Sportistët e Rusisë dhe Bjellorusisë do të lejohen të garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2026, por vetëm si Sportistë Neutralë Individualë.
Këtë e konfirmoi të premten Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Rusët e bjellorusët do të lejohen vetëm pa flamur të vendit të tyre, pa himn dhe pa çdo përfaqësim të shtetit prej nga vijnë.
Presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, ka thënë në një konferencë për shtyp: “Ne po ashtu kemi folur për Sportistët Neutralë. Nuk do të ketë asgjë të re. Bordi Ekzekutiv do të ketë qasje të njëjtë sikur në “Paris 2024”. Asgjë nuk ka ndryshuar”.
Në Lojërat Olimpike Verore të mbajtura vjet në Paris, 32 sportistë nga Rusia dhe Bjellorusia morën pjesë me status neutral, pa asnjë incident. IOC-ja ka konfirmuar se ekipet nuk do të lejohen dhe se vetëm sportistët individualë që iu përmbahen standardeve strikte do të jenë në dispozicion. Nuk do të lejohen sportistët që në ndonjë mënyrë kanë përkrahur luftën në Ukrainë, apo kanë afërsi me agjencitë ushtarake apo të sigurisë.
IOC-ja e ka suspenduar Komitetin Olimpik të Rusisë në tetor 2023, për shkak të njohjes së këshillave olimpikë në regjionet e okupuara të Ukrainës. Sipas IOC-së, kjo ishte shkelje e Kartës Olimpike.
Që nga atëherë sportistët nga Rusia dhe Bjellorusia duhet të kalojnë një proces kontrolli para se të lejohen të garojnë. Sportistët që në mënyrë aktive përkrahin luftën, që janë në kontratë apo që në ndonjë mënyrë janë të lidhur me ushtrinë apo me trupat e sigurisë nacionale të Rusisë dhe Bjellorusisë, përjashtohen.
Vetëm sportistët e kualifikuar përmes federatave përkatëse ndërkombëtare do të vlerësohen nga një Panel i formuar nga IOC-ja. Panelin e drejton Nicole Hoevertsz, ndërsa anëtar të tij janë Pau Gasol i Komisionit të Etikës së IOC-së dhe Morinari Watanabe i federatave ndërkombëtare. Vlerësohen sportistët dhe ekipet përkrahëse të tyre.
Ftesat për të garuar në Lojëra Olimpike do të ndahen vetëm pasi të kalohet vlerësimi dhe të gjithë pjesëmarrësit duhet të nënshkruajnë “Kushtet e Pjesëmarrjes në Milano Cortina 2026”. Nënshkrimi i këtij dokumenti parashikon respektim të Kartës Olimpike dhe angazhimin për paqe. Sjelljet e këtyre sportistëve, gjatë dhe pas Lojërave Olimpike Dimërore, do të vëzhgohen.
Sportistët nga Rusia e Bjellorusia nuk do të lejohen në paradën e kombeve në Ceremoninë Hapëse, por do të lejohen në një mënyrë që të jenë pjesë e ceremonisë.
Po ashtu medaljet e sportistëve të pavarur nuk do të numërohen si medalje të Komiteteve Olimpike të Rusisë apo Bjellorusisë.
Lojërat Olimpike Dimërore mbahen prej 6 deri më 22 shkurt të vitit të ardhshëm.