Sporte të tjera

Skitari 20-vjeçar paralizohet pas rrëzimit në stërvitje

Skitari 20-vjeçar paralizohet pas rrëzimit në stërvitje

Skitari norvegjez në “freestyle”, William Bostadlokken ka mbetur i paralizuar në gjymtyrët e poshtme pas një përplasjeje serioze në stërvitje. Me gjithë diagnozën, ai ëndërron që të skijojë sërish.

Por jeta e 20-vjeçarit më nuk do të jetë e njëjtë. Dy javë më parë ai u rrëzua gjatë stërvitjeve për Kupën e Botës dhe pësoi lëndime të shumta.

Bostadlokken theu shpatullën dhe disa brinjë. Pësoi lëndim të rëndë edhe në shpinë.

Diagnoza erdhi pas operacionit të parë në një spital në Denver të SHBA-së. Sportisti i ri do të jetë i paralizuar nga mesi i trupit e poshtë për pjesën tjetër të jetës së tij, shkruan “Blick”.

“Këto fjalë më thyejnë zemrën”, shkroi ai. “Në ditën e parë të stërvitjes, majat e skive u bllokuan gjatë ngritjes. Humba balancin dhe rash me kokë e me shpinë”.

Pavarësisht diagnozës së rëndë, Bostadlokken, i cili ka garuar shtatë herë në Kupën e Botës  dhe e filloi stinorin me fitore në Kupën Evropiane, mbetet optimist.

“Ëndërroj të jem në gjendje të skijoj përsëri një ditë. Skijimi është gjëja që dua më së shumti në botë, ajo për të cilën jetoj. Do të bëj gjithçka që kam në dorë për t’u kthyer dhe për të përjetuar përsëri atë ndjesi të jashtëzakonshme”.

Federata norvegjeze ka premtuar përkrahje të plotë për të riun.

“Ai është në duar të sigurta dhe ne po marrim veprime një nga një”, ka thënë mjeku i skitarëve të Norvegjisë, Andreas Persson.