OpEd

Pse vendimi për liberalizimin e energjisë është në kundërshtim me konsensusin e ri të Washingtonit?

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Besfort Rrecaj

Besfort Rrecaj

Në fillim të vitit 2025, Autoriteti Rregullativ i Energjisë në Kosovë mori një vendim që po vazhdon të debatohet, me të cilin zbatoi liberalizimin e furnizimit me energji për konsumatorët industrialë, i cili do të prekë veçanërisht kompanitë të cilat punësojnë mbi 50 punëtorë. Ndërsa synimi ishte të promovohej stabiliteti në furnizim me energji dhe të arrihej integrimi me tregjet energjetike evropiane, rezultati i menjëhershëm shkaktoi një rritje të lartë të çmimeve të energjisë elektrike për prodhuesit vendorë, për të cilët energjia është atributi kryesor për zhvillimin e veprimtarisë. Tashmë ka pasur edhe raportime për të paktën një ose dy fabrika prodhuese të kenë ndërprerë aktivitetin për shkak të kostove të papërballueshme të energjisë, gjë që mbetet të verifikohen në aspektin afatgjatë.
Në një vend të vogël dhe ekonomikisht të brishtë si Kosova, çmimet e energjisë nuk duhet të shikohen thjesht si pasqyrim i kushteve të tregut, por ato janë një faktor përcaktues për mbijetesën e industrive vendore. Nëse konsensusi i ri i Washingtonit, ndër të tjerash, kërkon fuqizimin e bazës industriale shtetërore, politika aktuale energjetike e Kosovës duket të jetë në shpërputhje me këtë paradigmë të re ekonomike ndërkombëtare. Në një kohë kur aktorët kryesorë globalë po rikthejnë politikat industriale dhe ndërhyrjen strategjike të shtetit për të rindërtuar kapacitetin prodhues kombëtar, ndjekja jo strategjike e politikave energjetike tipike liberale nga ana e Kosovës e ekspozon ekonominë e saj edhe ashtu të cenueshme të paktën në mbajtjen e një baze më të qëndrueshme industriale.

Nga konsensusi i parë i Washingtonit 1989 te rishikimi i tij në vitin 2024

Për të kuptuar implikimet më të gjera të liberalizimit të energjisë në Kosovë, është e nevojshme të vendoset kjo politikë në kuadrin e zhvillimit bashkëkohor të politikave ekonomike ndërkombëtare pas rënies së komunizmit në Evropë. Konsensusi i parë i Washingtonit, një term i farkëtuar nga ekonomisti John Williamson në vitin 1989, kishte ofruar një plan për reformën ekonomike në vendet në zhvillim. Ky plan promovoi dhjetë parime kyç, përfshirë disiplinën fiskale, liberalizimin e tregtisë dhe investimeve, privatizimin, derregulimin dhe normat e interesit të përcaktuara nga tregu. Këto politika të ndërlidhura me neoliberalizmin theksonin rolin minimal të shteteve në treg duke theksuar përparësitë që i ofronte sektori privat në rritjen ekonomike, bazuar në faktorë kryesorë prodhues.
Gjatë viteve 1990 dhe fillimviteve 2000, ky konsensus u bë korniza dominuese e politikave nga institucionet financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore. Kosova e pasluftës përqafoi shumë nga këto parime. Shpërndarja e energjisë u privatizua. Gjithashtu, industria e rëndë u privatizua në masë, ndërsa ato që mbeten publike reduktuan tej mase prodhimin e tyre. Barrierat tarifore u ulën duke synuar krijimin e një ekonomie të hapur dhe miqësore për investitorët e huaj përmes investimeve të huaja direkte.

Në rrafshin global, me kalimin e kohës, pasojat e këtij modeli filluan të bëheshin të dukshme. Disa vende arritën stabilitet makroekonomik, por shumë të tjera përjetuan rritje të pabarazisë, ngadalësim industrial dhe varësi në rritje ndaj aktorëve të jashtëm. Për vende si Kosova, dobësimi i kapaciteteve shtetërore në sektorët kyç ekonomikë krijoi një model zhvillimi të brishtë dhe të paaftë për të prodhuar mirëqenie gjithëpërfshirëse. Të gjitha projeksionet nga “The Economist Intelligence Unit”, si pjesë e grupit prestigjioz “The Economist”, tregojnë se Kosova edhe në 10 vjetët e ardhshëm do të mbetet ekonomia më e vogël dhe më e brishtë në rajon.

