Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Vrapimi i maratonës në javën e 22-të të shtatzënisë

maratone

Për një atlete elitare që ka përfaqësuar Britaninë e Madhe në Lojërat Olimpike, vrapimi i Maratonës së Bostonit për dy orë e 43 minuta mund të mos duket si arritje e madhe. Rekordi personal i saj është për 20 minuta më i shpejtë.

Por Calli Hauger-Thackery ia doli të vrapojë maratonën ndërsa ishte 22 javë shtatzënë. Garën e së hënës vrapuesja e cilëson si një moment të pabesueshëm dhe më kuptimplotin në karrierën e saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

33-vjeçarja nga Sheffieldi vrapoi të njëjtën garë vitin e kaluar. U rendit e gjashta me kohë prej 2 orë e 22 minuta. Ajo e dinte se do të përballej me detyrë më të vështirë këtë herë.

“Jam mirënjohëse që e kalova këtë. 42 kilometra nuk është arritje e lehtë dhe ta bësh këtë deri në këtë fazë të shtatzënisë, më bën shumë mirënjohëse”, ka thënë Hauger-Thackery për BBC.

Si çdo vrapuese e maratonës, ajo hasi në pengesa rrugës. U trajtua për një nerv të bllokuar. Trajtimin e bëri në kilometrin e pestë dhe të 11-të.

“Nuk munda as ta ngrija këmbën e djathtë si duhej. Për fat të mirë mjekët ishin të shkëlqyer dhe e liruan nervin. Kisha edhe dy ndalesa për urinim, por e gjitha kjo ndodhi para kilometrit të 21-të”.

Në gjysmën e dytë të maratonës, britanikja thotë se është ndier shumë mirë.

Kjo sfidë fizike është diçka me të cilën Hauger-Thackery është mësuar. Ajo zbuloi se ishte shtatzënë vetëm pasi vrapoi dhe fitoi në maratonën në Honolulu në dhjetor. Po villte në pistë por mendoi se ishte nga moti i nxehtë.

Ajo vrapoi edhe në maratonën e Houstonit në janar dhe fitoi me kohë prej 2 orë e 24 minuta.

Vrapimi i maratonave gjatë shtatzënisë është më “domethënëse” se arritjet e mëparshme, thotë Hauger-Thackery.

“Është kaq e veçantë. Mendoj se kam qenë shumë me fat gjatë shtatzënisë dhe të jem në gjendje ta bëj këtë është thjesht e pabesueshme”, thotë britanikja.

Shumë vrapuese të njohura të maratonës kanë vazhduar karrierën edhe pasi janë bërë nëna. Hauger-Thackery thotë se ato madje janë bërë më të mira pas shtatzënisë.

Numri i sportisteve që duan të krijojnë familje dhe të mbesin në sport po rritet gjithnjë e më shumë.