TEMPUS

Gashi: Inteligjenca artificiale është resurs, por edhe kërcënim për abuzuesit e dhunës digjitale

Kujtim Gashi

Kujtim Gashi, ekspert i teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, tha se inteligjenca artificiale është resurs, por njëkohësisht kërcënim për abuzuesit e dhunës digjitale. Sipas Gashit, institucionet e vendit kanë ngritur kapacitete teknike dhe niveli i sigurisë është më i avancuar.

Ai tha në emisionin “Tempus” në KTV, se siguria kibernetike dhe lufta kibernetike është permanente dhe gjithmonë institucionet e vendit i ekspozohen këtyre sulmeve.

“Duhet prioritizim i politikave të investimeve në fushën e teknologjisë dhe rritjes së nivelit të sigurisë kibernetike”, tha Gashi.

Eksperti theksoi se BE-ja ka fokusuar fonde dhe investime në organizata ndërkombëtare që dizejnojnë aktivitete ndërkombëtare në bashkërendim me shtete e ndryshme që të luftojnë krimin kibernetik si aktivitete të përbashkëta.

“Duhet të fokusohemi në ngritjen e kapaciteteve, në vetëdijësimin e përdoruesve, në dedikimin e kapaciteteve njerëzore, teknike dhe intelektuale në zhvillimin e ambienteve të sigurta por që të shfrytëzohet resursi i kohës”, tha Gashi. /BetimipërDrejtësi


 

Himaduna: Duhet të bëhet më shumë për parandalim, të mos jetë barra vetëm e pësuesit

Sociologia Orhidea Himaduna, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se duhet të bëhet më shumë për parandalim të dhunës digjitale, duke përfshirë shtimin e lëndëve sociale në shkolla.

Sociologia tha se duhet të bëhet më shumë në parandalim, që të mos jetë barra vetëm e pësuesit.

“Sistemi i edukimit në shkolla tona duhet të bëjë shumë më shumë. Nëse flasim për lëndët e teknologjisë edhe informatikës, vetëm për disa programe që duhet të përdoren, me patjetër duhet të mësohet siguria kibernetike, duhet të ketë më shumë lëndë sociale, shpjegim dhe jo vetëm ligjërata për atë se çka quajmë dhunë dhe deri ku shkon limiti”, tha Himaduna.

Himaduna shtoi se po dështohet të bëhet më shumë në edukim të kryerësit dhe vetë viktimës.

“Jemi shumë larg si shtet për momentin dhe të gjitha këto probleme si institucionale që nuk po mbërrijmë dot me digjitalizu, nuk po mbërrijmë dot me u kapë në kohë, nuk po mbërrijmë dot ta bëjmë edukimin në kohë si të viktimës si të dhunuesit apo personit që bën aktin”, shtoi Himaduna. /BetimipërDrejtësi


 

Eksperti i IT-së: Kosovës i mungon Kodi i Internetit që çdo shtet e ka

Kujtim Gashi, ekspert i teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, në emisionin “Tempus” në KTV, duke folur për dhunën digjitale, tha se Kosovës i mungon Kodi i Internetit që çdo shtet e ka.

“Trendet e zhvillimit të teknologjisë na bëjnë të gjithëve të ekspozuar nga krimet kibernetike dhe abuzimeve të shumta që mund t’i ekspozohemi, bullizimi, veprimet abuzuese ndaj individëve apo kategorive të ndryshme fëmijëve, të rriturve dhe të moshuarve”, tha Gashi.

Eksperti theksoi se platformat ekzistuese deri në një masë janë të avancuara.

“Institucionet e vendit aktualisht, apo platformat ekzistuese janë në një masë të avancuara dhe është menduar me kohë që elementet e abuzimit dhe keqpërdorimit të ndalohen”, tha Gashi.

Sipas Gashit, Kosova ka edhe disa sfida, që shteti të fokusohet në parandalimin e këtyre veprimeve, të krijohen fushata, aktivitete, investime dhe trajtime të rasteve.

Ai konsideron që një kategori e gjerë e shoqërisë nuk trajtohen si duhet në sfidat që mund të shfaqen kur ata bëhen viktimë e krimeve kibernetike. /BetimipërDrejtësi


Hamiti: Mosraportimi i dhunës digjitale me kohë vjen për shkak të mosbesimit në institucione

Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, tha se mosraportimi i dhunës digjitale me kohë vjen për shkak të mosbesimit në institucione.

