George Friedman ka parashikuar para pesëmbëdhjetë vjetësh pothuaj me saktësi të plotë pushtimin e parë dhe të dytë rus të Ukrainës. Janë pikërisht parashikimet sikur ky, të cilët kanë çimentuar statusin e tij si një nga mendimtarët kyç gjeopolitik modern
“Përafërsisht deri në vitin 2020 brenga kryesore e Rusisë do të jetë ngritja e shtetit rus dhe rivendosja e fuqisë ruse në rajon... Konfrontimi i intensitetit të ulët global do të fillojë në vitin 2015 dhe do të intensifikohet në vitin 2020”. George Friedman, janar 2009, libri “100 vjetët e ardhshëm”.
***
George Friedman ka parashikuar para pesëmbëdhjetë vjetësh pothuaj me saktësi të plotë pushtimin e parë dhe të dytë rus të Ukrainës. Janë pikërisht parashikimet sikur ky, të cilët kanë çimentuar statusin e tij si një nga mendimtarët kyç gjeopolitik modern.
Në kolumnen e kaluar kam mbuluar arsyet kyçe të cilat e kanë motivuar Friedmanin të konkludojë se SHBA-ja do të jetë fuqi e pakontestueshme globale në 100 vjetët e ardhshëm. Në kolumnen e sotme do të shikojmë se cilat do të janë konfliktet e së ardhmes për të cilat duhet të përgatitet bota. Friedmani sheh pesë “pikat e thyerjes”: (1) Paqësori, (2) Rusia, (3) Evropa, (4) Turqia dhe (5) Meksika.
Le të fillojmë me Paqësorin. Paqësori është rajon i botës më rritjen më të madhe ekonomike në historinë moderne të njerëzimit. Kjo rritje udhëhiqet nga Kina dhe Japonia. Sidoqoftë, kjo rritje ekonomike është në disbalancë me kapacitetet e tyre ushtarake. Të dy këto vende janë tërësisht të varura nga qasja e lirshme në korridoret oqeanike, të cilat kontrollohen nga forcat detare amerikane. Kjo situatë e vendos Kinën dhe Japoninë në një pozitë jashtëzakonisht vulnerabile. Refuzimi eventual i SHBA-së, i qasjes së Kinës apo Japonisë në oqeane do të ishte shkatërruese për të dy vende. Dhe janë pikërisht situatat sikur këto të cilat kanë shtyrë Japoninë ta sulmojë SHBA-në në Pearl Harbour gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sulmi erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e ndërprerjes së furnizimeve japoneze nga SHBA-ja. Sot Japonia është vend aleat me SHBA-në, por Kina nuk është. Me fjalë të tjera, Kina kupton se nuk mund të qëndrojë kaq e varur nga vullneti i mirë i forcave detare amerikane. Nëse dëshiron të krijojë një siguri të parashikueshme për të ardhmen e saj, Kina është e dënuar të zhvillojë kapacitetet ushtarake të cilat do t’i lejojnë navigim të lirshëm dhe të pavarur në Paqësor. Kjo do ta vendosë në kurs të drejtpërdrejtë kolizioni me interesat nacionale të SHBA-së. Dhe kjo është arsyeja përse Paqësori është strukturalisht i dënuar të jetë një nga krizat e së ardhmes.
