Nëse analizojmë kohën, mënyrën dhe kontekstin politik në të cilin ka ndodhur kërcënimi, është e qartë se nuk bëhet fjalë për një incident kriminal të zakonshëm. Kjo është një goditje simbolike dhe perceptuale, që synon të krijojë një narrativë të re: se institucionet e Kosovës janë të dobëta, të pambrojtura dhe të paafta për të menaxhuar momentet kyçe politike
Prof. Dr. Bejtush Gashi
Ngjarja alarmante e 5 korrikut 2025, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës mori një kërcënim me eksploziv përmes një mesazhi SMS në gjuhën angleze, nuk është një rast i izoluar apo një incident i zakonshëm kriminal. Ky akt përfaqëson një komponent të qartë të luftës hibride – një formë moderne e agresionit strategjik që ka për synim destabilizimin institucional, delegjitimimin e proceseve demokratike dhe dobësimin e rendit kushtetues.
Ky sulm ndodh në një periudhë tejet të ndjeshme për Republikën e Kosovës. Aktualisht, vendi ndodhet në një gjendje të thelluar vakumi institucional: pas mbajtjes së zgjedhjeve të fundit, ende nuk është konstituuar Kuvendi dhe nuk është formuar një Qeveri e re. Kjo do të thotë se Kosova, de facto, është me Qeveri në detyrë dhe pa legjitimitet të plotë për të ushtruar funksionet e saj ekzekutive në përputhje me vullnetin e ri qytetar. Kjo gjendje përbën një terren jashtëzakonisht të favorshëm për operacione hibride. Mungesa e stabilitetit politik dhe institucional nxit aktorët e jashtëm dhe të brendshëm keqdashës që të shfrytëzojnë boshllëkun e autoritetit për të ndërhyrë, për të ndikuar në agjendën publike dhe për të testuar kapacitetin e shtetit për të ruajtur rendin dhe sovranitetin.
Lufta hibride si instrument i përçarjes dhe sabotimit politik
Në epokën e kërcënimeve të sofistikuara dhe jo-lineare, sulmet nuk ndodhin vetëm përmes mjeteve ushtarake të drejtpërdrejta, por përmes operacioneve psikologjike, manipulimit të informacionit, destabilizimit digjital dhe ndërhyrjeve të fshehta në proceset vendimmarrëse politike.
Kërcënimi ndaj Kuvendit përkon me momentin kur Kosova ndodhet në bllokadë procedurale për zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – një krizë që ka ndaluar përkohësisht tërësinë e funksionimit të rregullt kushtetues. Ky faktor ngre dyshime të bazuara se qëllimi i këtij akti ishte pikërisht nxitja e kaosit politik, dekurajimi i pjesëmarrjes institucionale dhe krijimi i një atmosfere frike dhe pasigurie.
Ky rast nuk mund të kuptohet i shkëputur nga konteksti ndërkombëtar. Lufta hibride është tashmë një realitet i njohur në sigurinë euroatlantike. Raste si: Ukraina (2014–2022), ku ndërhyrjet hibride ruse ishin të përqendruara në sabotimin e institucioneve politike dhe krijimin e krizave legjitimiteti; Lituania (2021), ku një seri kërcënimesh me bomba ndaj ndërtesave qeveritare kishin për qëllim testimin e reziliencës institucionale; Maqedonia e Veriut (2017), ku kërcënimet ndaj deputetëve dhe ndërtesës së Kuvendit u analizuan si pjesë e përpjekjeve për të sabotuar formimin e qeverisë së re – janë dëshmi të qarta se këto veprime janë pjesë e një manuali të njohur të operacioneve hibride, me objektiv të drejtpërdrejtë: minimin e funksionimit demokratik dhe dobësimin e autoritetit shtetëror.
Sipas vlerësimeve paraprake, mesazhi kërcënues është dërguar në mënyrë të koduar nga një numër i regjistruar jashtë vendit. Përdorimi i teknologjive si spoofing, SIM virtuale, VPN, dhe metoda të tjera të fshehjes digjitale, sugjeron një shkallë të lartë sofistikimi teknik dhe një përpjekje të qartë për të fshehur gjurmët reale të autorëve. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që orkestrimi i këtij kërcënimi të jetë realizuar brenda territorit të Kosovës, me qëllim krijimin e një efekti destabilizues brenda dhe jashtë vendit.
Nëse analizojmë kohën, mënyrën dhe kontekstin politik në të cilin ka ndodhur kërcënimi, është e qartë se nuk bëhet fjalë për një incident kriminal të zakonshëm. Kjo është një goditje simbolike dhe perceptuale, që synon të krijojë një narrativë të re: se institucionet e Kosovës janë të dobëta, të pambrojtura dhe të paafta për të menaxhuar momentet kyçe politike.
Mesazhet kryesore që përcillen janë: Institucionet nuk janë në gjendje të garantojnë sigurinë kombëtare; Proceset demokratike mund të manipulohen përmes frikës dhe kërcënimeve të panjohura; Shteti është i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe të brendshme që nuk kontrollohen lehtësisht.
Rekomandime strategjike për një reagim institucional të qëndrueshëm
Në funksion të parandalimit të rasteve të ngjashme dhe ndërtimit të kapaciteteve strategjike, rekomandohet: Forcim i inteligjencës kibernetike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar – Hetimet duhet të udhëhiqen nga forenzika digjitale, në bashkëpunim me Europol, NATO CCDCOE dhe agjencitë homologe për të gjurmuar origjinën e sulmit dhe për të ndërtuar kapacitete rezilience për të ardhmen; Zhvillimi i një Protokolli Kombëtar për Sigurinë Hibride – Kosova duhet të hartojë një strategji të posaçme për adresimin e sulmeve hibride, duke integruar masa ligjore, teknologjike dhe komunikative për të parandaluar, identifikuar dhe neutralizuar kërcënimet në kohë reale; Komunikim publik i kontrolluar, i saktë dhe i unifikuar – Institucionet duhet të flasin me një zë të vetëm dhe profesional, duke siguruar transparencë, pa nxitje paniku, por as pa minimizuar rrezikun. Kjo është thelbësore për të ruajtur besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë; Investim në kapacitete institucionale dhe trajnime të specializuara – Në kushtet e një demokracie të re, ngritja e ekspertizës në fushën e sigurisë digjitale, operacioneve psy-ops dhe menaxhimit të krizave perceptuale është urgjencë kombëtare.
Është akt i qëllimshëm
Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës nuk është një rast i zakonshëm. Ai përfaqëson një akt të qëllimshëm dhe të sofistikuar të luftës hibride, i cili synon të ndikojë në thelbin e funksionimit të demokracisë, në besimin qytetar dhe në stabilitetin e rendit kushtetues të Kosovës. Në një kohë kur vendi nuk ka ende një qeveri të re të dalë nga zgjedhjet, kur Kuvendi nuk është funksional, dhe kur jemi përballë një vakumi të rrezikshëm institucional, çdo akt destabilizues merr një rëndësi shumëfish më të madhe.
Vetëm përmes një reagimi të bashkërenduar, profesional dhe të përqendruar strategjikisht – në nivel kombëtar dhe me mbështetje ndërkombëtare – Kosova mund të ruajë sovranitetin e saj, të mbrojë institucionet legjitime dhe të ecë përpara në rrugën e saj euroatlantike.