OpEd

Falënderim Ukrainës

Ndonëse festa për liberalizimin e vizave duhet të presë 1 janarin 2024, nga java e kaluar Bashkimi Evropian ka hequr pengesën e fundit politike drejt liberalizimit të vizave. Edhe për këtë, si për shumëçka tjetër sot në botë duhet t’i falënderohemi popullit ukrainas

Java e kaluar na solli lajmin e shumëpritur për miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian. Duke e përcjellë takimin e ministrave të brendshëm të BE-së përjetova emocione jo të vogla diku në mes frustrimit dhe gëzimit. Frustrim, pasi që një izolimi të padrejtë dhe tejet të gjatë prej dhjetë vjetësh iu dha fund me lehtësinë e një takimi prej dhjetë sekondash. Pra, gjatë gjithë kësaj kohe të izolimit dhe padrejtësie zgjidhja ishte kaq e lehtë dhe e shpejtë: vetëm 10 sekonda të vullnetit të dikujt. Vetrealizimi që dikush ka kaq pushtet të madh mbi lirinë tënde është një ndjenjë shumë e fortë. Nga ana tjetër, ky ishte patjetër edhe moment gëzimi pasi që më në fund kësaj padrejtësie po i vjen fundi.

Vendimi i javës së kaluar i Këshillit për Punë të Brendshme dhe të Drejtësisë së Bashkimit Evropian ishte hap kyç politik i cili heq edhe pengesën e fundit politike drejt liberalizimit të vizave. E them të fundit pasi që ishte Këshilli ai i cili ka bllokuar liberalizimin e vizave që nga viti 2018. Pra, në korrik 2018, pasi që Kosova kishte ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, Komisioni Evropian dorëzoi raportin përfundimtar për përmbushjen e kritereve të liberalizimit të vizave për Kosovën duke vlerësuar se tani Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret. Menjëherë në gusht 2018, Komisioni për Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian (LIBE) miratoi vlerësimin e Komisionit Evropian, ndërsa në shtator kështu vendosi edhe seanca plenare e Parlamentit Evropian. Pra, të gjithë ishin dakord se Kosova kishte përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave. Të gjithë, përveç institucionit kryesor të BE-së: Këshilli i Bashkimit Evropian. Nga viti 2018, Këshilli nuk ka ndarë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret e liberalizimit dhe rrjedhimisht ka refuzuar të konsiderojë inicimin e procedurës legjislative për plotësim-ndryshim të rregullores që do të lejonte liberalizimin e vizave për Kosovën. Rritja e kohëpaskohshme e trendëve të azilkërkuesve në BE, si dhe degradimet në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, i ofronin argumente të bollshme Këshillit të BE-së që të arsyetonte mospërmbushjen e kritereve të liberalizimit të vizave nga ana e Kosovës. Dikur me kalimin e kohës ishte e qartë po ashtu se BE-ja është duke shfrytëzuar liberalizimin e vizave edhe si levë presioni ndaj Kosovës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. E gjithë kjo dinamikë u zhvillua në sfondin e rritjes së partive populiste në BE dhe mungesës së apetitit politik brenda BE-së për hapjen e kufijve ndaj vendeve të treta. Status quo-ja e liberalizimit të vizave u shkund nga vendi së bashku me pothuaj çdo gjë tjetër në botë me agresionin rus të Ukrainës. Në përpjekje për të projektuar fuqinë e BE-së në rajon dhe për të mbajtur rajonin të qetë dhe stabil, BE-ja riktheu vëmendjen politike ndaj rajonit. Kësisoj brenda pak kohësh u hapën negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Bosnjës iu dha statusi i vendit kandidat, ndërsa Kosovës tani po i jepet liberalizimi i vizave. Gjërat që nuk u arritën prej vitesh tani po arrihen brenda pak muajsh. Prandaj, thënë ndryshe, më meritorët për liberalizimin e vizave për Kosovën duket të jetë populli ukrainas.

Tani, duke shikuar përpara priten edhe dy votime brenda Parlamentit Evropian për të finalizuar procedurën ligjore të liberalizimit të vizave. E para, Rregullorja 2018/1806 pas votimit nga ana e Këshillit duhet të votohet brenda Komisionit të Parlamentit Evropian për Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme; dhe e dyta, pas votimit nga ana e Komisionit Rregullorja duhet të miratohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Kompletimi i këtyre dy hapave është edhe zyrtarisht fundi i procesit legjislativ dhe fillimi i hyrjes në fuqi të liberalizmit të vizave për Kosovën. Në të dy këta hapa pritet përkrahja pothuaj unanime e deputetëve evropianë pasi që ata tradicionalisht kanë përkrahur pa rezerva rrugëtimin evropian të Kosovës, por edhe Kosovën në përgjithësi. Është e arsyeshme që kjo procedurë të përfundojë deri në fund të muajit prill, duke hapur kështu rrugë për lëvizjen e lirë të qytetarëve në zonën Shengen nga 1 janari 2024.

Rrugëtimi i Kosovës drejt liberalizimit të vizave tanimë ka hyrë në histori si proces më i gjatë i liberalizimit të vizave. Këta dhjetë vjet të liberalizimit të vizave ishin “rollercoaster” i emocioneve jo vetëm për shkak padrejtësisë së BE-së, por edhe për shkak të papërgjegjësisë së politikanëve tanë që shpallnin liberalizimin e vizave të kryer “pardje”. E gjithë kjo histori e dhimbshme na ka mësuar se nuk mund t’i gëzohemi liberalizimit të vizave deri në ditën e hyrjes në zonën Shengen me pasaportë të Kosovës në xhep. Prandaj, festa për liberalizimin e vizave duhet të presë 1 janarin 2024, por nga java e kaluar kemi çdo arsye për të qenë të lumtur se kësaj sage dhjetëvjeçare po i vjen fundi.