OpEd

Prishtina ka merituar më mirë

Ismet Beqirin e mbajmë mend për mbylljen e “Nënës Terezë” dhe shndërrimin e rrugës kryesore në “shesh”. Isa Mustafën e mbajmë mend për ndërtimin e Rrugës B, Shpend Ahmetin e mbajmë mend si, fillimisht, ndaluesin e ndërtimeve pa leje e më pas kampionin e lëshimit të lejeve të ndërtimit. Përparim Ramën do ta mbajmë mend, ndër të tjera, si krijuesin e kaosit më të madh të trafikut që ka përjetuar ndonjëherë Prishtina; për maninë e shndërrimit të rrugëve në sheshe dhe për nisjen e “projekteve madhore” dhe mospërfundimin e asnjërit nga to gjatë mandatit të vet

I kanë mbetur edhe nja katër muaj mandat. Dhe kur e shikon prapa kohën e kaluar qëkur u zgjodh kryetar i kryeqytetit, janë disa gjëra për të cilat do të mbahet mend, por shumë pak sosh të mira.

Me të ardhur në pozitë, nisi me pastrimin e tarracave që kishin dalë madje thellë në shesh. I shembi disa sosh dhe jo krejt; e pastroi rrugën kryesore të mbyllur për qarkullim nga shitësit ambulantë, dhe mund të thuhej se nisi me këmbë të mbarë.

E krijoi një app për kontrollin e ndotjes akustike pas miratimit të rregullores komunale, që është copy-paste i ligjit. Sidomos banorët në qendër iu gëzuam asaj që në fund do të dilte të ishte propagandë e thatë dhe gënjeshtër – sepse shpresonim se më në fund do të ndalej zhurma nga lokalet uzurpuese të hapësirave publike.

E kritikoi ndërtimin e parkingut nëntokësor nga paraardhësi i tij në këtë post. Thoshte se parkingjet do të duhej të skajoheshin nga qendra ashtu që qytetarët të “detyroheshin” t’i përdornin Trafikun Urban, si dhe biçikletat. Parking të ri nuk ndërtoi. Bleu biçikleta të shtrenjta. Një herë lejoi që në “Xhorxh Bush” të qarkullonin autobusët, e më pas e mbylli krejt.

E premtoi ndërtimin e sallës koncertale brenda mandatit të tij, por kjo nuk ndodhi, ani pse shkoi në Japoni që të merrej vesh me arkitektin, projektuesin e transformimit të shtëpisë së mallrave në sallë koncertesh.

* * *

Nisi punimet në Rrugën A, por ato u ndërprenë me vendim gjyqësor, për shkak të një problemi falsifikimi te punëkryesi. U bënë disa vjet, por rruga është ende duke u ndërtuar, pa një ide të qartë se kur do të përfundojë.

Nga gjysma e mandatit i plasi një skandal në Kuvendin Komunal, që u përkrah edhe me kuorumin që ia formoi Vetëvendosja, kur u mor vendim për këmbimin e tokave jondërtimore te Badovci me sipërfaqe shumë më të madhe tokash në Prishtinën e re. Toka te Badovci kishte qenë e lidhur me një projekt që byroja e tij projektuese e kishte bërë, pa u zgjedhur ky kryetar, e së cilës nuk iu dha kurrë leja e ndërtimit, për shkak se bëhej fjalë për zonë të mbrojtur.

Një ditë prej ditësh e nënshkroi një vendim me gabime serioze formale-juridike dhe i mbylli dy rrugë dhe një, çka me i thënë, kalim, copëza e të cilit së fundmi u bë “shesh”. Edhe një në vargun e dhjetëra shesheve që ka Prishtina në radius prej nja 150 metrave a sa.

