Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë afër arritjes së një marrëveshjeje për platformën e njohur TikTok, por negociatat mund të ndalojnë nëse Pekini nuk merr lëshime të rëndësishme tregtare, tha të hënën Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessent.
Deklarata u bë në ditën e dytë të bisedimeve dypalëshe në Madrid, ku delegacionet nga të dyja vendet po diskutojnë jo vetëm për çështjen e TikTokut, por edhe për tarifat tregtare dhe politikat ekonomike që kanë shkaktuar tensione të mëdha mes dy superfuqive, raportoi të hënën Reuters.
"Partnerët tanë kinezë kanë ardhur me kërkesa shumë agresive," deklaroi Bessent përpara nisjes së takimit, së bashku me Përfaqësuesin Amerikan të Tregtisë, Jamieson Greer.
"Nuk do të sakrifikojmë sigurinë kombëtare për një aplikacion", ka thënë Bessent.
Në qendër të diskutimeve është kërkesa e SHBA-së që kompania kineze ByteDance të shesë operacionet amerikane të TikTokut deri më 17 shtator, përndryshe aplikacioni përballet me ndalim total në territorin amerikan.
Sipas Bessentit, ka përparime në aspektin teknik të marrëveshjes, por çështjet politike dhe tregtare që lidhen me të janë shumë më të ndërlikuara.
Nga ana tjetër, Kina po e lidh çështjen e TikTokut me një paketë më të gjerë kërkesash që përfshin heqjen ose zbutjen e tarifave ndaj mallrave kineze dhe masave të tjera të vendosura ndër vite.
Pavarësisht klimës së tensionuar, Bessent theksoi se marrëdhëniet dypalëshe mbeten të forta në nivelet më të larta.
"Marrëdhëniet janë ende shumë të mira në nivelet më të larta. Ambasador Greer dhe unë kemi respekt të madh për homologët tanë”, është shprehur ai.
Trumpi sugjeron se është arritur marrëveshje me Kinën për TikTok-un
Presidenti amerikan, Donald Trump ka postuar në faqen e tij të mediave sociale “Truth Social” se takimi midis zyrtarëve amerikanë dhe kinezë ka shkruar mirë dhe se është arritur një marrëveshje në lidhje me "një kompani të 'caktuar' që të rinjtë në vendin tonë donin shumë ta shpëtonin".
Komenti i Trumpit sugjeron se fjala është për kompaninë TikTok, kompania e mediave sociale e lidhur me Kinën, për të cilën ligji amerikan kërkon që të shitet ose të ndërpresë operacionet.
Presidenti republikan ka zgjatur vazhdimisht afatin për fatin e TikTok-ut dhe nuk ishte zotuar për një marrëveshje kur është pyetur nga gazetarët të dielën në mbrëmje.
Trumpi ka thënë gjithashtu se do të fliste të premten me udhëheqësin kinez Xi Jinping.