OpEd

Me 100 euro për Gjermani

Kosova është në rrezik. Jo nga liberalizimi, por nga veprimet e veta. Është koha e fundit për ndryshime. Që 100 eurot të mos na kushtojnë...

Çlirimi i takon një prej gjeneratave të fundit të paraluftës. Luftën nuk e mban mend. E di vetëm nga rrëfimet e të tjerëve. U rrit në kushte mesatare në një familje të lumtur që qe e bindur se kthimi në Kosovë është vendimi më i mirë i jetës. Shpresonin se e ardhmja vjen më e mirë. Dikur qenë të bindur se Çlirimi do të rritej në një vend të sigurt e që do ta kalonte edhe Zvicrën...

Pasi mbaroi Fakultetin e Mjekësisë nisi karrierën si mjek në një vend ku edhe banjat pikojnë. Filloi të shërbente aty ku pullat e telekomandave të shtretërve janë vetëm dekore. U dilte në krah njerëzve edhe pse e dinte që në Kosovë nuk mund të gjenin shërim. Provonte t’i bindte që të përpiqeshin për jetë, sado që në vetvete e pranonte se në mungesë kushtesh e ardhmja e tyre po iu afrohej fundit. I lodhur nga puna e i mërzitur nga rastet që përjetonte, shpresa i qe zbehur se vendi i tij i punës një ditë do të jetë normal. Megjithatë, u dilte kundër në vazhdimësi shokëve që i thoshin hajde ikim në Gjermani. Me rrogën e tij gati të plotë në kredi, ndihmonte prindërit në prag pensioni të tejkalojnë sfidat e jetës.

I dërrmuar nga një ditë pune, në fund të vitit me t’u kthyer në shtëpi gjeti 200 euro afër dollapit. I befasuar, sepse nuk arrinte të kursente fare, pa edhe një letër ngjitur. “Djali im, ka ardhur koha të mendosh për vete. 200 euro i ke që të shikosh për kontratë pune, aty ku ti ke dinjitet. Mendo për veten”. Babai, që dikur e ktheu në Kosovë, tashmë ishte dorëzuar. Me paratë e prindërve pensionistë, i ati i Çlirimit donte ta çlironte djalin nga shtrëngimi i Kosovës. Si nëpër filma kishte rishikuar të gjithë jetën prapa në pak sekonda, përfshirë dhe veprimet që ka bërë që prej kthimit në vendlindje. Në fund ia kishte shtruar vetes pyetjen se a e meriton i biri i tij të ketë sfida të pakalueshme, për shkak të vendimit të të atit. Pasi përgjigjen e pranoi, vendosi t’i merrte paratë që shteti ua dhuroi pensionistëve dhe ta çonte djalin larg.

Me liberalizimin në prag, babai i Çlirimit e dinte se s’ka shumë pengesa që i biri t’i shkonte në Gjermani për të parë për vende pune e të negociojë kontrata. I duheshin vetëm paratë që t’ia plotësojë kushtin e qëndrimit ditor. Pasi që Gjermania kërkonte rreth 45 euro në ditë, mori 200 euro nga prindërit pensionistë dhe ia dha të birit që në janar të kërkojë punë për pak ditë në Gjermani. Ia siguroi vendqëndrimin dhe biletën.

I vënë në prag të të gjitha veprimeve të kryera, Çlirimi s’pati zgjidhje tjetër veçse të dorëzohej para faktit se jeta ia kërkon ndryshimin e madh.

***

Pas disa muajsh, rrugës me aeroplan, Çlirimi kishte mërzi e drojë se çka po e priste. A mund t’i linte prapa vetëm prindërit e motrën? Si mund të largohej nga vendi ku u rrit e përjetoi gjithçka? Çka nëse është njëjtë edhe atje dhe nuk e presin me lule? Gjithçka i sillej në kokë, por tashmë ishte në rrugë. Qielli e bënte, në tjetrën anë, pak të lumtur se fundja-fundit për pak ditë mund ta shohë Gjermaninë ku u lind.

Me të mbërritur, pa shokët në aeroport. Ishte rritur e shkolluar bashkë me ta, e tash po e prisnin në kostume që në Kosovë i sheh vetëm në dasma e ngjarje zyrtare. U lakmoi. Shokët ia kishin siguruar negociatat për kontratë pune, e Çlirimit i mjaftonin pak para që të udhëtonte nga vendi ku po flinte te familjarët. 200 eurot i mjaftuan për katër ditë, si dëshmi që ia kërkonte puna e liberalizimit, e të shihte ku i përshtateshin më shumë punësimi e vendbanimet.

