Sporte të tjera

Kinezja 12-vjeçare shkruan histori, bëhet më e reja me medalje në kampionate botërore

Yu Zidi

Kinezja 12-vjeçare, Yu Zidi, është bërë notarja më e re në histori që ka fituar medalje në Kampionatin Botëror. Ekipi i notareve të Kinës e fitoi medaljen e bronztë në stafetën 4x200 metra në stil të lirë.

Supertalentja e notit mungoi në finalen e së enjtes. Por ishte pjesë e stafetës në garën kualifikuese, kështu që është fituese e medaljes botërore.

Kina përfundoi e treta në finalen në Singapor, pas SHBA-së dhe Australisë.

Ajo është medalistja më e re në një ngjarje të madhe ndërkombëtare qëkur Inge Sorensen e Danimarkës fitoi medalje të bronztë në 200 metra në stil bretkosë në Lojërat Olimpike të vitit 1936. Sorensen kishte fituar medaljen olimpike një muaj pasi mbushi 12 vjet.

“Është emocionale, është ndjenjë e mirë”, ka thënë Yu Zidi.

Ajo bëhet 13-vjeçare në tetor, ndërsa ende është në shkollën fillore. Yu Zidi iu afrua medaljes botërore në garat individuale po ashtu. Garoi në finale në 200 metra në stilin delfin, por u rendit vetëm e katërta. Koha e saj ishte 2 minuta, 6 sekonda e 43 të qindtat. Australiania Elizabeth Dekkers fitoi të bronztën me kohë prej 2 minuta, 6 sekonda dhe 12 të qindtat.

Të hënën në finalen në 200 metra në stile të përziera, Yu Zidi mbeti pa medalje për vetëm gjashtë të qindtat. Edhe në atë garë përfundoi e katërta.

Ajo po vlerësohet “sensacioni” i ri i notit.

Por pjesëmarrja e Yus në Botërorin e notit ka ndarë opinionin.  Garuesit duhet të jenë të paktën 14-vjeçar për të garuar në Botëror. Asaj iu lejua pjesëmarrja pasi arriti normat A të pjesëmarrjes në Botëror. 

Ndonëse niveli i kinezes nuk vihet në diskutim, jo të gjithë janë të bindur se ajo duhet të lejohet të garojë në skenën globale.

Kampionia e katërfishtë e botës, Karen Pickering, ka bërë pyetje se për sa vjet një 12-vjeçare është dashur të ushtrojë fort për të arritur këtë nivel. 

“Ne i shohim gjimnastët që shtyhen në limite në moshë shumë të re dhe ndikimin që kjo ka në trupin e tyre për kohë të gjatë”, ka thënë Pickering.

“Çfarë stërvitje bën ajo? Çka bën për fizikalitetin e saj? Jam e brengosur se çka bëhet në aspektin fizik me një fëmijë që ushtron aq shumë në atë moshë”.

Steve Parry, medalist olimpik, thotë se pjesëmarrja e Yu Zidis është pozitive. Ka përmendur raste nga e kaluara kur notarë në moshë shumë të re kanë arritur gjëra të mëdha e më pas kishin karrierë impresive.