Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se rasti i kryeministrit Albin Kurti, i cili nuk po iu përgjigjet ftesave të Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit është për keqardhje.
Përmes një vendimi, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kishte urdhëruar Kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit më 4 mars 2025, në ora 10:00, në PSRK. Mirëpo, pikërisht në atë orë është paralajmëruar se Kurti do të jetë në Gjilan për të vendosur gurthemelin e një çerdheje të re në Gjilan.
Sipas avokatit, bazuar në këtë agjendë shihet se kryeministri nuk ka vullnet që t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë dhe të reflektojë në raport me urdhrin e Gjykatës.
“Gjë e cila është e papranueshme, është për keqardhje që një kryeministër i vendit të mos i përgjigjet urdhrave dhe ftesave të ligjshme të organeve të zbatimit të ligjit, aq më tepër kur ftohet në kapacitetet e dëshmitarit. Vlerësoj dhe shpresoj që kjo sagë e këtij raporti të përfundojë sa më parë në drejtim të reflektimit në raport me peshën dhe përgjegjësinë që ka edhe si qytetar i vendit edhe si kreu i ekzekutivit”, tha Bajraktari.
Avokati thotë se dispozitat e Kodit të Procedurës Penale janë të qarta që përcaktojnë se në rast se Kurti nuk prezanton apo nuk ka arsye të ligjshme që t’i përgjigjet ftesës, mund të gjobitet. Kurse, nëse përsëritet mund të paraburgoset për një muaj. /BetmipërDrejtësi
Osmanaj: Tek Strategjia Kundër Korrupsionit në dokumente jemi mirë, por jo te lufta në terren

Egzon Osmanaj, menaxher i programit në Fondacionin Friedrich Ebert (FES), në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se tek Strategjia Kundër Korrupsionit në dokumente Kosova qëndron mirë, por që ngecim në luftën në terren.
Osmanaj ka deklaruar se përmbushja e standardeve është në rregull, por problemet për luftimin e korrupsionit “vijnë te zbatimi”.
“Për mua ma e rëndësishme është praktikisht me pa se si po luftohet korrupsioni ndoshta duke filluar prej zbatimit që u përmend këtu të ligjeve dhe përgjegjësive institucionale, pra të secilit institucion. Pra, tutje mandej shohim te këto strategjitë, te objektiva që ndoshta më shumë janë në kuptim të përafrimit të procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përmbushje të standardeve, por që mandej në terren kur po vjen puna te zbatimi, aty po kemi probleme sepse te Strategjia te hartimi i dokumentit jemi besoj mirë”, tha Osmanaj. /BetimipërDrejtësi
Miftaraj: Dënimi i Dodikut solli reagim zyrtar nga SHBA-ja që konfirmoi rëndësinë e Ballkanit

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se dënimi i Presidentit të Republikës Sërbska, Milorad Dodik solli reagim zyrtar nga SHBA që konfirmoi se Ballkani është i rëndësishëm.
Ai ka deklaruar të hënën se mesazhi amerikan ishte që Ballkani ka rëndësi dhe interesi është “që të jetë i stabilizuar”.
“Një lajm tjetër i mirë ishte kur me rastin e dënimit të Dodikut në Bosnjë dhe reagimeve që pati nga Serbia ose nga Bosnja, kishte një reagim zyrtar nga ShBA-të të cilat në njëfarë mënyre rikonfirmuan prapë zotimin lidhur me Bosnjë-Hercegovinën lidhur me realitetin e ri dhe se nuk duhet të ndërmerren veprime që në një farë mënyre e cenojnë stabilitetin. Në njëfarë mënyre në Ballkan që është si të themi një mesazh që ShBA-të në qendër e kanë ende Ballkanin, e kuptojnë rëndësinë e Ballkanit, e kuptojnë që një Ballkan i stabilizuar është interes jo vetëm për Evropën por edhe për ShBA-në”, ka thënë Miftaraj.
Ai u shpreh se destabiliteti në Ballkan “ka fuqinë për t’u shpërndarë në pjesë të tjera të Evropës, Azisë dhe të tjerë”./BetimipërDrejtësi
Bugaqku: Pres që Trump t’iu bëjë presion Kosovës e Serbisë për marrëveshjen e 2020-s

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), u shpreh pesimist që Bashkimi Evropian mund të arrijë rezultat në dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka deklaruar se me Administratën Trump pritet që Kosova e Serbia të kthehen në marrëveshjen e 2020-s “dhe aty të jetë presioni”.
Sipas Bugaqkut, nëpërmjet kësaj forme mund të ketë marrëveshje formale që të ketë mundësi për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
“Unë nuk besoj se politikat e Bashkimit Evropian do të sjellin një rezultat, sidomos sa i përket dialogut Kosovë-Serbi sepse jemi që nga viti 2013 në dialog me BE-në dhe ende nuk kemi prodhuar asnjë rezultat efektiv. Në vitin 2019 nëse nuk gaboj apo 2020, në kohën sa ishte qeverisja e Trumpit në mandatin e parë, ne patëm ashtu të themi disa rezultate në kuptimin e prekshëm të arritjes së një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.
Sipas hulumtuesit, Trump pritet ta shtyjë marrëveshjen e kaluara.
“Po besoj se me ardhjen e këtij pushteti të ri, kësaj administrate të re unë besoj se do të kthehemi prapë në marrëveshjen e Washingtonit dhe besoj se këta do të vijnë në Kosovë dhe do ta shtyjnë përpara marrëveshjen e Washingtonit që është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020. Aty do të jetë presioni që do t’i bëhet edhe Kosovës edhe Serbisë që të fillojnë të zbatojnë atë dokument dhe të kemi ashtu një marrëveshje formale që ndoshta dhe mundësinë e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë”, tha Bugaqku./BetimipërDrejtësi
Bugaqku: Do të ketë një koalicion që do t’i formojë institucionet

