Tech

Instagrami dhe YouTube akuzohen për krijim të “makinerive të varësisë”

ankues

Kompanitë më të mëdha të mediave sociale janë akuzuar për krijimin e “makinerive të varësisë”, derisa në Kaliforni ka nisur një proces gjyqësor historik  që shqyrton efektet e Instagramit dhe YouTubeit në shëndetin mendor.

Në fjalën e tij hapëse para Gjykatës së Lartë të Los Anxhelosit, Mark Lanier deklaroi se klientja e tij, paditësja K.G.M.  ka pësuar probleme të shëndetit mendor si pasojë e varësisë së saj nga rrjetet sociale.

“Këto kompani ndërtuan mekanizma të projektuar për krijuar varësi në trurin e fëmijëve dhe e bënë këtë me qëllim”, tha Lanier.

Avokatët e Metas dhe YouTubeit thanë në Gjykatë se varësia e ankueses rridhte nga probleme të tjera në jetën e saj.

Dëmet e saj pretendohet se kanë ndodhur kur ajo ishte e mitur.

Lanier gjithashtu akuzoi të dy mediat sociale se nuk kanë paralajmëruar për rreziqet që ato paraqesin për përdoruesit e rinj.

“Ky rast ka të bëjë me dy nga korporatat më të pasura në histori, të cilat kanë ndërtuar  mekanizma që ndikojnë në varësinë e trurit të fëmijëve. Do t’iu tregoj makinerinë e varësisë që ata ndërtuan, dokumentet e brendshme që zakonisht publiku nuk i sheh, emailet nga CEO i Metas, Mark Zuckerberg dhe drejtues të YouTubeit”, ka thënë ai.

Në një përmbajtje të një emaili të vitit 2015 të paraqitur para gjykatës, Zuckerberg kërkonte që “koha e kaluar në platforma të rritej  në 12 për qind” për të përmbushur objektivat e brendshme të biznesit.

Sa i përket YouTubeit, Lanier tha se platforma në pronësi të Google, i synonte qëllimisht përdoruesit e rinj sepse mund të “tarifonte më shumë reklamuesit” krahasuar me platformën YouTube Kids.

Lanier më pas akuzoi YouTuben se po përpiqej të përfitonte nga prindërit që ishin të zënë me punë, e të cilët kërkonin shpëtimin nga YouTube për t’i mbajtur fëmijët të zënë.