TEMPUS

Qorrolli: Ministrat më shpesh i kanë takuar prokurorët sesa përfaqësuesit e odave ekonomike

Adem Qorrolli

Adem Qorrolli, ekspert i Ekonomisë, tha se ministrat e Qeverisë Kurti më shpesh kanë takuar prokurorët e Prokurorisë Speciale sesa përfaqësuesit e odave ekonomike.

Qorrolli tha në “Tempus” se odat ekonomike mbi 20 herë kanë bërë kërkesë ta takojnë ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Mundem me thanë me siguri që ministrat e Albin Kurtit më shpesh kanë takuar prokurorët e Prokurorisë Speciale se që e kanë takuar përfaqësuesin e ndonjë ode ekonomike ose Lidhjes së Bizneseve të Kosovës. Asnjëherë nuk na kanë ftu në rolin e ekspertizave, asnjëherë nuk na kanë ftu në rolin e mendimit të tretë”, tha Qorrolli.

Të ftosh sot ata përfaqësues, sipas tij, kjo bëhet për siç e quan - marketing.

“Se ne jemi marketingu më i mirë që u japim krah, e deri në ditët e fundit i ka quajtur si përfaqësues të partive politike LDK, PDK, ty të ka zgjedh ky, ty të ka zgjedh ky, e që asnjërin nuk e ka njohur se ka pasur qejf t’i ndërrojë, qysh ka bërë me krejt bordet dhe institucionet e pavarura që ai i udhëheq dhe këtu nuk ka mundur të depërtojë”, tha eksperti.

Sipas tij, njëjtë ka vepruar edhe me pjesëmarrjen në medie, ku fillimisht nuk kanë marrë pjesë kurse tani po.

“Ka nisur me 396 mijë vota, dhe tash në këto zgjedhje e ka mbyllur me 196 mjë. 200 mijë vota janë të mëdha. Me të vërtetë është shqetësuese, po të isha unë në pozitën e tij, 200 euro do ta bëja pensionin e pleqërisë, do t’i ndaja edhe 3 rroga të 13-ta. Po, po edhe nëse del në moshë të shtyrë-65-vjet, 5 mijë euro donacion, ndryshe nuk mundet me shpëtu”, u shpreh Qorrolli. 

 


Jakaj për pagën e 13-të: Forma e vendosjes është e paligjshme

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), duke folur për vendimin e Qeverisë në detyrë për pagën e 13-të në sektorin publik, tha se forma në të cilën është marrë ky vendim, është e paligjshme.

“Në formën siç është vendosë është sërish e paligjshme, sepse nuk i ndjek fillimisht parimet e ligjshmërisë, e pastaj të qeverisjes së mirë”, tha Jakaj.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Jakaj tha se reforma në administratën publike ishte bërë duke ndjekur disa parime: duke pasur përfshirje të grupeve të caktuara në ligjbërje, të mos ketë arbitraritet në përcaktim të pagave në kohë të fushatës zgjedhore dhe që paga të rritet në raport me rritjen ekonomike. Kriter tjetër, tha se ka qenë që paga të lidhet me vlerën e koeficientit.

Jakaj tha se kundërligjshmëria nuk është prodhuar vetëm tash, por edhe në vitin 2024 lidhur me rritjen e koeficientit të pagës.

Çështja e pagës së 13-të, hulumtuesi tha se do duhej të rregullohet përmes Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. Tha se nuk ka pasur konsultime publike në mënyrë që të vendoset për pagën e 13-të.


Qorrolli: Çdo e treta familje në Kosovë është në kredi, 85% janë punëtorë të shtetit

Adem Qorrolli, ekspert i Ekonomisë, ka thënë se çdo e treta familje në Kosovë është në kredi, ndërsa 85 për qind e punëtorëve të shtetit janë në kredi.

Gjithashtu, Qorrolli i ftuar në “Tempus” tha se 65% e tyre janë në borxhe të këqija, duke shtuar se kemi varfëri të lartë e në anën tjetër ka tepricë të buxhetit.

“Çdo e treta familje në Kosovë është në kredi. Çdo i dyti kredimarrës është në borxhe të këqija. 85% e qytetarëve që kanë kërkuar kredi janë punëtorë shtetërorë. Nëse në institucione janë 100 punëtorë, prej tyre 85 janë në kredi. E 65% janë në borxhe të këqija që nuk kanë arritur ta paguajnë borxhin kreditor”, ka thënë Qorrolli.

Sipas ekspertit, gjysma e familjeve në Kosovë nuk kanë asnjë fëmijë në shtëpi, përkundër që ndryshe thuhet në regjistrimin e popullsisë.

“Sigurisht mashtrohen edhe me 50 euro, edhe me 100 euro. Sepse janë shumë të varfër. Mos harroni 60% të familjeve në Kosovë janë mbi moshën 65 vjeçare. 50% e familjeve jetojnë pa asnjë fëmijë në shtëpi, e realisht në regjistrimin e popullësisë figurojnë një deri në katër”, ka thënë Qorrolli.

 


Jakaj: Rrezikojmë t’i humbim gati 800 milionë euro ndihmë ndërkombëtare, nevojitet Qeveri teknike

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se aktualisht rrezikojmë t’i humbasim afër 800 milionë euro ndihmë ndërkombëtare.

Bëhet fjalë për ndihmën prej 6 miliardë eurove që është paraparë si ndihmë për shtetet e Ballkanit nga Bashkimi Evropian.

“Tash meqenëse rrezikojmë t’i humbim gati 800 milionë euro, mund të shkojmë me një urgjencë, me një marrëveshje politike të cilën partitë politike do të duhej ta arrinin në mënyrë që ky vit mos të shkojë pa marrëveshje. Gjithashtu, të miratohej një buxhet i ligjshëm, me paga dhe pensione të ligjshme dhe kjo qeveri të shkojë në zgjedhjen e një qeverie të re, që vjen para 7 apo 14 dhjetorit”, është shprehur Jakaj në “Tempus“.

