Sporte të tjera

Kosova prej shteteve me shpërblimet më të majme

Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj

Skitarët e Kosovës thuajse janë pa gjasa për t’u ngjitur në podium në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”.

Por Kosova është prej shteteve që shpërblen më së miri garuesit e saj në rast të medaljes në Lojërat Olimpike Dimërore që kanë nisur të premten.

Mediumi kroat “Dnevnik” ka publikuar listën e shpërblimeve të ndara nga shtetet.

Kosova është e nënta për shpërblime.

“Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj janë garuesit e vetëm të Kosovës që garojnë në Itali, dhe vendi është ende duke pritur medaljen e parë në paraqitjen e tij të tretë në Lojërat Dimërore. Por nëse dy skiatorët alpinë arrijnë të tejkalojnë pritjet dhe të fitojnë medaljen e artë, ata do të marrin rreth 118 mijë dollarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, dhe 12 mijë dollarë shtesë nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Dhe nëse u duhet motivim shtesë për të ecur shpejt, çdo garues i Kosovës që thyen një rekord olimpik do të marrë rreth 236 mijë dollarë”, shkruan mediumi kroat të hënën.

Kosova ka lënë prapa shumë shtete të fuqishme, të paktën sa u përket shpërblimeve.

E para që do të paraqitet në garat e Lojërave Olimpike Dimërore është Kiana Kryeziu. Ajo do ta bëj lëshimin e parë më 12 shkurt.

Kryeziu garon në tri disiplina të ndryshme të skijimit alpin, kurse Drin Kokaj do të paraqitet vetëm më 16 shkurt në sllallom.