Sporte të tjera

Colturi me tjetër rezultat të rëndësishëm për Shqipërinë

Lara Colturi

Lara Colturi e ka mbyllur në mënyrë pozitive vitin 2025.

19-vjeçarja nga Torino, e cila garon për Shqipërinë, përfundoi në shkallën e tretë të podiumit të dielën, pas garës së Kupës së Botës në skijim alpin. Në radhë ishte gara në sllallom, në Semmering të Austrisë.

Garën e rëndësishme, Colturi e përfundoi 57 të qindtat pas fitueses, amerikanes Mikaela Shiffrin, e cila e përfundoi garën me kohë prej një minutë, 48 sekonda e 82 të qindtat.

Nëntë të qindtat pas amerikanes mbeti skitarja nga Zvicra, Camille Rast, që u rendit e dyta.

“Duke e mbyllur vitin 2025 me stil. E gëzuar për podiumin tim të katërt të sezonit!”, shkruan Colturi në rrjetet sociale.

Ngjitja në podium e Lara Colturit të dielën ishte e katërta në këtë edicion të Kupës së Botës në Skijim Alpin.

Ajo u mposht vetëm nga Camille Rast dhe Mikaela Shiffrin që është sensacionale.

Lara zuri vendin e dytë në lëshimin e parë dhe bëri garë shumë të mirë edhe në lëshimin e dytë, dukë zënë vendin e tretë në renditjen e përgjithshme.

Pas zhgënjimit në dy garat e kaluara, 19-vjeçarja është rikthyer mes më të mirave, duke grumbulluar pikë të rëndësishme në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Skijim Alpin.

Në shkrimin e Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë, ceket që Colturi po i afrohet gjithnjë e më shumë vendit të parë.

“Colturi është gjithashtu një garuese në rritje. Ajo mund të jetë ende duke kërkuar fitoren e parë të Shqipërisë në Kupën e Botës. Ky ishte podiumi i shtatë i saj dhe i katërti në pesë gara të këtij edicioni, por po i afrohet gjithnjë e më shumë vendit të parë”, shkruan FIS.

Në ditën kur Shiffrin shënoi fitoren e 69-të në sllallom, Colturi bëri lëshimin e saj të 67-të në Kupën e Botës.

“Në garat e fundit kam bërë shumë më tepër dhe thjesht po përpiqesha të arrija limitin tim. Por ishte e pamundur të fitoja, thjesht u përpoqa të bëja më të mirën time”, tha skitarja e Shqipërisë.

“Bora ishte pak më e mirë në lëshimin e dytë, kështu që vendosa të shkoja më shpejt dhe të bëja siç po bëj në stërvitje. Por lëshimi i dytë ishte shumë më i vështirë. Është e mrekullueshme të përfundo vitin me një tjetër podium dhe tani do të bëj disa gara tjera me të njëjtën mendësi. Po i afrohem rezultatit në çdo garë, ndihem shumë mirë në stërvitje. Jam shumë e shpejtë, me një mendësi dhe fuqi të mirë”.

Ajo ka një model prej të cilës mund të mësoi – fituesen e garës.

“Ajo është vërtet e mrekullueshme”, tha Colturi për Shiffrinin.

“Po përpiqem të kopjoj gjithçka nga ajo. Që kur isha pesëvjeçare kam provuar, kështu që jam mësuar duke e shikuar atë”.

Programi i Kupës së Botës përfshin tre sllallome të tjera në janar përpara Lojërave Olimpike Dimërore në Milano-Cortina, dhe më pas dy në mars.