Hezitimi i BE-së për të hapur urën në Mitrovicën e Veriut nuk ka të bëjë me shqetësimet për sigurinë, tensionet etnike apo ndonjë nga ato justifikime të zakonshme të burokratëve të Brukselit. Në dy ura të tjera, që gjenden aty pranë, qarkullimi vijon normalisht si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet. Arsyeja e vërtetë është më e thjeshtë: Ura mbi Ibër nuk është në nivelin e veprave artistike që janë në kartëmonedhat euro! Si mund të miratojë BE-ja hapjen e një ure që nuk përshtatet me galerinë e saj të urave të kuruara me aq kujdes?
Te çdo kartëmonedhë euroje është një urë.
Urat janë simbolike dhe paraqesin stile arkitektonike nga periudha të ndryshme të historisë së Evropës.
Asnjë urë nuk është reale. Por, ato janë simbole të bashkëpunimit dhe lidhjes mes kombeve të kontinentit.
Bashkimi Evropian e ka çuar obsesionin e tij për urat në një nivel të pamendueshëm.
Kur vjen puna te një urë reale, e prekshme në Mitrovicën e Veriut, BE-ja është e vendosur që më mirë të rrijë mbyllur.
Hezitimi i BE-së për të hapur urën në Mitrovicën e Veriut nuk ka të bëjë me shqetësimet për sigurinë, tensionet etnike apo ndonjë nga ato justifikime të zakonshme të burokratëve të Brukselit. Në dy ura të tjera, që gjenden aty pranë, qarkullimi vijon normalisht si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet. Arsyeja e vërtetë është më e thjeshtë: Ura mbi Ibër nuk është në nivelin e veprave artistike që janë në kartëmonedhat euro! Si mund të miratojë BE-ja hapjen e një ure që nuk përshtatet me galerinë e saj të urave të kuruara me aq kujdes?
Kosovës, që ka në përdorim monedhën euro, nuk i falet kjo gjë (më).
Mendoni hatanë nëse do të hapet ura, një urë që nuk përputhet me harqet romake të kartëmonedhës 5-euroshe ose me majat gotike të kartëmonedhës 20-euroshe. Çfarë tmerri! E gjithë estetika evropiane do të merrte një goditje fatale. Është e qartë se BE-ja, me aftësinë e saj proverbiale për të zgjidhur konflikte, nuk mund të lejojë që një mospërputhje e tillë arkitektonike të njollosë harmoninë perfekte të monedhës së saj.
Dhe mos t’i harrojmë edhe pasojat gjeopolitike. Imagjinoni tronditjen nëse dikush do të kalojë urën në Mitrovicën e Veriut duke mbajtur në dorë kartëmonedhë 50-euroshe dhe të shohë se ura aty nuk ngjan me asnjë nga urat që janë në kartëmonedha. Autoriteti simbolik i BE-së do të vihej në pikëpyetje. Kriza e besimit mund të destabilizonte jo vetëm rajonin por gjithë Unionin.
Për më tepër, hapja e një ure reale që njerëzit të mund ta përdorin për të kaluar nga një anë në tjetrën —vendos një precedent të rrezikshëm! Brukseli mund të përmbytet me kërkesa që edhe urat e tjera të hapen për qarkullim. BE-ja mund të përballet me realitetin e pakëndshëm, ku njerëzit vlerësojnë më shumë urat reale sesa urat në kartëmonedha që janë konceptuar në mënyrë artistike dhe të përsosura simetrikisht.
Pra, le t’i japim ÇEZARIT atë që i takon Çezarit. Refuzimi i BE-së për të hapur urën në Mitrovicën e Veriut nuk është dështim diplomacie apo mungesë shqetësimi për stabilitetin e Kosovës, nuk ka lidhje as me faktin se ndërmjetësuesi i BE-së, Lajçak, nuk ka me se të merret. Jo, është një qëndrim parimor për të mbrojtur integritetin artistik të monedhës euro dhe urat fiktive mishërojnë vërtet shpirtin e unitetit evropian. Në fund të fundit, çfarë vlere ka një urë reale kur mund të kesh një të përsosur, imagjinare, në portofolin tënd?
Dhe krejt për fund, pasi dolën në qarkullim monedhat euro, Holanda ndërtoi disa ura që u ngjanin atyre në kartëmonedha. Këtë gjë mund ta bëjë edhe Kosova. Ta rindërtojë urën në modelin e kartëmonedhës 200 euro dhe pastaj jemi në rregull.