi për këtë.

“Jam ndier shumë mirë”, ka thënë portieri për tifozët që thërrisnin emrin e tij. “Më ka dhënë shumë energji. Në Kupë dhe në ndeshjet e fundit atmosfera ishte shumë e mirë. Kur ka tifozë në palestër lojtarët janë më të përkushtuar për të dhënë më të mirën e mundshme. Unë po mundohem të jap më të mirën për klubin dhe qytetin. I falënderoj të gjithë tifozët që vijnë në palestër dhe i ftoj që të jenë sërish. Ne kemi nevojë për ta në finale”, ka thënë Wadi Chebbi.

Ai shpreson të vazhdojë me paraqitje të mira dhe ta ndihmojë Kastriotin ta fitojë titullin pas një kohe të gjatë. Dhe, natyrisht, të sigurojë përkrahjen e shikuesve ferizajas.