U kthye pa shpenzuar cent për këto pak ditë, sepse i dolën në krah familjarë e miq. Tashmë e kishte listën ku i përshtatej vazhdimi i jetës, por ende kishte peng se a mund të merrte vendimin final. Kaluan javë e muaj dhe kriza sa vinte e rëndohej dhe iu desh të priste mendjen. La Kosovën dhe gjeti një vend pune me rrogë jo fort të lartë, e një banesë që do ta ndante me një shok.

***

Tashmë në rrugë të konsolidimit, Çlirimi vendosi që verën ta shijonte si mërgimtar në Prishtinë. Ulur me gjyshërit dhe prindërit, nën rrezet e diellit tashmë i çliruar nga stresi për kredinë, gjatë një kafeje pati një moment reflektimi. Iu kujtua 200-euroshi se si ia hapi rrugën për ndryshim jete. Me ato 200 eurot e fillimit, Çlirimi tashmë po dërgonte shumën e njëjtë sa të pagës në Kosovë, për prindërit e tij që po i afroheshin pensionit.

S'do ta harrojë kurrë fundvitin e 2023-tës. Ishte letra e babait të tij, që e bindi për largim. Por ishin paratë e gjyshërve që ia sollën çlirimin. E mbi të gjitha ishte dorëzimi i shtetit për të ardhmen.

Kishte qeshur vazhdimisht me videon “ku t’muj, n’Xhamajkë, Xhamajkë ”. Por videoja e para nja 10 vjetësh, në fund i doli realitet i hidhur. Kosovën po e shihte teksa zbrazej, e dita-ditës lista e arsyeve po shtonte rreshta. Ndër kryesoret i kishte përjetuar me lëkurën e vet. Punonte në shëndetësi në një vend ku s’ka sistem të mirëfilltë shëndetësor e ishte arsimuar në një vend që prin në listën e kthyer mbrapsht. Mbi të gjitha këto, me pagë detyrohej të mbijetonte.

***

Përballë të gjitha krizave, në vend se ta zbuste gjendjen e ‘çlirimave’, Kosova qe dorëzuar. Në mungesë të një vizioni investimi, shteti ishte kthyer në vend bamirës nëpërmjet vitrave. Në kohën kur të rinjtë s'ndalen së kuptuari se e ardhmja po zbehet, ndarja e ndihmave nga shteti dhe liberalizimi i vizave për Çlirimin qenë të barasvlershme me thirrjen për ta lëshuar këtë vend.

Gati 69 milionë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës në formë subvencioni prej 100 eurosh për dy kategoritë më të ndjeshme, fëmijët e pensionistët. Mbi 680 mijë është numri i atyre që përfitojnë nga kjo masë. Dhuratat për vitin e ri janë gjithmonë të mirëpritura, por assesi në formë të tillë kur gjendja ekonomike kërkon investime e rikuperime të thella. Për ta rënduar, masa po ndodh në vitin e tretë të qeverisjes, që njihej si shpresa e fundit. E shpresa po humb.

Dikush mund të thotë se më mirë 69 milionë euro për këto kategori si dhurata se si ndëshkim për autostrada. E vërtetë. Por dhurata do të kishte arsyetim po qe se këta pensionistë me nga 100 euro në muaj, nuk do të shërbeheshin në spitalet kaotike. Pos kësaj, arsyetim nuk ka as ndarja e shumës së njëjtë për të gjithë. Një pjesë të milionave të shtetit do ta marrin edhe pensionistë milionerë apo edhe fëmijët e milionerëve. 100 euro për fëmijën e milionerit aq sa për skamnorin. 100 euro për pensionistin që vuan në Kosovë me 100 euro pension dhe po aq për pensionistin që jeton në sistem të mirëfilltë shëndetësor në Gjermani, e që tash trajtohet nën urdhrat e Çlirimit.

Dorën e shtetit nuk e ndiejnë ata që nuk i takojnë brezit “që do ta bënte Kosovën Zvicër”. Ky brez tashmë po ikën vetë për t’u bërë “zviceranë a gjermanë”. E paratë e pensionistëve paradoksalisht do të shfrytëzohen si dhurata për mundësi më të mira për brezin e artë që po shikon kontrata pune larg. Pa dyshim, fëmijët do t’ua kthejnë kur të kenë mirëqenie larg. Mirëmbajtja e varfërisë nuk çon askund, thoshte opozita. Në fakt, fatkeqësisht po dërguaka në Gjermani.

Çlirimi mund të mos jetë i vetmi. Kosova është në rrezik. Jo nga liberalizimi, por nga vetvetja. Është koha e fundit të veprohet si duhet, ose të gjithë do ta duan çlirimin. E çlirimi po del të mos jetë shumë i shtrenjtë sivjet, por kërcënon të kushtojë rëndë në të ardhmen.

Si kambanë reflektimi, gëzuar 2024!

LEXO EDHE: