Për progres në negociatat e anëtarësimit në BE duhet të përputhen vullneti politik dhe përmbushja e obligimeve. Në rastin e Shqipërisë, këtë vit ka ndodhur pikërisht kjo, prandaj edhe ka avancuar aq shumë. Kjo do të reflektohet edhe në Raportin e progresit të Komisionit Evropian. Është e vërtetë se në BE dhe vendet anëtare vlerësojnë se Shqipëria ka sfidë të madhe krimin e organizuar dhe krimin serioz. Por ajo që është vlerësuar, është vullneti i Shqipërisë që pa rezerva ta luftojë këtë dukuri në bashkëpunim policor edhe me vendet anëtare të BE-së. Kjo, krahas imazhit të mirë politik të Shqipërisë, ka bërë që ajo për një vit të bëjë atë që Serbia nuk e ka bërë as për dhjet vjet.
Paketa e zgjerimit të BE-së këtë vit do të përsërisë se për herë të parë pas mandatit të Komisionit Barroso gjatë periudhës 2009-2014, ka nisur një mandat i Komisionit, gjatë të cilit vlerësohet reale që zgjerimi të ndodhë, pra që para se të mbarojë mandati i Komisionit Von der Leyen, 2 shtete të reja anëtare të pranohen në BE. Dhe nuk ka dyshim se dy vende dallohen në vargun e 10 shteteve nga procesi i zgjerimit. Mali i Zi dhe Shqipëria janë vendet që më së shpeshti përmenden si anëtare të reja potenciale, edhe para përfundimit të këtij dhjetëvjeçari, pra para vitit 2030.
Raportet e progresit do të përsërisin se Mali i Zi ka plan ambicioz që t’i mbyllë të gjithë kapitujt gjatë vitit 2026, ndërsa Shqipëria deri në vitin 2027. Këto janë afate kohore që vetes ia kanë vendosur Mali i Zi dhe Shqipëria dhe nuk janë afate të BE-së. Por, Komisioni Evropian do të shprehë gatishmërinë për t’iu ndihmuar që t’i arrijnë ambiciet e tyre dhe gjithçka do të varet nga meritat individuale për t’i përmbushur kriteret e nevojshme.
Në Shqipëri, ku ka pak interes për përmbajtjen e vërtetë për procesin e zgjerimit, më në fund edhe qytetarët kanë nisur të besojnë se anëtarësimi në BE është realitet. Numri i madh i samiteve ndërkombëtare të zhvilluara në Shqipëri, lëvdatat e mëdha për progresin e Shqipërisë që dëgjohen nga liderë evropianë, hapja e pothuajse të gjithë kapitujve në negociatat e anëtarësimit, ata të fundit pritet të hapen pas dy javësh, kanë krijuar një atmosferë shumë pozitive edhe në Shqipëri për BE-në, por edhe në BE për Shqipërinë. Aq pozitive saqë nganjëherë fitohet përshtypja se Shqipëria është në prag të anëtarësimit. E ajo, me gjithë suksesin e madh këtë vit, akoma është në fillim, në fazën e hapjes së kapitujve, pa e mbyllur asnjë.
Tash do të vijë sfida kryesore për Shqipërinë, ajo e mbylljes së kapitujve. Për ta mbyllur cilindo kapitull, së pari për Shqipërinë duhet të miratohet një raport i ndërmjetshëm për përmbushjen e kritereve kalimtare nga kapitulli për sundimin e ligjit. Vetëm nëse ai raport do të jetë pozitiv, dhe me këtë të pajtohen të gjitha vendet anëtare, Shqipëria mund ta nisë mbylljen e kapitujve. Por ajo mbyllje nuk do të shkojë me shpejtësinë me të cilën janë hapur. Dhe do të mbyllen jo më në grup, por një nga një, vetëm ata për të cilët do të konfirmohet se janë përmbushur të gjitha kriteret. Kjo nuk duhet ta frikësojë Shqipërinë, por duhet shumë kujdes dhe shumë punë. Ajo që Shqipëria nuk guxon kurrsesi ta bëjë është që të mendojë se me lobim politik do të arrijë që t’i tejkalojë pengesat që mund të paraqiten në rast të mospërmbushjes së kritereve. Shumë vende anëtare nuk do të bëjnë kompromis me përmbushjen e kritereve.
Po ashtu Shqipëria duhet të ketë kujdes, sepse disa vende anëtare nuk impresionohen me raportet e Komisionit Evropian dhe duan që vetë të binden që vendi kandidat, në këtë rast Shqipëria, i ka përmbushur të gjitha kriteret. Prandaj diplomacia shqiptare, ekipi negociator që deri tash ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe vetëm ata e dinë sa voluminoze është kjo punë, e gjithë Qeveria dhe opozita, duhet të mobilizohen në kontakte bilaterale me vendet anëtare të BE-së për t’i informuar me kohë për progresin, për të dëgjuar eventualisht ndonjë brengë të tyre, dhe në këtë mënyrë për ta siguruar në secilin hap mbështetjen e vendeve anëtare. Raportet dhe vlerësimet e Komisionit Evropian, deklaratat ambicioze të presidentes Ursula Von der Leyen dhe komisioneres Marta Kos janë të mirëseardhura, por ato nuk do të mjaftojnë për t’i tejkaluar të gjitha pengesat që mund të paraqiten në rrugëtimin akoma të gjatë që para vetes e ka Shqipëria drejt anëtarësimit në BE.