Në vitet e fundit, kjo politikë ekonomike është vënë nën dyshim gjithnjë e më shumë në të gjithë globin. Pandemia COVID-19, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe rivalitetet gjeopolitike kanë nxitur një rishikim të thellë të politikës ekonomike. Rezultati është shfaqja e një konsensusi të ri të Washingtonit si një paradigmë e re që përkushtohet në qëndrueshmëri, riindustrializim dhe autonomi strategjike kundrejt liberalizimit të pakushtëzuar të tregut. Ky term u vu në përdorim në vitin 2024 nga ish-këshilltari për siguri i presidentit, Joe Biden, Jake Sullivan, për të cilin ky konsensus nuk nënkuptonte që Amerika ose Amerika bashkë me Perëndimin të shkonin të vetme në këtë drejtim ‘Kjo strategji do të ndërtojë një rend ekonomik global më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, në dobi tonën dhe të njerëzve kudo në botë’.

Ndryshe nga pararendësi i tij, konsensusi i dytë nuk supozon se tregjet mund të japin rezultate optimale në çdo rrethanë. Përkundrazi, ai njeh nevojën për përfshirje aktive të shtetit për të nxitur zhvillimin industrial, për të siguruar zinxhirët e furnizimit dhe për të nxitur inovacionin teknologjik. Parimet kyç të konsensusit të ri të Washingtonit përfshijnë:

•    Rindërtimi i kapacitetit industrial vendas në sektorë strategjikë, si energjia, farmaceutika dhe teknologjitë digjitale.

•    Rikthimi ose afrimi i prodhimit për të reduktuar varësinë nga konkurrentët gjeostrategjikë.

•    Investimet publike në infrastrukturë, kapital njerëzor dhe kërkim-zhvillim.

•    Rregullimi strategjik për të mbrojtur industritë kritike dhe për të orientuar zhvillimin.

•    Qëndrueshmëria ekonomike si objektiv i integruar në planifikimin e sigurisë kombëtare.

Ky ndryshim është i dukshëm jo vetëm në SHBA, por edhe në Bashkimin Evropian, që ka miratuar politika industriale, si Plani Industrial i Marrëveshjes së Gjelbër dhe Akti për Materiale të Papërpunuara Kritike. Këto nisma janë në pajtim me politikat se fuqia industriale është thelbësore për stabilitetin afatgjatë.

Për shtetet e vogla si Kosova, ky ndryshim paradigme përbën një sfidë dhe një mundësi. Ato mund të pozicionohen si partnerë të besueshëm dhe qendra prodhimi rajonale, por kjo mund të arrihet  vetëm nëse përshtatin politikat e tyre me prioritetet strategjike të reja.

Liberalizimi i Energjisë në Kosovë: Mungesë strategjie në praktikë

Vendimi i Kosovës për të liberalizuar furnizimin me energji duket të ketë probleme të theksuara strategjike nëse nuk mbështetet me politikat e tjera kompensuese për përshtatje afatgjate. Kjo politikë ka sjellë rritje të çmimeve që prekin prodhuesit e mëdhenj vendorë, të cilët luajnë rol kyç si në mbajtjen e stabilitetit të brendshëm ekonomik ashtu edhe në bilancin tregtar. Kjo paraqet një zbatim të logjikës së zbatimit të parimeve të tregut në një sektor strategjik pa mbrojtje kompensuese apo mekanizma për siguri industriale. Energjia nuk është mall i zakonshëm, por ajo është pjesë bazike për çdo formë prodhimi edhe për vetë sovranitetin ekonomik. Duke i ekspozuar prodhuesit vendas ndaj paqëndrueshmërisë së tregut pa mbështetje adekuate, Kosova po minon bazën e saj prodhuese. Kështu, kjo politikë bie ndesh me objektivat e rritjes ekonomike dhe integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë rrit varësinë nga importet dhe remitencat.

Situata përkeqësohet edhe më shumë duke marrë parasysh vendimet e mëhershme të gabuara strategjike. Mospërparimi me ndërtimin e termocentralit të ri me qymyr, që do të siguronte kapacitet bazë dhe siguri energjetike, ka lënë Kosovën të varur nga një infrastrukturë e vjetruar dhe importet. Ndërkohë, devijimi i gazsjellësit drejt projekteve të ruajtjes së energjisë të financuara nga MCC, që tani duket se janë bllokuar, ka kufizuar më tej mundësinë e diversifikimit të burimeve energjetike dhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm energjetik.