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se do të ketë një koalicion që do t’i formojë institucionet.
Sipas tij, rezultati aktual nuk premton shumë, për shkak se ka një parti që ka fituar një shumicë relative të votave, por që si e vetme shihet problematike formimi i Qeverisë.
Kjo tha ai në “Tempus” se nxit nevojën për bashkëqeverisje.
“Rezultati momental i zgjedhjeve nxitë nevojën që të kemi një bashkëqeverisje, të kemi një pjesëmarrje të partive e subjekteve të tjera dhe tash se kush do të jenë ato dhe se a do të kemi mundësi të kemi koalicione paszgjedhore për formimin e institucioneve të vendit mbetet për t’u parë, ne jemi dëshmitarë që janë e kaluar disa politikanë që tashmë kanë kaluar pragun dhe kanë hyrë ose janë bërë deputet, kanë shpreh gatishmërinë që të jenë pjesë e një koalicioni qeverisës çfarëdo qoftë ai, pra disa prej tyre janë vetofruar”, tha Bugaqku
Por, thotë se duhet të pritet rezultati final për t’u ditur numri i ulëseve në Kuvend dhe sinjalin nëse do të ketë koalicion paszgjedhor.
“Pres që do të ketë një bashkëqeverisje, do të ketë një koalicion që do të mundësojë themelimin e institucioneve”, tha ai. /BetimipërDrejtësi
Bajraktari: Afati për konstituim të Kuvendit fillon kur certifikohen zgjedhjet

Avokati Ardian Bajraktari, tha se afati i konstituimit të Kuvendit fillon në momentin e çertifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Kur kemi certifikim të rezultateve dhe në rrjedhë të kësaj është Kushtetuta e vendit, neni 66 i saj i cili në mënyrë takstative parasheh që legjislatura e ardhshme duhet të konstituohet jo më larg se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve dhe në këtë drejtim është detyrë e presidentes së vendit që të thërret seancën konstituive”, tha avokati Bajraktari në “Tempus“.
Avokati tha se kjo çështje është e rregulluar në mënyrë më të qartë edhe përmes Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Madje, Rregullorja e Kuvendit e rregullon tutje këtë çështje dhe përcakton qartë që nëse Presidenti/ja nuk merr ndonjë veprim në ditën e 30 pas certifikimit të rezultateve, deputetët vetëobligohen me u mbledh në seancën konstituive dhe natyrisht që deputeti me i vjetër i ndihmuar me deputetin me të ri, e cila përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe nën kryetarëve”, shtoi tutje ai.
Bajraktari tha që dispozitat kushtetuese e përcaktojnë që partia e parë në zgjedhje ka për detyrim konstituimin e institucioneve.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtuese të cilat e materializojnë tutje dispozitat kushtetuese përmes të cilave natyrisht që përcakton që subjekti i parë i cili ka dalë fitues, qoftë edhe fitues relativ në zgjedhje ka detyrim që të ndërmarrë veprime në drejtim të konstituimit të institucioneve, fillimisht Kuvendit pastaj në atë të zgjedhjes së Qeverisë”, tha Bajraktari. /BetimipërDrejtësi
Bugaqku: U shtuan vizitat e përfaqësuesve të VV-së në QNR, s’e di nëse janë të akredituar

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se janë shtuar vizitat e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Numërimit.
“Jemi tu pa kohët e fundit që janë shtuar vizitat e përfaqësuesve të partisë në pushtet, të anëtarëve të KQZ-së që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. Nuk i di arsyet pse ata vijnë dhe vizitojnë, me sa e di ata nuk janë vëzhgueus të akredituar dhe të shkojnë të përzihen dhe të monitorojnë e mbikëqyrin procesin e numërimit të votave”, tha Bugaqku.
Hulumtuesi tha se këtë fakt e sheh si të çuditshme, që të përzihen në punën e vëzhguesit e partive tjera.
Bugaqku tha se e kanë monitoruar edhe procesin e fushatës zgjedhore, e cila u karakterizua me gjuhë të ashpër e nxitëse dhe gjoba të ashpra të shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Dita e zgjedhjeve, ai thotë se nuk kaloi me ndonjë incident që do ta dëmtonte procesin. Tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dështoi t’i publikonte rezultatet preliminare, por si Demokraci në Veprim publikuan atë natë rezultatet preliminare.
Paraprakisht, Egzon Osmanaj, menaxher i programit në Fondacionin Friedrich Ebert (FES), tha se fillimisht u duk se gjithçka po shkonte në rregull me zgjedhjet, por 9 shkurti befasoi për të keq me funksionimit të sistemit të KQZ-së.
“Kjo disi të paktën në sytë e publikut e dëmtoi pak imazhin e mirë apo mbarëvajtjen e mirë të zgjedhjeve që ishte atë ditë dhe gjithçka vazhdoi të komplikohet ditëve në vazhdim. Na tash jemi pothuajse një muaj pas zgjedhjeve dhe ende jemi duke diskutu a janë numëru votat, sa vota janë numëru, a është numëru diaspora, kur do të përfundojë. Mendoj që krejt kjo pak e dëmton imazhin e procesit si të tillë”, tha Osmanaj.
Ai përmendi që në zgjedhjet në Gjermani, rezultatet preliminare kanë dalë atë natë, ndërsa ato përfundimtare të nesërmen. /BetimipërDrejtësi