Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll e ka shënuar fitoren e parë në Kampionatin Botëror që është duke u zhvilluar në Egjipt. Ndeshjen e tretë të Grupit B, Kosova e fitoi ndaj Marokut me rezultatin 32:22. Me fitore, Kosova e përfundon fazën grupore në vendin e tretë. Nuk avancon në fazën tjetër të garës, por do t’i ketë edhe katër ndeshje tjera për plasman. Pjesën e parë, hendbollistët e Kosovës U19, të drejtuar nga përzgjedhësi Fatmir Muhaxheri, e fituan me rezultatin 12:10. Epërsia e Kosovës u rrit edhe më shumë në pjesën e dytë për fitore bindëse në fund.
Suad Pajaziti ishte më i miri te “Dardanët” e rinj me tetë gola nga dhjetë tentime. Olsi Mulaj kishte gjashtë gola të realizuar, ndërsa Drijon Istrefi i shënoi pesë.
Kosova U19 i humbi dy ndeshjet e para të grupit. Nga Zvicra u mposht 35:25, ndërsa nga Hungaria, favoritja e grupit, u mposht 37:28.
Kosova kishte fazë të mirë përgatitore në Slloveni, duke i fituar tri miqësoret ndaj Kuvajtit. Por, të njëjtën formë nuk e pati në dy duelet e para të Botërorit.
Kjo është gjenerata e tretë e Kosovës që paraqitet në një ngjarje globale, dhe u arrit falë “IHF Trophyt”.
“IHF Trophy” është ngjarje e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, që për synim ka zhvillimin e hendbollit nëpër botë. Por, ofron edhe biletën për Botëror me rrugë më të shkurtër.
Hendbollistët e Kosovës U21 kishin luajtur në Spanjë në Botërorin e vitit 2019, ndërsa në vitin e kaluar në Botërorin e organizuar në Kinë, ishin paraqitur hendbollistet e Kosovës U18.