Jakaj bëri thirrje që të formohet një qeveri teknike nga partitë politike për ta çuar përpara një agjendë shumë të rëndësishme për vendin. Mes tyre, të votohet edhe një buxhet i ligjshëm, një pagë minimale e ligjshme.

“Pra, ka mundësi të prodhohet një qeveri teknike, elementare dhe urgjente të kryhen disa çështje deri në zgjedhje. Në mesin e tyre edhe disa çështje të tjera të cilat do të duheshin të zbatohej legjislacioni në fuqi”, shtoi Jakaj.


Qorrolli: 15 për qind të investimeve kapitale, Qeveria Kurti i ka në 4 komuna

Adem Qorrolli, ekspert i Ekonomisë, në emisionin “Tempus” në KTV, foli për investimet kapitale në komuna dhe deklaratën e dhënë së fundi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me investimet në komuna.

“15 për qind të investimeve kapitale në Qeverinë Kurti, i ka në katër komuna”, ka thënë Qorrolli.

Sipas tij, nga 788.3 milionë për komuna apo 22% të buxhetit, 105 milionë kjo qeveri i ka në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.

Gjithashtu, ai e komentoi edhe deklaratën të cilën së fundmi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e bëri lidhur me investimet në komuna.

“Por çka në komunat tjera? Kemi bllokime të projekteve ku publikisht merr guximin të thotë kandidati për kryeministër ‘me qëllim nuk ua kam dhënë se ju e keqpërdorni’. Pra duhet të jetë i partisë së tij që nuk keqpërdor, është ekonomist i mirë, je ndërmarrës i mirë se je te ne”, ka thënë Qorrolli.

Sipas ekspertit, Kurti erdhi, e mbajti pushtetin dhe e përmbylli një mandat pesëvjeçar përmes krizave dhe stimulimeve populiste.

“Erdhi në mes të krizave dhe stimulimeve populiste. E ka mbajtur pushtetin mes krizave dhe stimulimeve populiste dhe po e mbyll pesëvjeçarin me kriza dhe stimulime populiste”, shtoi Qorrolli.


Çka do të ndodhë me Ligjin për Buxhet si pasojë e situatës politike?

Në emisionin “Tempus” të hënën diskutua se çka do të ndodhë me Ligjin për Buxhet si pasojë e situatës politike në vend.

Adem Qorrolli si ekspert i Ekonomisë dhe Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) ishin të ftuar lidhur me temën “Vendimet e qeverisë në detyrë nga aspekti ekonomik dhe juridik”.

Jakaj tha se Qeveria në detyrë nuk ka pasur të drejtë të miratojë ligj për ndarjet buxhetore.

“Sepse kur është miratu njëri prej ligjeve më vitale në kuptimin e qeverisjes së mirë, është pra ky ligji për qeverinë, i cili në vitin 2022 i ka përcaktu edhe kufizimet në rastin e Qeverisë në detyrë. Këto kufizime kanë qenë të mos miratojë ligje përveç punëve të përditshme dhe punët që i ka në planin vjetor të punës. Një përjashtim që është bërë për qeverinë në detyrë është miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm por qeveria në detyrë nuk konsiderohet kjo aktualisht”, tha Jakaj.

Sipas tij, kjo qeveri është Qeveri që i ka kaluar mandati dhe se një qeveri është në detyrë pas shpërndarjes, pas dhënies së dorëheqjes së kryeministrit ose pas votimit të sukesshëm të mosbesimit të qeverisë.

“Nëse qeveria do të miratonte buxhet para datës 22 mars 2021, atëherë ai ligj do të ishte ligj i cili do të aplikohej në vitin 2026, por vetëm duke mos prekur dhe duke mos vendosur politika të reja”, tha Jakaj.

Andaj, sipas hulumtuesit, këto vendime nuk janë në përputhje me Ligjin për Qeverinë dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Në anën tjetër, sipas Qorrollit, ministri në detyrë, Hekuran Murati dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po gabojnë qëllimshëm.

“Realisht e pashë atë ditë Hekuran Muratin kur prezantoi një buxhet 3.9 miliardë euro”, ka thënë Qorrolli.

Ndërsa buxhetin e prezantuar nga Murati, Qorrolli e quajti “Buxhet i mashtrimit”.

“Këta gabojnë për t’u avancuar më vonë. Këta e kanë ngritur një buxhet 4 miliardë që në prill ta bëjnë 5 miliardë e diçka. Sepse me punën e tyre buxheti është rritur një miliard. E realisht është buxhet i mashtrimit”, është shprehur Qorrolli.

Teprica buxhetore dhe inflacioni i kësaj teprice, janë problematikë për të cilën dha sqarime Qorrolli.

“Buxheti i Kosovës që i ka planifikuar duhet të jenë 5.2 miliardë euro. Dhe kur e them këtë, 3.2 miliardë pritet të mbushen llogaritë nga doganat. 1.6 miliardë janë tepricë buxhetore”, ka thënë Qorrolli.

“Pra, kemi një varfëri të lartë dhe neve na tepron 1.6 miliardë euro. E kap inflacioni 4% për tre muaj, 5% për tre muaj, këto humbje nuk i merr parasysh as ministri as kryeministri”, shtoi Qorrolli.

Ndërsa paraprakisht, Qorrolli bëri të ditur se humbjet janë afër 800 milionë euro.

“Deri më 1 tetor, janë 780 milionë janë humbje të projekteve infrastrukturore”, theksoi Qorrolli.