Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Nga Kuba në Samadrexhë, rrugëtimi i veçantë i hendbollistes më të mirë të Kupës së Kosovës

sanadrexh

Samadrexha, klub i hendbollit nga fshati me të njëjtin emër në komunën e Vushtrrisë, ka fituar Kupën e Kosovës për edicionin 2025/2026. Të dielën në finale, Samadrexha fitoi 27:23 ndaj Istogut. 

Dhe është një hendbolliste nga Kuba e largët që udhëhoqi Samadrexhën drejt suksesit historik – trofeut të parë. Amanda Abreu ishte e pandalshme në finale, duke i shënuar plot tetë gola. Ajo shpërtheu sidomos në pjesën e dytë, në të cilën edhe u bë dallimi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Jennifer Amanda Toledo Abreu është emri i plotë i 25-vjeçares nga Villa Clara, që në Kosovë po luan për vitin e dytë. 

Samadrexha për dekada të tëra është e njohur edhe për klubet e hendbollit. Klubi i hendbollistëve më nuk ekziston, ndërsa në klubin e hendbollisteve janë shumë lojtare të huaja, falë favoreve që solli ligji për sponsorizim.

Abreu është lidere e Samadrexhës dhe u shpall më e mira e turneut final të Kupës. Por si u bë që një hendbolliste nga Kuba e largët të luajë në një “klub fshati” në Kosovë?

“Ardhja në Kosovë ishte e papritur. Më përfundoi kontrata në Spanjë dhe agjentja ime më tha për një klub që po kërkonte lojtare për të krijuar një ekip të mirë me synim për ta fituar titullin e kampionit. Kjo më motivoi vërtet dhe kështu përfundova duke luajtur për Samadrexhën”, ka thënë Amanda Abreu në një bisedë për KOHËN.

Viti i parë i saj në Samadrexhë ishte i suksesshëm, por pa realizuar synimet e skuadrës. Është ndier mirë dhe rrjedhimisht vendosi të qëndronte edhe një vit tjetër. 

Samadrexha i fitoi të gjitha ndeshjet e stinorit të rregullt dhe është favorite edhe në plejof. 

Amanda Abreu ka luajtur në Spanjë te skuadra Rocasa Gran Canaria para se të transferohej te Samadrexha. Me skuadrën spanjolle luajti edhe në gara evropiane. Thotë se ka pasur suksese edhe në Spanjë, e po ashtu në Kubë. 

Ardhjen në Kosovë e vlerëson mundësi të mirë, por edhe përvojë interesante.

“Nuk kam ditur asgjë për Kosovën para se të vija. As që kisha ide. Por jam ndier e sigurt që të vija këtu për shkak të agjentes sime. Ajo më tregoi disa gjëra para se të vendosja për të vazhduar karrierën në Kosovë”, thotë hendbollistja nga Kuba.

Ajo flet vetëm gjuhën spanjolle, por thotë se kjo nuk e ka penguar në karrierë. Në Samadrexhë thotë se ka luajtur me lojtare të tjera që kanë folur gjuhën spanjolle, ndërsa ka mësuar pak edhe anglisht.

“Jam e lumtur që luaj në këtë ekip. Është klub profesional dhe shumë i kujdesshëm ndaj lojtareve. Dhe tashmë e kemi fituar Kupën e Kosovës. Jam pranuar shumë mirë në klub, nga trajnerët, vajzat dhe të gjithë të tjerët që më kanë trajtuar shumë mirë dhe janë kujdesur për të gjitha gjërat”.

Samadrexha tani po bëhet gati për gjysmëfinale të plejofit. Synimi është i qartë, që pas Kupës së parë të fitohet edhe titulli i kampionit. Abreu thotë se mentalisht dhe fizikisht janë gati për ta fituar edhe titullin.

“Mendoj se jam hendbollistja e parë nga Kuba në Kosovë. Por nuk mendoj se ka ndonjë pengesë që të tjerë hendbollistë nga Kuba të vijnë këtu. Gjëja e vetme është që në Kubë nuk ka shumë informata për Kosovën, për ligën, për vendin”, thotë 25-vjeçarja.

Ajo ka një dekadë që luan për Kubën dhe vazhdon të jetë në përfaqësuese. Ka medalje në gara të Amerikës Qendrore, dhe në gara Pan-Amerikane. Po ashtu është paraqitur në Botërorin 2019 dhe në Botërorin 2025. 

Tani po e udhëheq Samadrexhën drejt sukseseve në hendbollin kosovar.