Liderët e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë hapa të rinj për të siguruar mbështetje afatgjatë financiare dhe ushtarake për Ukrainën, duke vënë në qendër të debatit përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Vendimi, i diskutuar në samitin e Brukselit, shihet si një alternativë ndaj huamarrjes së përbashkët të BE-së, por shoqërohet me dilema ligjore dhe politike
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk janë duke arritur gjuhën e dakordimit mbi një marrëveshje financimi për Ukrainën, e që po konsiderohet si zgjidhje midis “parave sot ose gjakderdhjes nesër”.
Në një samit që ka nisur të enjten në Bruksel, liderët evropianë po diskutojnë mbi një lëvizje të paprecedentë për të përdorur disa prej aseteve të ngrira ruse prej 210 miliardë eurosh, për plotësimin e nevojave ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës në vitet e ardhshme.
Belgjika është shteti që po kundërshton një hua të tillë pa ofrim të garancive.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se liderët evropianë janë para një zgjedhjeje të thjeshtë:
“Ose paratë sot ose gjakderdhje nesër”.
Tusk ka theksuar se shohin shpresë në përdorimin e asteve ruse, në mënyrë që të mos përdoren rezervat e buxhetit të BE-së, por shtoi se zyrtarët belgë dhe nga disa vende të tjera janë të shqetësuar se vendet e tyre mund të përballen me kundërpadi ligjore nga Rusia nëse pranojnë lirimin e këtyre fondeve.
“Shtetet kryesore të BE-së nuk janë entuziaste për përdorimin e rezervave të buxhetit të BE-së. Prandaj, nuk shoh shpresë që të përdoren drejtpërdrejt paratë evropiane. Në vend të kësaj, do të shqyrtohet një hua në formën e reparacioneve, e bazuar në asetet ruse. Gjithashtu, do të kërkohen garanci të forta për vendet më të rrezikuara, si Belgjika, në mënyrë që ato të ndihen realisht të mbrojtura”, ka theksuar Tusk para takimit.
Nga gjithsej 210 miliardë euro asete ruse të ngrira në BE pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, rreth 185 miliardë euro mbahen në Belgjikë, në institucionin financiar Euroclear.
E presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve evropianë se kërcënimet ligjore nga Rusia nuk kanë pse të jenë aq të frikshme kur s’e ke atë në kufi.
Ai ka thënë se nga pikëpamja morale, është e drejtë të përdoren fondet ruse kundër sulmeve të tyre ndaj një vendi sovran.
“Njësoj siç autoritetet konfiskojnë paratë e trafikantëve të drogës dhe sekuestrojnë armët e terroristëve, edhe asetet ruse duhet të përdoren për t’u mbrojtur nga agresioni rus dhe për të rindërtuar atë që është shkatërruar nga sulmet ruse. Kjo është morale. Është e drejtë. Është ligjore”, ka deklaruar Zelensky.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se “nuk do ta lëmë samitin pa një zgjidhje”. Një zyrtar i një qeverie evropiane u shpreh se është “me optimizëm të kujdesshëm, por jo tepër optimist” se do të arrihet një marrëveshje.
Por, vëmendja ishte përqendruar te kryeministri belg, Bart De Wever, i cili i tha parlamentit belg të enjten se, nëse gjithçka finalizohet dhe miratohet nga pjesa tjetër e BE-së, “atëherë do të hidhemi në humnerë së bashku me evropianët e tjerë dhe do të shpresojmë që parashuta të na mbajë”.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se i sheh gjasat për arritjen e një marrëveshjeje për asetet si 50 me 50, kurse kancelari gjerman, Friedrich Merz, u shpreh se ka përshtypje se mund të arrihet marrëveshja.
Versioni më i fundit i draftit të përfundimeve të samitit, i cili ende nuk është miratuar dhe mund të ndryshojë ndjeshëm, e që është parë nga “Reuters”, parashikon që liderët të marrin vendimin politik për të ecur përpara me huan për reparacione dhe t’u ngarkojnë zyrtarëve detyrën që të sqarojnë “urgjentisht” detajet.
Teksti i draftit specifikon se rreziku do të ndahet mes shteteve të BE-së, së bashku me disa kushte të tjera që synojnë të qetësojnë Belgjikën dhe vendet e tjera.
Ndërkaq, Moska zyrtare ka paralajmëruar se do të përgjigjet me hakmarrje të ashpër nëse Evropa përdor asetet shtetërore ruse të ngrira për të mbështetur Ukrainën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka cilësuar planet evropiane si “pirateri” dhe “vjedhje prone”, ndërsa zyrtarët rusë kanë diskutuar hapur sekuestrimin e aseteve perëndimore të mbetura në Rusi nëse blloku vendos për asetet ruse.
Moska zyrtare ka eksploruar masa ligjore dhe rregullatorë që do të lehtësonin shtetëzimet e mëtejshme, duke u bazuar në një fushatë që tashmë u ka zhveshur kompanive të huaja miliarda dollarë që nga pushtimi i Ukrainës.
“The Guardian” ka raportuar të mërkurën se politikanët belgë dhe zyrtarët e lartë të financave janë shënjestruar gjithashtu nga një fushatë frikësimi e orkestruar nga inteligjenca ruse, që synon të ushtrojë presion mbi Brukselin për të bllokuar përdorimin e 185 miliardë eurove në asetet e ngrira për të mbështetur Ukrainën.
Kërcënimet e Rusisë kanë rënë në mënyrë të pabarabartë në të gjithë bllokun. Belgjika, Italia dhe Austria - vende me banka, kompani dhe infrastrukturë financiare ende thellësisht të ekspozuara ndaj Rusisë - kanë shprehur shqetësim në rritje se hakmarrja do t'i godiste ato të parat dhe më rëndë.
Kompanitë perëndimore ende kanë rreth 127 miliardë dollarë asete në Rusi, sipas Institutit të Shkollës së Ekonomisë në Kiev, ndërsa më shumë se 2,000 firma të huaja vazhdojnë të operojnë në vend.
Moska gjithashtu kontrollon shuma të mëdha të mbajtura në të ashtuquajturat llogari të tipit C, ku dividendët dhe të ardhurat nga investimet që u detyrohen investitorëve perëndimorë janë të ngrira.
Media ruse RBK ka raportuar se Kremlini mund t'i ridrejtojë shpejt këto fonde në buxhetin e shtetit nëse Evropa vendos në favor të Ukrainës duke i shfrytëzuar asetet ruse.
Samiti do të vazhdojë edhe të premten.