“Shpeshherë nëse del diçka në publik, ndonjë video, më shumë sulmohen viktima sesa autori i asaj videoje dhe kjo sjellë ndoshta një lloj mosbesimi tek të gjithë në këtë, përfshirë edhe institucionet dhe kjo sjellë deri te heshtja dhe mosraportimi me kohë”, tha Hamiti.

Hamiti tha në “Tempus” në KTV, se mosraportimi po vjen edhe si rezultat i turpit që ndjejnë viktimat, jo për shkak të mosinteresit për drejtësinë.

“Nga trajnimet dhe bashkëbisedimet me psikologë, me sociologë, në trajnime të ndryshme, shohim se kjo nuk është për shkak të interesit për drejtësinë, por për shkak të turpit që e ndjejnë dhe nuk vijnë të raportojnë apo edhe rasti më ekstrem kur s’kanë rrugëdalje tjetër vijnë në polici apo prokurori ta raportojnë”, shtoi Hamiti.

Ai tha se tentohet të krijohet një ambient i përshtatshëm për personin që e raporton rastin, që të krijojë besimin dhe të raportojë atë që i ka ndodhë. Tha se duhet pasur kujdes edhe në parashtrimin e pyetjeve, duke mos i bërë në atë mënyrë që të duket ai si fajtor për atë që i ka ndodh. /BetimipërDrejtësi


Psikologia Shahini për dhunën digjitale: Vazhdimisht piketohen të miturit

Psikologia Mimoza Shahini, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se cak i dhunës digjitale vazhdimisht janë të miturit.

“Nëse flasim në terma të përgjithshëm se kush është efekti i dhunës digjitale, sigurisht që komponenta e mirëqenies emocionale të tyre duhet të vihet në diskutim për faktin se ata ndihen të bullizuar, ndihen të viktimizuar, ndihen të stresuar”, tha Shahini.

Shahini tha se dëmtimi psikologjik është i varur nga mosha nga lloji i dhunës të cilën e përjetojnë pjesëmarrësit në materialet e dhunshme, duke shtuar se përjetojnë izolim social, diskriminim dhe ankth.

Psikologia tha se nga praktika klinike, takohet me ekstremet e atyre ngjarjeve që ndodhin gjatë kërcënimeve apo bullizimeve në rrjete sociale.

“Ulet vetëbesimi, ndodh izolimi, pastaj familja është një tjetër sferë që dëmtohet për shkak të paragjykimeve”, tha Shahini.

Ajo tha se edhe edukimi nuk është në nivelin e duhur për të identifikuar një abuzim apo dhunë digjitale çfarëdo modeli qoftë.

“Dhuna digjitale është shumëdimensionale, nuk mundet me qenë e fokusuar vetëm tek individi por tek raporti i tij me veten, me familjen dhe shoqërinë dhe e gjithë kjo në raport me institucionet se çfarë qëndrimi marrin gjatë kohës së shfaqjes së dhunës digjitale”, tha Shahini.


Hamiti për dhunën digjitale: Sfida më e madhe, mosraportimi nga gratë dhe të miturit

Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, tha se sfida më e madhe është mosraportimi i dhunës digjitale nga gratë dhe të miturit.

“Sfidat tona më të mëdha janë mosraportimi i rasteve sidomos nga gratë dhe të miturit, për shkak ndoshta që është online dhe nuk është diçka e madhe, mirëpo duhet kuptuar se kjo po lë pasoja të mëdha jo fizike por në psikologji, prishje të reputacionit e të cilat më pas është shumë vështirë t’i rikuperojmë”, tha Hamiti në “Tempus“ në KTV.

Prokurori Hamiti tha se bazuar në ligjet në fuqi, mundohen si prokurorë t’iu japin mbrojtje viktimave.

“Kurse te rastet e dhunës në familje, merren masa të ndryshme që janë të parapara masat mbrojtëse, urdhri mbrojtës apo edhe masat e sigurisë për të pandehurin në procedurë sepse kjo lidhet me dhunën në familje, sepse prokuroria mendon dhe tenton që në kuadër të dispozitave aktuale të gjejnë një formë që viktimat e këtyre rasteve të gjejnë mbrojtjen adekuate ligjore”, shtoi Hamiti. /BetimipërDrejtësi