Ndërkohë, e krijoi “Arkitektin e qytetit”, të cilit ia ndau një buxhet milionësh, dhe sa herë paralajmëronte realizimin e ndonjë projekti, na e qiste një render diku. Nuk e di nëse ka mbajtur takime me qytetarë dhe nëse është zhvilluar ndonjë diskutim publik për projektet që i ka nisur apo edhe planifikuar. E di sigurt se për njërin projekt i ka dërguar përfaqësuesit e vet me një vizatim që nuk doli të ishte ky që tash po zbatohet. Për të dytin, jam edhe më e sigurt, debat publik dhe konsultime me palët e prekura nuk ka pasur.

* * *

Gjashtë muaj para skadimit të mandatit, pasi tashmë i ishte bllokuar projekti në “Arbëri” për shkak të problemeve me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore (nja 6 milionë euro vlerë), e bëri përurimin e punimeve në rrugën “Xhorxh Bush”, në të cilën tashmë paraprakisht i kishte shpenzuar nuk e di sa mijëra euro për t’i hequr skajoret që i ndanin dy anët e korsive dhe për t’i zëvendësuar ato me kubëza, ndërkohë që rruga qëndroi e mbyllur mbi dy vjet.

Projekti, të cilin duket se askush, pos ekipit tij të ngushtë, nuk e ka parë të plotë, sipas renderit të paraqitur në pankartën e madhe të vendosur në hyrje të rrugës, prekte edhe në prona private e edhe në ato shoqërore. Por, gjithashtu përfshinte punë edhe në afërsi të, atëherë besohej, katër monumenteve nën mbrojtje. Në fund, pasi Komuna ia dorëzoi projektin IKMM-së, doli se bëhej fjalë për pesë monumente, prej të cilave një është nën mbrojtjen e përhershme (Biblioteka Kombëtare) dhe katër nën atë të përkohshme (Grandi, Rektorati, RTP-ja dhe BQK-ja).

E Ligji për Trashëgiminë Kulturore, që i mbisundon të gjitha, sepse trashëgimia kulturore është kategori kushtetuese, kërkon që për projektin dhe zbatimin e tij të merret leja përkatëse nga IKMM-ja. Leja nuk u kërkua deri pas ndërprerjes së punës herën e parë. Dhe leja nuk u dha, për shkak se institucionet e trashëgimisë dhanë gjashtë rekomandime që projekti t’iu përshtatej kërkesave të ligjit.

Gjetjet e IKMM-së konstatonin se projekti parasheh ndërhyrje në aspektin urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve, si Rektorati i UP-së dhe Radio Prishtina, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.

* * *

Reagimet ishin të shumëllojta. Euforike, përçmuese, ofenduese, idhnake, konfliktuoze dhe në fund u shndërruan në një pingpong të pafund në FB mes kryetarit të Prishtinës e kryetarit të LDK-së nga njëra anë, dhe ministrave të dorëhequr të Kulturës dhe të Financave në anën tjetër. Kishte edhe reagime në stilin se “krejt duhet me i shemb, sepse janë objekte komuniste”. Dhe kjo e fundit ma kujtoi një episod të para më shumë se një dekade, të cilin e vlerësova se duhej përmendur në kontekstin e një debati që është nisur rrugës për në konflikt.

Kur e patën djegur ndërtesën e “Unionit”, ekzistonte frika e bazuar se objekti do të mund të rrafshohej e të zëvendësohej me ndonjë ndërtesë, qesi “taze” të pasluftës.

Pasi që kisha shkruar një kolumne në mbrojtje të “Unionit”, një zyrtar i lartë komunal kishte marrë mundin të më shkruante email për t’më kritikuar se “objekti të cilin po e mbroja, ishte i pushtuesit dhe se nuk ia vlente”.

Iu përgjigja që, sipas kësaj logjike, do të duhej rrënuar krejt objektet e periudhës otomane, për shkak se edhe ato ishin të pushtuesit.

