Fitorja e Kosovës në hendboll ndaj Rumanisë, më 14 mars 2021 në Bukuresht, mund të shërbejë si motivim. Prej rumunëve, që lëshuan kokulur palestrën pas ndeshjes në Bukuresht, ndonjëri mund të ketë shpresuar në turpërim të Kosovës. Por, ndodhi e kundërta. “Kemi humbur nga përfaqësuesja e një vendi që nuk është më i madh se një fshat i yni”, kishte deklaruar një ish-hendbollist i njohur rumun, i revoltuar nga rezultati i ndeshjes. Deklarata e tij ishte pranuar me tallje në Kosovë. Dhe të gjithë do të dëshironim që deklarata frustrimi nga rumunët të ketë edhe pas dy ndeshjeve në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2024”
“Ne nuk mund të luajmë në Kosovë e as Kosova nuk mund të luajë në Moldavi”.
Kjo ishte deklarata që turku Engin Firat, atëbotë selektor i Moldavisë në futboll, e kishte dhënë më 3 mars të vitit 2020. Firat kishte folur me respekt për forcën e Kosovës në fushën e blertë. Por, bujë shumë të madhe madje bëri ana politike e deklaratës së tij.
Kosova prej shumë vjetësh ishte pjesë e FIFA-s dhe e UEFA-s. Merrte pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare dhe entuziazmi për përfaqësuesen ishte në kulm. Përfaqësuesja e vendit tonë muaj më herët kishte përfunduar kualifikimet e rregullta për “Euro 2020”. Kishte shënuar fitore ndaj Çekisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Ishte mbajtur goxha mirë edhe ndaj Anglisë në ndeshjen e parë. Në një grup të fortë ishte renditur e treta dhe po bëhej gati për plejofin për kualifikim në evropian.
Dhe në këtë moment të mirë të Kosovës, kur tifozët e shumtë dhe të zjarrtë tashmë e shihnin përfaqësuesen e futbollit në evropian, Firat preku një çështje që nuk i ndahet dot përfaqësueses sonë – anën politike. Për më tepër, preku në krenarinë tonë, të paktën të tifozëve të zjarrtë që përfaqësuesen e shihnin tashmë në nivel tjetër, dukshëm më të lartë se Moldavia.
Vlerësohej fyese e nënçmuese deklarata e Firatit. Nuk pranohej te ne që selektori i një vendi si Moldavia, pa ndonjë sukses e nivel në futboll, të na e thoshte troç: Nuk mund të luani te ne dhe nuk luajmë te ju.
Dy vjet e gjysmë më vonë, pak ka ndryshuar në këtë drejtim. Një short tjetër dhe ofendime të tjera. Këtë herë nga Rumania.
Një politikan rumun, që ka mbajtur pozita të larta në të kaluarën, dha propozimin që bëri bujë në Rumani e po ashtu në Kosovë. Ai tha që Rumania nuk duhet të luajë ndaj Kosovës edhe me kushtin që ndeshjet t’i humbë me rezultatin 3:0. Sipas politikanit, Federata e Futbollit e Rumanisë duhet t’i përmbahet politikës së shtetit rumun, që nuk e njeh Kosovën.
Deklarata e tij u publikua gjerësisht, Federata rumune iu drejtua Qeverisë, ndërsa u deklarua edhe Qeveria rumune.
Është e pamenduar që Rumania të heqë dorë nga ndeshjet me Kosovën, që u takojnë kualifikimeve për Kampionatin Evropian të futbollit të vitit 2024. Pasojat për futbollin rumun do të ishin të mëdha. Konfederata Evropiane e Futbollit nuk besohet se do ta lejonte një gjë të tillë.
Edhe Qeveria e Rumanisë ka theksuar se sporti nuk duhet të përzihet me politikën, duke bërë të qartë se ndeshjet do të luhen.
Por, deklarata arriti efektin. U bë lajm, jo vetëm në Rumani, dhe ngjalli zemërim në Kosovë.
Për shkak të situatës politike, përkatësisht faktit që shtetin e Kosovës nuk e njohin një pjesë e vendeve evropiane dhe botërore, çështjet politike ishin të pandashme për përfaqësuesen e Kosovës prejse nisi me kualifikime.