Rajoni i dytë i krizës është Rusia. Rusia asnjëherë nuk ka gjetur paqe me Evropën. Luftërat Napoleonike, dy luftëra botërore dhe Lufta e Ftohtë, të gjitha këto në epiqendër kanë pasur marrëdhënien e Rusisë me Evropën. Rusia e bashkuar çdo herë ka paraqitur kërcënim për Evropën, njëjtë siç Evropa e bashkuar ka paraqitur kërcenim për Rusinë. Këto janë dinamika strukturore gjeopolitike kundër të cilave personalitetet e kohës kanë shumë pak hapësirë për manovrim. Për të kuptuar Rusinë duhet të kuptojmë dobësinë e saj. Dobësia e saj janë kufijtë. Rusia është tërësisht e ekspozuar ndaj pushtimit në krahun e saj perëndimor. Ky është korridori të cilin e kanë shfrytëzuar Napoleoni dhe Hitleri për ta pushtuar Rusinë. Pra, kufijtë perëndimorë të Rusisë janë ftesë e hapur për pushtuesit potencialë. Në këtë sens e vetmja mbrojtje e mundshme e Rusisë është thellësia e kufijve të saj perëndimorë. Sa më larg pushtuesit potencialë duhet të udhëtojnë për të arritur në Moskë aq më e mbrojtur ndihet Rusia. Dhe kjo strategji ruse e ka kaluar testin e kohës. Në të dy rastet e Napoleonit dhe Hitlerit thellësia e kufijve ruse, e kombinuar me klimën e ashpër, e kanë shpëtuar Rusinë. Në këtë kontekst, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik fuqitë perëndimore kanë lëvizur me shpejtësi për të zgjeruar sferën e tyre të ndikimit në ish-vendet e ish-BSSR-së. Kësisoj vendet Baltike u integruan në BE dhe NATO, ndërsa Kaukazi dhe “stanet” avancuan marrëdhëniet me SHBA-në. Si pasojë e zgjerimit perëndimor, kufijtë rusë janë degraduar sot në nivelin e tyre më të vogël historik. Në vitin 1989, Shën Petersburgu ishte 1600 km larg trupave të NATO-së. Sot është 160 km. Në vitin 1989, Moska ishte 2500 km larg trupave të NATO-së. Sot është 500 km. Kjo është arsyeja përse Rusia është strukturalisht e dënuar që të zmbrapsë shtrirjen e mëtejme të fuqive perëndimore. Rrjedhimisht Rusia do të shtyjë mbrapa në tri drejtime. Drejtimi i parë është ky që shohim sot në Ukrainë. Drejtimi i dytë do të jetë në Kaukaz dhe drejtimi i tretë do të jetë në Azinë qendrore apo “stanet” e BRSS-së.
Rajoni i tretë i krizës do të jetë Evropa. Paqe, stabilitet, prosperitet – të gjitha këto që shohim sot në Bashkimin Evropian është anomali në kuptimin e historisë evropiane. Pjesën dërrmuese të historisë normaliteti i tokës evropiane ka qenë luftë, tragjedi dhe shkatërrim. Sot pyetja para Evropës është se a ka hyrë Evropa në paqen e saj të përhershme, apo paqja e 70 vjetëve të fundit është vetëm armëpushim momental?
Bashkimi Evropian është një ndërmarrje komplekse politike e cila ka arritur deri më sot të kontrollojë epshet nacionaliste. Por ato epshe nuk janë të zhdukura. Ato jetojnë thellë në shoqëritë evropiane dhe janë ende pjesë përbërëse e ADN-së së shteteve sovrane evropiane. Këto epshe zgjohen nga gjumi arkaik sa herë shpërthen një krizë dhe preken interesat thelbësore nacionale. Shikoni sot sa shpejt Franca është e gatshme t’i mbrojë bujqit e saj në kurriz të vendeve të tjera anëtare. Mbani mend sa shpejt disa vende anëtare i rivendosën kufijtë e tyre nacionalë në kohën e krizës së migrimit, duke shkelur kështu çdo parim të bashkëpunimit në kuadër të unionit evropian. Me ardhjen e opsioneve të djathta politike në vende të ndryshme evropiane epshet e tilla nacionaliste vetëm do të sforcohen edhe më shumë. Së fundi kuptuam se partia gjermane e ekstremit të djathtë, e cila synon të marrë pushtetin në Gjermani - Alternativa për Gjermani - ka marrë pjesë në mbledhjet të cilat kanë pasur për synim ringjalljen e ideve naziste. Me fjalë të tjera, nën sipërfaqen e paqes dhe prosperitetit evropian ende jeton një vullkan pasiv i luftërave dhe tragjedive, i cili mund të aktivizohet shumë shpejt.