Sot po lexoj se si objektet komuniste do të duhej rrënuar për t’i hapur shteg sheshit në rrugën “Xhorxh Bush”, “për t’i shtrirë dyqanet përgjatë rrugës (sipas projektit bash përpara Rektoratit dhe Radio Prishtinës), e për ta ngjallur jetën ekonomike”.

Ftesa për “pastrimin e objekteve komuniste” përafërsisht nënkupton se duhen shembur krejt shkollat, fabrikat, QKUK-në, Bibliotekën Kombëtare, Pallatin e Rinisë, stadiumin, Kuvendin, Radio Prishtinën, Fakultetin Filozofik, Juridik/Ekonomik, Mensën e Studentëve, Grandin, Bozhurin, Teatrin, krejt objektet e banimit ndërtuar deri më 1999… e me këtë, duhet shlyer edhe një pjesë të historisë sonë, pa të cilën zor se madje kishim qenë në gjendje të shkruanim shqip.

Në kohën e socializmit, në emër të zhvillimit, u pati shkatërruar Çarshia e Prishtinës, që u “popullua” me ndërtesën e Bankës (tash Qeveria), me Shtëpinë e Mallrave, Postën e vjetër dhe ndërtesën e Sigurimit Social (tash selia e BE-së).

Mbase edhe atëherë do të kenë thënë se ndërtesat e Çarshisë kanë qenë të shëmtuara.

* * *

Transformimi i një rruge, së cilës me ngulm i referohemi shesh, në formën si e ka parafytyruar kryetari në fund të mandatit, edhe ka mundur të realizohej po qe se do të ishin përfillur procedurat dhe po qe se do t’i përmbahej ligjit.

Por, me arrogancën e dikujt që mbase edhe e ka bindur veten se është pronar i qytetit, u ka hyrë procedurave të tenderit, pa siguruar leje tjetër, pos asaj nga Drejtoria e Urbanizmit. Ani që kontrata peshon mbi 18 milionë euro.

Për më keq, nuk e ka qitur projektin në diskutim. Nuk e ka ndarë informatën me ata që do të prekeshin drejtpërdrejt nga ky projekt dhe nuk është interesuar për mendimin e tyre qytetar, ani që jo krejt do të mund të ishin arkitektë. Askujt nuk i ka treguar se përse në vend se ta shndërronte rrugën në park, që do të shtrihej deri në fund të rrugës “Garibaldi”, ka vendosur ta betonizojë edhe më shumë qendrën, e të shtonte edhe më shumë dyqane, pronësia e të cilave nuk është përkufizuar, ose së paku nuk është bërë publike.

Se a do të vazhdojë ky projekt, nuk e besoj se mund ta dimë. Veç uroj që të mos ndodhë ndonjë incident më i rëndë, për shkak se asnjë rrugë nuk ia vlen rrezikimin e kujtdo. Por atë që po e hamendësoj është se edhe nëse punët rinisin, ai nuk do të jetë më kryetar kur projekti të përfundojë. Sinqerisht, nuk e besoj se do të rizgjidhej edhe po ta kandidonte LDK-ja sërish.

* * *

Ismet Beqirin e mbajmë mend për mbylljen e “Nënës Terezë” dhe shndërrimin e rrugës kryesore në “shesh”. Isa Mustafën e mbajmë mend për ndërtimin e Rrugës B, Shpend Ahmetin e mbajmë mend si, fillimisht, ndaluesin e ndërtimeve pa leje e më pas kampionin e lëshimit të lejeve të ndërtimit, nuk e dimë me çfarë kriteri (nja 8 mijë leje në tre vjetët e fundit të mandatit). Përparim Ramën do ta mbajmë mend, ndër të tjera, si krijuesin e kaosit më të madh të trafikut që ka përjetuar ndonjëherë Prishtina; për maninë e shndërrimit të rrugëve në sheshe dhe për nisjen e “projekteve madhore” dhe mospërfundimin e asnjërit nga to gjatë mandatit të vet.

Prishtina ka merituar më mirë.

[email protected]