Një prej favoritëve për ta fituar “Wimbledonin” është eliminuar që në raundin e parë. Të martën, Alexander Zverev, tenisti gjerman dhe numri tre në botë, ka përfunduar para kohe aventurën në Londër.
Zverev, i cili synonte të shkonte deri në fund të këtij turneu Grand Slam, u mposht pas një super përballjeje që zgjati plot 4 orë e 44 minuta. Ai humbi në pesë sete nga francezi Arthur Rinderknech (i renditur i 72-ti) me rezultat 3:2 në sete, përkatësisht 7:6, 6:7, 6:3, 5:7 dhe 6:4.
Në ndeshjen e sotme, Rinderknech u tregua shumë më i qetë dhe – mund të thuhet – më i guximshëm në momentet kyçe. Dy herë kaloi në epërsi në sete, dhe në të dy rastet Zverev arriti ta barazojë rezultatin. Megjithatë, kur pritej që gjermani të dominonte në setin e pestë, ai lëshoi terren.
Rinderknech në raundin e dytë luan me kilianin numër 110 në botë, Cristian Garin.
Ende pa përfunduar plotësisht raundi i parë, “Wimbledoni” ka mbetur pa disa nga emrat si Daniil Medvedev, Stefanos Tsitsipas, Holger Rune, Lorenzo Musetti, dhe së fundi edhe Zverevi.