Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Federata kosovare e ragbit me deklaratë zyrtare pas humbjes 101:0 nga Mali i Zi

Ragbi

Pamje nga ndeshja Mali i Zi - Kosova

Ka bërë bujë rezultati i një ndeshjeje të luajtur të shtunën në Ulqin. Përfaqësuesja e Kosovës në ragbi pësoi 101:0 nga përfaqësuesja e Malit të Zi.

Të hënën me deklaratë zyrtare lidhur me këtë rezultat doli Federata e Ragbit e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas deklaratës, “rezultati nuk  është ai që synohej dhe nuk reflekton ambiciet e federatës”.

“Është e rëndësishme të kuptohet se ragbi ka një dinamikë shumë të ndryshme nga sportet e tjera. Rezultate me diferencë të madhe janë pjesë normale e këtij sporti, veçanërisht për vendet në zhvillim dhe ndodhin edhe në nivelet më të larta, përfshirë Kupën e Botës në Ragbi. Për shembull, në fundjavë, Skocia (ekipi i femrave, XV), humbi nga Franca 103:0. Skocia është një nga federatat më të vjetra të ragbit dhe ky rezultat erdhi në ‘Women’s Six Nations’ – niveli më i lartë i garave ndërkombëtare në Evropë”, shkruan në deklaratën e federatës kosovare.

Në fakt bëhet fjalë për Skocinë U21 që humbi 113:0 nga Franca U21. Në garën në të cilën Kosova e pësoi humbje e thellë, nuk është asnjë rezultat tjetër aq i thellë. 

Në Federatën e Ragbit të Kosovës thonë se i kanë më pak se dhjetë ndeshje ndërkombëtare dhe janë ende në fazë zhvillimi.

Ragbi si sport është fare pak i zhvilluar në vend. 

“Fokusi ynë mbetet ndërtimi i ekipit, integrimi i lojtarëve të rinj dhe krijimi i një strukture të qëndrueshme. Në këtë ndeshje ekipi ynë përbëhej nga shumë lojtarë të rinj, në hapat e parë në këtë sport, ndërsa u përballëm edhe me mungesa për shkak të lëndimeve. Pavarësisht kësaj, përkushtimi dhe krenaria për të përfaqësuar Kosovën nuk munguan”.

Sipas federatës, edhe organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare në Kosovë duhet të marr vëmendje sa edhe rezultatet negative.

Në federatën e ragbit janë të vetëdijshëm se zhvillimi i këtij sporti në Kosovë kërkon kohë, përkushtim dhe mbështetje.

Federata ka lënë të kuptohet se do të shqyrtojë pjesëmarrjen në ngjarjet e ardhshme me formatin XV, në të cilin erdhi humbja e rëndë.

“Sa i përket të ardhmes së ndeshjeve në formatin XV, bordi i federatës do të marrë vendimet e nevojshme strategjike, duke vazhduar fokusin në zhvillim dhe përmirësim të performancës. Humbjet janë pjesë e sportit, veçanërisht për vendet në zhvillim. Ajo që nuk duhet të jetë pjesë e sportit është negativiteti i panevojshëm dhe mungesa e mbështetjes”, shkruan në deklaratë.