Për progres në negociatat e anëtarësimit në BE duhet të përputhen vullneti politik dhe përmbushja e obligimeve. Në rastin e Shqipërisë, këtë vit ka ndodhur pikërisht kjo, prandaj edhe ka avancuar aq shumë. Kjo do të reflektohet edhe në Raportin e progresit të Komisionit Evropian. Është e vërtetë se në BE dhe vendet anëtare vlerësojnë se Shqipëria ka sfidë të madhe krimin e organizuar dhe krimin serioz. Por ajo që është vlerësuar, është vullneti i Shqipërisë që pa rezerva ta luftojë këtë dukuri në bashkëpunim policor edhe me vendet anëtare të BE-së. Kjo, krahas imazhit të mirë politik të Shqipërisë, ka bërë që ajo për një vit të bëjë atë që Serbia nuk e ka bërë as për dhjetë vjet.
Për Shqipërinë si “narko-shtet“ nuk flitet më aq shumë në vendet evropiane sa flitet në Shqipëri. Por në anën tjetër nuk duhet relativizuar krimin e organizuar në Shqipëri dhe efektin që kanë në disa shtete në BE organizatat e krimit të organizuar, në të cilat janë përfshirë shqiptarët. Nuk mund të ketë profilizim etnik të krimit të organizuar dhe është mirë që Shqipëria e lufton këtë propagandë ndaj shqiptarëve në disa qarqe kryesisht të ekstremit të djathtë në Evropë. Por, ajo që ka vlerë është bashkëpunimi i hetuesve dhe policëve shqiptarë me kolegët e tyre në Evropë. Në BE dhe vende anëtare thonë se “kurrë në histori nuk kemi pasur bashkëpunim më të mirë me Shqipërinë në luftimin e bandave kriminale”, dhe se kjo po shihet edhe me shkatërrimin e numrit të madh të grupeve të tilla në disa vende.
Në këtë raport të progresit do të shihet se Shqipëria progresin më të madh e ka bërë pikërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit serioz. Këtu, sipas draftit të raportit, Shqipëria ka bërë “progres të mirë”, që është ndër notat më të larta që merr Shqipëria në Raportin e progresit dhe ky sukses është falë punës së SPAK-ut, sidomos në ngritjen e aktakuzave për krime në nivel të lartë, dhe kjo është ndër vlerësimet e Komisionit Evropian.
Edhe pse për Shqipërinë dhe për Malin e Zi raportet e progresit do të jenë më pozitive sesa për vendet e tjera, kjo nuk duhet të kuptohet sikur puna të jetë kryer. Sepse vendet e tjera ose kanë stagnim, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina, ose kanë ecur prapa si Serbia. Por edhe ky raport i progresit për Shqipërinë, sado pozitiv që të jetë, nuk e ka gjuhën aq pozitive sa do të fitohej përshtypja nga deklaratat pozitive të zyrtarëve të BE-së. Në raport, në shumë vende konstatohet se Shqipëria akoma ka shumë për të bërë për t’i arritur standardet që kërkohen për një vend anëtar. Do të duhet të bëhet shumë në lirinë e shprehjes dhe mediave. Dhe po ashtu ky raport nuk do të mund të evitojë pa konstatuar se procesi zgjedhor, ndonëse i qetë dhe sipas ligjeve, nuk ka qenë i barabartë me keqpërdorimin e hapësirës nga partia në pushtet. Për zyrtarë të BE-së Raporti i ODHIR-it, edhe pse ishte pritur të jetë kritik, ka qenë edhe më kritik sesa kanë pritur ndaj Shqipërisë. Një shtet që dëshiron së shpejti të hyjë në BE, duhet një herë e përgjithmonë ta heqë nga rendi i ditës problemin e organizimit të zgjedhjeve, që ai proces të jetë aq i zakonshëm saqë të mos ketë as ankesa e as kritika çfarë ka përmendur ODHIR-i për zgjedhjet e fundit parlamentare. Raporti për Shqipërinë do të thotë edhe një gjë tjetër evidente, atë që procesi i negociatave me BE-në në Shqipëri të jetë më inkluziv. Pra, duhet edhe më shumë në këtë proces të angazhohen opozita, shoqëria civile, mediat, shoqëria akademike. Duhet të ketë mobilizim gjithëkombëtar, sepse në BE hyjnë shtetet e jo partitë politike. Historia e deritashme e integrimeve të Shqipërisë në strukturat euroatlantike ka dëshmuar se të gjitha partitë në momentin kur ishin në pushtet kanë dhënë kontribut në këtë. Shqipëria kështu u bë anëtare e NATO-s, mori liberalizimin e vizave dhe aplikoi për anëtarësim në BE, kur qeverinë e udhëhiqte PD-ja. Tash po bën përparim të madh me PS-në në krye të qeverisë. Dhe kushedi se cila parti do të jetë në pushtet, kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Dhe për popullin nuk do të ketë aspak rëndësi. Me rëndësi është që shteti të avancojë dhe qytetarët të kenë dobi nga kjo. Ky është edhe mësim që Shqipëria mund ta nxjerrë nga shembulli i Kroacisë, vend i cili edhe pas 12 vjetësh kur hyri në BE, vazhdon të jetë “vendi më i ri anëtar“ i bllokut. Gjatë gjithë procesit të integrimit të Kroacisë janë ndërruar katër kryeministra, gjashtë qeveri. Ka pasur si çdo kund betejë të ashpër politike në vend, por kurrë për temat që lidheshin me BE-në. Kur liderët e opozitës nga Kroacia vinin në Bruksel dhe pyeteshin për luftën që kanë me opozitën, përgjigjeshin se “këto do t’i diskutojnë në shtëpi e jo këtu në Bruksel, sepse këtu janë për të punuar në interes të shtetit”.