Shijen e parë të diskriminimit, përkatësisht të trajtimit jo të barabartë, na e dha Ukraina, përkrahja ndaj së cilës tani në Kosovë konsiderohet e madhe. Ukraina, që po përballet me pushtimin e Rusisë, për kohë të gjatë ka pasur qëndrimin më të hekurt ndaj sportistëve kosovarë. Sportistët tanë nuk janë lejuar fare të hynin në territorin e Ukrainës. Kështu, ndeshja kualifikuese për “Botërorin 2018” mes Ukrainës dhe Kosovës ishte luajtur në Krakow të Polonisë, më 9 tetor 2016. Disa klube ukrainase edhe atëherë detyroheshin të luanin në qytete të tjera, për shkak të konfliktit me prorusët. Por, me Rusinë nuk kishin reflektuar në qëndrimin e Ukrainës karshi Kosovës. Vetëm dy-tre vjet më parë Ukraina nisi ta lejonte hyrjen e sportistëve kosovarë në territorin e saj.
Prej vendeve që nuk na njohin, Kosova më pas kishte luajtur me Azerbajxhanin. Ndeshja e parë ishte luajtur në Baku.
Moldavia vërtet refuzoi ta pranojë Kosovën në territorin e saj. Ndeshja e 3 shtatorit të 2020-s, Moldavi – Kosovë, ishte luajtur në Parma të Italisë. Dhe diskriminimi që na bëhej nuk kishte shërbyer shumë si motivim për lojtarët e Kosovës. Ndeshja kishte përfunduar “vetëm” 1:1. Moldavët më pas ishin detyruar të luanin në Kosovë, ashtu si të gjitha përfaqësueset e tjera.
Me Greqinë, që po ashtu nuk na e njeh shtetin, nuk ka pasur telashe sa i takon zhvillimit të ndeshjeve në territorin e saj, ndonëse së fundi sjelljet e tifozëve grekë ishin anti-Kosovë.
Rëndë ishte pritur edhe qëndrimi diskriminues i Spanjës. Spanjollët na pritën në Sevilla dhe erdhën në Prishtinë, por mënyra e prezantimit të Kosovës ishte shumë diskriminuese. Gjeorgjia është tjetër vend që nuk na e njeh shtetin dhe me të cilin kemi luajtur me përfaqësuese.
Qiproja është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën, por ajo në “fushën” e futbollit nuk ka paraqitur telashe.
Armenia po ashtu nuk e njeh Kosovën, ndërsa ndaj saj është aranzhuar miqësorja më 16 nëntor. Kjo është dëshmi që Armenia megjithatë nuk ka ndonjë qëndrim diskriminues ndaj futbollit kosovar.
Dhe në kualifikimet për “Euro 2024” nuk është një, por janë dy përfaqësuese problematike. Pos Rumanisë, Kosovën nuk e njeh as Bjellorusia. Bjellorusia aktualisht ndeshjet si vendase duhet t’i luajë në territor neutral dhe pa praninë e shikuesve. Bjellorusët kanë menduar që ndeshjet t’i luajnë në Serbi. Por, përfundimisht ndeshja me Kosovën nuk do të luhet në Serbi.
Pa ndonjë ndryshim rrënjësor, sa i takon gjendjes politike, përfaqësuesja e Kosovës edhe në të ardhmen do të përballet me telashe të këtij lloji. Sa herë që do të tërhiqet ndonjë short mund të ketë telashe si të ish-selektorit moldav dhe politikanit rumun.
UEFA nuk lejon ndeshjet e Kosovës me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën (për shkak të ndikimit serb) dhe Rusinë (aktualisht të suspenduar). Por, lejon ndeshjet e Kosovës me të gjitha përfaqësueset e tjera evropiane. Kështu që, edhe në shortet e ardhshme do të ketë në grup me Kosovën përfaqësuese të vendeve që nuk na njohin.
Përfaqësuesja e futbollit nuk mund të ndryshojë këtë realitet. Por, mund të motivohet prej këtyre zhvillimeve. Dhe duhet të motivohet.
Fitorja e Kosovës në hendboll ndaj Rumanisë, më 14 mars 2021 në Bukuresht, mund të shërbejë si motivim. Prej rumunëve, që lëshuan kokulur palestrën pas ndeshjes në Bukuresht, ndonjëri mund të ketë shpresuar në turpërim të Kosovës. Por, ndodhi e kundërta.
“Kemi humbur nga përfaqësuesja e një vendi që nuk është më i madh se një fshat i yni”, kishte deklaruar një ish-hendbollist i njohur rumun, i revoltuar nga rezultati i ndeshjes.
Deklarata e tij ishte pranuar me tallje në Kosovë. Dhe të gjithë do të dëshironim që deklarata frustrimi nga rumunët të ketë edhe pas dy ndeshjeve në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2024”.