Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv të enjten duke deklaruar se plani i tij për të shitur TikTokun te investitorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shtyrë deri më 16 dhjetor.
Sipas këtij urdhri ekzekutiv, ky plan do të përmbushë kërkesat e një ligji të vitit 2024 që thotë se ky aplikacion do të ndalohet nëse pronarët e tij kinezë nuk e shesin atë, raportoi Reuters.
Kompania e re amerikane do të vlerësohet në rreth 14 miliardë dollarë, ka deklaruar zëvendëspresidenti JD Vance.
Trumpi ka shtyrë zbatimin e ligjit deri në mes të dhjetorit, mes përpjekjeve për blerjen e aseteve për platforma globale nga investitorët amerikanë.
"Pati njëfarë rezistence nga ana kineze, por gjëja themelore që donim të arrinim ishte se donim ta mbanim TikTokun në funksion, por gjithashtu donim të siguroheshim që mbrohet privatësia e të dhënave të amerikanëve siç kërkohet me ligj", ka thënë Vance.
“Bisedova me Presidentin Xi. Patëm bisedë të mirë dhe i tregova se çfarë po bënim dhe ai tha të vazhdojmë”, ka thënë Trumpi.
Ligjvënësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve thanë se duan të shohin më shumë detaje të marrëveshjes për t'u siguruar që ajo përfaqëson një ndarje të plotë me Kinën.
"Ndërsa detajet finalizohen, ne duhet të sigurohemi që kjo marrëveshje të mbrojë përdoruesit amerikanë nga ndikimi dhe mbikëqyrja e grupeve të lidhura me Partinë Komuniste të Kinës", thanë përfaqësuesit amerikanë Brett Guthrie, Gus Bilirakis dhe Richard Hudson.