Rajoni i katërt i krizës është Turqia. Jo që Turqia do të jetë vend i krizës, por do të jetë burim i saj. Nga të gjitha vendet myslimane, Turqia është e vetmja e cila ka kapacitet dhe perspektivë për t’u shndërruar në fuqi rajonale e cila mund të sfidojë interesat amerikane. Në histori moderne asnjë vend mysliman nuk ka arritur të shndërrohet në fuqi rajonale. Indonezia, si vendi më i madh mysliman, nuk ka kapacitetet bazë për këtë. Pakistani është vendi i dytë më i madh mysliman dhe fuqi bërthamore, por mungesa strukturore e kohezionit të brendshëm si dhe kufizimi me Kinën dhe Indinë asnjëherë nuk do t’i lejojë që të shndërrohet në fuqi rajonale. Kësisoj, kandidatë të tjerë që ngelin janë Egjipti, Turqia dhe Irani. Egjipti është vend më i madh me 80 milionë banorë, Turqia ka 71 milionë dhe Irani 65 milionë. Për shkak të sfidave strukturore të brendshme, Egjipti nuk do të arrijë asnjëherë të shndërrohet në fuqi rajonale. Kjo i lë Turqinë dhe Iranin si dy kandidatë të vetëm për lidershipin rajonal në mesin e vendeve myslimane. Ndonëse Irani ka sjellje agresive, sjellja e tij është reflektim i dobësisë. Në mbrojte të regjimit iranian kundër SHBA-së, myslimanëve sunitë dhe koalicionit arab anti-iranian, Irani është i dënuar të jetë në vazhdimësi agresiv. Ky preokupim imediat iranian me sigurinë e vet afatshkurtër nuk i lejon që të ndajë resurse të nevojshme strukturore për rritje afatgjate iraniane që do ta avancojë atë në fuqi rajonale. Kësisoj, Turqia ngelet i vetmi kandidat serioz për dominimin e botës myslimane. Turqia është vendi më i zhvilluar i rajonit dhe është strategjikisht e pozicionuar në mes Evropës, Lindjes së Mesme dhe Rusisë. Roli i Turqisë në menaxhimin e luftës në Ukrainë ka shpërfaqur potencialin gjeopolitik të Turqisë. Dhe ndonëse sot Turqia dhe SHBA-ja janë aleate, historia është e mbushur me raste ku aleatët e dikurshëm janë kthyer në armiq të përbetuar. Rritja e vazhdueshme ekonomike e Turqisë, gara për resurse të çmueshme globale, shndërrimi i Turqisë në mbrojtëse globale të kauzave myslimane, si dhe solidifikimi i pozitës së saj rajonale do të jenë një koktej i rrezikshëm gjeopolitik i cili do ta vendosë Turqinë në kurs kolizioni me interesat nacionale të SHBA-së.
Dhe rajoni i pestë i krizës do të jetë Meksika. Tradicionalisht, konfliktet lindin për shkak të kufijve. Kufijtë janë zakonisht rajonet që karakterizohen me histori komplekse, emocione etnike dhe tensione politike. Kufiri në mes të Meksikës dhe SHBA-së nuk është ndryshe. Mosmarrëveshjet eventuale rreth kufijve nuk zgjidhen mbi bazën e parametrave moralë, por mbi parametrat e forcës ushtarake dhe llogarive politike. Kësisoj edhe u vendos kufiri në mes Meksikës dhe SHBA-së në shekullin XIX, kur Meksika humbi luftën dhe SHBA-ja e përcaktoi kufirin e sotëm. Por Meksika nuk do të jetë përgjithmonë vend i dobët. Ajo është tanimë ekonomia e katërmbëdhjetë e botës. Nëse e keni vështirë ta imagjinoni një Meksikë të fortë në 100 vjetët e ardhshëm, veç imagjinojeni ngritjen gjermane dhe japoneze nga viti 1950, ku janë këto dy vende sot. Ose imagjinojeni Kinën e vitit 1970 dhe Kinën e sotme. Pra, fuqizimi ekonomik dhe ushtarak i Meksikës është opsion real dhe një opsion i cili do ta vendoste atë në kurs të drejtpërdrejtë kolizioni me interesat kyçe nacionale të SHBA-së.
***
Se a do të realizohen këto parashikime të Friedmanit nuk e dimë. Unë që shkruaj këta rreshta dhe ju që i lexoni nuk do të jemi gjallë për ta vërtetuar saktësinë e tyre, 100 vjet nga sot. Por përtej saktësisë së tyre, analiza e Friedmanit na ofron një kornizë vështrimi të dinamikave kyçe globale të cilat diktohen nga faktorët strukturorë gjeopolitikë dhe të cilat do të duhet të menaxhohen nga liderët e kohës. Kosova dhe Ballkani do të jenë vetëm një pikë uji në det, në sfondin e shekullit XXI. Kjo është edhe arsyeja përse vështrimi i këtyre dinamikave na ndihmon që ta kuptojmë vendin tonë në botë, në mënyrë që të përpiqemi të navigojmë kohërat turbulente të cilat do t’i karakterizojnë 100 vjetët e ardhshëm.