Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë shtunën e të dielën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj zhvillohet turneu final i Kupës së Kosovës në hendboll.
Të shtunën janë gjysmëfinalet, ndërsa vëmendja do të jetë te ndeshja e fundit, mes Rahovecit e Kastriotit, që vlerësohet finale para finales.
Rahoveci është kampion në fuqi, ndërsa Kastrioti i Ferizajt është fitues në fuqi i Kupës. Ferizajasit e kanë fituar Kupën në dy vjetët e kaluar, ndërsa synojnë tjetër trofe. Ndërkohë Rahoveci ka fituar dy titujt e fundit të kampionit, por është në pritje të Kupës së parë të Kosovës në hendboll.
Ndeshja mes Rahovecit dhe Kastriotit zhvillohet nga ora 20:00. Kastrioti pret përkrahje të madhe nga shikuesit.
“Do të jetë ndeshje e fortë. Është ndeshje me vlerë të madhe, për vend në finale të Kupës. Do të japim atomin e fundit që ta realizojmë objektivin që kemi – të hyjmë në finale e më pas ta fitojmë atë. Kemi kundërshtar të fortë, por besoj te grupi i lojtarëve”, ka thënë Jeton Bislimi, hendbollist me përvojë i Kastriotit.
Skuadra ferizajase e përfundoi stinorin e rregullt të Superligës në pozitën e parë. Do ta kërkojë titullin e kampionit, por fillimisht gjithë fokusin e ka te gara për Kupë.
“Me ndihmën e shikuesve, që do të jenë në numër të madh, besoj se do të hyjmë në finale dhe do ta mbajmë trofeun e Kupës së Kosovës në qytetin e hendbollit”, ka shtuar Bislimi.
“Vreshtarët” udhëtojnë në Ferizaj me synim për të shkruar histori, përkatësisht për ta fituar Kupën për herë të parë. Rahoveci është në momentin më të mirë si klub, por në dy edicionet e kaluara kupa i “rrëshqiti” nga dora.
“Kupa është i vetmi trofe që na mungon. Rrjedhimisht jemi të motivuar dhe të vendosur që ta sjellim edhe këtë trofe në Rahovec. E dimë që na presin përballje të vështira, por kam besim në kualitetin e ekipit”, ka thënë portieri i Rahovecit, Arti Luzha. “Për momentin jemi duke kaluar formë të lartë dhe për këtë arsye besojmë se këtë vit do të arrijmë ta sjellim Kupën e Kosovës në Rahovec”.
Në gjysmëfinalen tjetër takohen Besa Famgas dhe Prishtina. Skuadra pejane, Besa, është favorite e madhe në takimin që fillon në ora 16:00.
Te hendbollistet, në gjysmëfinalen e parë përballen Istogu e Shqiponja. Kjo ndeshje fillon në ora 14:00. Nga ora 18:00 takohen Samadrexha e Ferizaj.
Të dielën janë finalet. Nga ora 17:15 është finalja e hendbollisteve, ndërsa nga 20:15 ajo e hendbollistëve.