Dhe kush nuk duhet në jëtë në krye të shtetit në këtë kohë të furtunave të mëdha gjeopolitike.
1.
Në Kosovë kanë mbetur edhe pak ditë për të zgjedhur presidenten apo presidentin e vendit, por ende nuk dihet se kush janë kandidatët. Dihet vetëm që presidentja aktuale synon edhe një mandat. Shihet se ajo nuk i ka 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim, siç nuk ka as deklarime të qarta nga partitë politike se cilin kandidat apo kandidate mbështesin. Realisht, nuk dihet se kush do të jetë në krye të shtetit në pesë vitet e ardhshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNuk dihet biografia e kandidatit apo e kandidatëve. Nuk dihet asgjë për orientimin e tyre politik; nga vijnë, kush janë, çfarë synojnë në politikë, çfarë vlerash përfaqësojnë (dhe çfarë jo) apo çfarë qëndrimesh mbajnë për çështjet më të rëndësishme. Në këtë cirk, populli është thjesht një spektator para manezhit politik, duke pritur që një „çudibërës“ të dalë në skenë dhe të nxjerrë kandidatin nga cilindri.
2.
Nëse i bëjmë një bilanc përvojës së zgjedhjes së presidentëve që nga shpallja e pavarësisë, rezultati nuk është i mirë. Dy herë ka ndodhur rrëzimi i presidentëve nga Gjykata Kushtetuese. Një herë bashkësia ndërkombëtare u detyrua të propozonte vetë një kandidate për ta shpëtuar Kosovën nga një krizë e thellë politike. Ka pasur raste kur zgjedhjet janë bërë për arsye krejtësisht jashtëpolitike. Të gjitha këto nuk ia kanë rritur vlerën postit të presidentit në sytë e qytetarëve.
Zgjedhja e presidentit është shndërruar në një „bombë atomike“ që mund ta hedhë në erë qeverinë, nëse procesi dështon në Parlament. Kjo mund të ndodhë madje edhe pak javë pas zgjedhjeve parlamentare. Në një situatë të tillë Kosova gjendet edhe tani.
3.
Për hir të stabilitetit institucional, por edhe që posti i presidentit të mos jetë më pjesë e pazareve politike, nuk ka zgjidhje tjetër përveç ndryshimit të Kushtetutës, në mënyrë që kreu i shtetit të zgjidhet direkt nga qytetarët. Është e habitshme që kryetarët e partive nuk po e diskutojnë pikërisht këtë çështje tani. Sepse edhe pas pesë viteve, Kosova do të gjendet sërish para të njëjtës situatë: partitë nuk merren vesh dhe në çastin e fundit dikush nxirret sërish si „lepur“ nga cilindri.
4.
Pa marrë parasysh se cilin personalitet vendosin ta zgjedhin partitë politike në postin e presidentit, një gjë duhet të jetë e qartë: Kosovës i duhet një figurë që ka përvojë politike, diplomatike, është i/e ambientuar në proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, njeh raportet ndërkombëtare dhe ka përvojë komunikimi me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe një personalitet i tillë mund të jetë grua apo burrë, me rëndësi është profili. Në këtë kohë të furtunave të mëdha gjeopolitike, Kosova nuk ka as luks, as kohë për eksperimente. Nuk do të duhej të zgjidhej askush në post të presidentit për shkaqe emocionale apo me argumente vetëm patriotike.
5.
Në Gjermani këto ditë është duke u diskutuar ideja që në postin e presidentes të zgjidhet Angela Merkel, ish-kancelarja me përvojë të gjatë politike. Nëse një vend si Gjermania i kushton kaq shumë rëndësi përvojës politike, Kosova nuk duhet të lejojë që poste të larta politike të marrin figura të panjohura, pra "kuti politike" që nuk dihet çka kanë brenda, që nuk u është dëgjuar gati kurrë zëri në publik, që nuk dihen qëndrimet e tyre politike.
6.
Nga çdo kandidat për kryeministër kërkohet të shpjegohet para opinionit, të shpalos programin, të japë intervista, të mbajë qëndrime. Pse këto kritere nuk vlejnë për postin e presidentit? 5 vite janë të gjata dhe Kosova do të përballet me sfida të mëdha. Përvoja politike është esenciale për t’iu përgjigjur këtyre sfidave. Dhe përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje të duhur dhe për të shmangur eksperimentet politike janë të gjitha partitë, e në radhë të parë partia që i ka fituar zgjedhjet.
Kosova ka diplomatë dhe ish-diplomatë, por edhe personalitete të tjera nga jeta politike që do ishin dinjitozë për postin e presidentit, nëse nuk ka pajtueshmëri për të vazhduar edhe një mandat me presidenten aktuale. Kjo është çështje e partive politike dhe vendimmarrësit duhet ta kenë parasysh se është në duart e tyre të mos shkaktojnë dëme politike me kandidatura të papërshtatshme.