Rrjedhimisht, Kosova duhet të rishikojë urgjentisht strategjinë e saj ekonomike në përputhje me konsensusin e ri të Washingtonit. Kjo kërkon një ndarje nga paradigmat klasike të liberalizimit dhe adoptimin e një qasjeje pragmatike të orientuar nga shteti përmes politikave të dizajnuara mirë. Disa nga masat që mund t’i marrë Kosova në këtë drejtim janë p.sh. krijimi i një mekanizmi të përkohshëm për lehtësimin e çmimeve të energjisë deri në përshtatjen afatgjate; një strategji kombëtare për ngritjen e bazës së rëndësishme industriale; jepja e prioritetit në investimet në infrastrukturën energjetike, si dhe një dialog të hapur dhe të strukturuar publiko-privat për të adresuar tema të tilla, por edhe sfidat e tjera afatgjate. Në këtë drejtim është e rëndësishme të theksohet se ngritja e kapaciteteve institucionale për të projektuar politika ekonomike të përshtatshme për Kosovën karshi zhvillimeve globale është tepër bazike dhe e rëndësishme.

Liberalizimi i energjisë nuk është vetëm një veprim teknik. Në formën aktuale, ai paraqet tërheqje nga roli i rëndësishëm shtetëror dhe besim të verbër në një treg të paqëndrueshëm, sidomos nga aspekti i çmimeve. Kosova duhet të rivendosë kontrollin strategjik mbi zhvillimin e saj ekonomik e që nënkupton mbi të gjitha trajtimin e energjisë si një e mirë publike, përmes së cilës ajo e mbron prodhimin vendas dhe përshtatet me rendin e ri ekonomik botëror.

Bota është në ndryshim. Fuqitë globale janë duke investuar në kapacitetet e tyre dhe po rishikojnë kuptimin e ndërvarësisë dhe si mund të zhvillohet kjo në të ardhmen. Kosova nuk duhet të mbetet prapa. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e partneritetit strategjik që Kosova synon të ndërtojë dhe të forcojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja ka qenë përkrahësi më i fuqishëm i shtetndërtimit të Kosovës, por natyra e partneritetit të ardhshëm kërkon thellim përtej përkrahjes politike dhe sigurisë. Një partneritet nënkupton përpjekje nga të dyja palët për të arritur synime të përbashkëta, të cilat shkojnë përtej marrëdhënieve thjesht bilaterale. Në një mjedis global të karakterizuar nga rivalitete gjeoekonomike dhe transformime teknologjike, qëndrueshmëria e këtij partneriteti varet edhe nga kapaciteti i Kosovës për të kontribuar në mënyrë të qëndrueshme në arkitekturën rajonale dhe transatlantike të sigurisë dhe zhvillimit.

Kjo nënkupton se zhvillimi i bazës industriale dhe ndërtimi i një sistemi energjetik të sigurt e të përballueshëm janë parakushte jo vetëm për zhvillimin e brendshëm, por edhe për konsolidimin e një marrëdhënieje të barabartë dhe të ndërsjellë me SHBA-në. Një Kosovë industrialisht aktive dhe e integruar në zinxhirët rajonalë të furnizimit do të ketë më shumë peshë si partnere strategjike, duke rritur rëndësinë e saj ekonomike dhe gjeopolitike në një kohë kur SHBA-ja po kërkon të ripozicionojë aleatët në sistemin global të vlerës.

Partneriteti me SHBA-në nuk mund të ndërtohet vetëm mbi vlera politike dhe siguri. Ai kërkon edhe një bazë të fortë ekonomike dhe industriale që e bën Kosovën një partner të qëndrueshëm dhe kontribuues në zinxhirët e furnizimit dhe sigurisë kolektive. Në këtë kontekst, investimi në industrinë vendase dhe garantimi i energjisë si element strategjik nuk është vetëm çështje zhvillimi e brendshme, por një domosdoshmëri gjeopolitike. Derisa SHBA-ja dhe BE-ja janë duke tërhequr investitorët e tyre nga shtetet joaleate në tregjet vendore ose të shteteve mike, Kosova do të mund të përfitonte më shumë duke u bërë atraktive ndaj investitorëve të rëndësishëm. 

Për më tepër, një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e thelluar me SHBA-në kërkon që Kosova të jetë një kontribuues aktiv në arkitekturën ekonomike dhe të sigurisë transatlantike. Kjo nuk mund të arrihet pa një bazë industriale të zhvilluar, që e bën Kosovën jo vetëm përfituese të ndihmës dhe mbështetjes amerikane, por edhe bashkëpjesëmarrëse në objektivat strategjike të përbashkëta.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë partnerë të aftë për të mbështetur zhvendosjen e prodhimit, sigurinë e furnizimeve kritike dhe stabilitetin rajonal. Kosova duhet ta ndërtojë këtë kapacitet përmes politikave të mençura dhe të guximshme. Dështimi për të vepruar rrezikon jo vetëm rritjen e faturave të energjisë, por edhe të ardhmen zhvillimore dhe kapacitetin për të ruajtur peshën e saj në aleanca strategjike. Suksesi kërkon udhëheqje të guximshme dhe politika koherente për një ekonomi sovrane, industriale dhe të qëndrueshme.

Autori është profesor i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës